Ndërlidhjet

ARRESTIMET PROVOKOJNË TRAZIRA NË KOSOVË


WASHINGTON POST

Rreth 1.000 demonstrantë u tubuan javën e kalur për të protestuar kundër arrestimit të ish guerilëve shqiptarë nga policia e Kombeve të Bashkuara, të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e bashkëkombasve shqiptarë, nga fundi i fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë.
Demonstrantët marshuan nëpër rrugët kryesore të Prishtinës duke brohoritur “poshtë UNMIK-u”, ndërsa folësit i akuzuan Kombet e Bashkuara për përpjekjet që të denigrojnë luftën e shqiptarëve për liri.
Demonstratat u shkaktuan nga arrestimi i disa pjesëtarëve të ish UÇK-së. Shumica e tyre janë ngarkuar me krime të ndërlidhura me luftën.
Shumë shqiptarë tani druajnë se arrestimi i tyre do të shpjerë deri te ngritja e akuzave për shqiptarët tjerë para tribunalit për krime të luftës në Hagë.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara i kanë parë protestat si një çështje minore të një grupi të vogël, dhe deri tani i kanë frenuar ato. Por ata janë të shqetësuar se mund të shkaktohen protesta më të mëdha, me mundësi të destabilizimit, po qe se Tribunali i Hagës do të ndërmerr hapa për të akuzuar shqiptarët.
“Mbështetja që e kemi, mund të kthehet në drejtim të kundërt”, ka thënë kryeadministratori Mihail Steiner. “Kuptohet, mund të ketë trazira, por unë nuk kam zgjidhje. Mendoj se duhet pranuar rrezikun, sepse duhet t’i ndjekim instruksionet nga Haga”, tha Steiner.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se qindra serbë në Kosovë janë vrarë pas luftës nga shqiptarët, në shenjë hakmarrjeje për krimet e kryera nga forcat serbe.
Politikanët në Serbi, duke vërejtur se i kanë dorëzuar disa serbë të akuzuar, përfshirë Millosheviqin, i bëjnë presione Tribunalit që t’i akuzojë edhe shqiptarët. Mos ngritja e akuzave të këtilla, tre vjet pas luftës, në Serbi shihet si dëshmi se gjykata nuk është e paanshme.
Për shumicën shqiptare të Kosovës, lufta shihet si përpjekje heroike për t’u pavarësuar nga shtypja serbe, kurse bisedat rreth gjykimeve për krime të luftës nuk kanë mbështetje te popullata. Madje edhe politikanë të lartë të Kosovës tani po flasin kundër Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri i koalicionit qeverisës në Kosovë Bajram Rexhepi, ka thënë se arrestimet kanë motive politike, dhe pretendojnë të dëmtojnë imazhin e partive politike, të udhëhequra nga ish komandantët e UÇK-së, në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në nëntor.
“Serbia ka qenë shtet prej shekullit të 19-të, kurse qeveria e Kosovës ka vetëm disa muaj që është formuar”, transmetohet të ketë thënë Ylber Hysa, drejtues i Institutit për Aksion Demokratike në Kosovë. Arrestimi i politikanëve të lartë shqiptarë të Kosovës “do të ketë pasoja serioze për ndërtimin e institucioneve në Kosovë”, ka thënë ai.
Deri sa një pjesë e shqiptarëve të Kosovës duket të jetë e polarizuar rreth akuzave për krime të luftës, shumica ende mund t’i mbështesë ata, ka thënë zoti Hysa.
Ai thotë se është kritike, që asnjë arrestim të mos shihet si një akt balancimi, për të kënaqur qeverinë e Serbisë apo vendet tjera. “Kjo do të provokojë reagim nga njerëzit, veçanërisht nëse shihet si përpjekje për të barazuar fajin e UÇK-së me fajin e Serbisë dhe Millosheviqit”, ka thënë ai.
Por zyrtarët e Kombeve të Bashkuara e kanë shfaqur bindjen se shumica e shqiptarëve të Kosovës, do ti pranojnë arrestimet. Disa anëtarë të UÇK-së besohet të jenë të ndërlidhur me krimin e organizuar, një lidhje që e ka lëkundur popullaritetin e tyre.
“Haga, para së gjithash ishte institucioni që solli deri te arrestimi i Millosheviqit”, ka thënë Steiner. “Mendoj se njerëzit e dijnë këtë. Madje edhe po të mos u pëlqejë që i arrestuari të jetë nga etnia e tyre, nuk mendoj se njerëzit do të shkojnë aq larg, sa që të ndryshojnë për 180 shkallë”.
XS
SM
MD
LG