Ndërlidhjet

BUSH PËRPIQET TA RIKTHEJË BESIMIN TE EKONOMIA AMERIKANE


ANDREW F. TULLY

Dy herë në 7 ditët e kaluara, presidenti amerikan George Bush mbajti fjalime të rëndësishme, për të qetësuar shqetësimet e amerikanëve rreth skandaleve në rritje për parregullsitë finansiare të korporatave të mëdha amerikane. Në të dy fjalimet, Bush kërkoi nga udhëheqësitë e korporatave t’u përmbahen standardeve të larta etike, dhe tha se ka propozuar rritjen e dënimeve për veprat e tilla penale.
Por, në kohën kur presidenti i mbante fjalimet në 9 korrik në Nju Jork dhe të hënën në Birmingem, indekset në treg shënonin rënie.
Peter Locke, ligjërues i financave në Universitetin Xhorxh Uashington, thotë se presidenti bën çmos për të luftuar korrupsionin, por shton se Bush edhe vetë është përgjegjës për gjërat që ndodhin.
“Fakti se ai fokusohet në këto çështje, njerëzit i bën të druajnë se mund të ketë edhe ndonjë dështim tjetër”, thotë Locke, për të shtuar se është me rëndësi që presidenti të flasë bindshëm kur u thotë njerëzve të veprojnë së bashku.
William Niskanen, drejtues i Institutit KATO në Uashington, thotë se Bushi, mediat amerikane dhe shumica e ekonomistëve, nuk e shohin se ku janë rrënjët e problemit që ndikojnë në ekonominë amerikane.
“Këto korporata nuk dështuan ngase i cënuan standardet e llogarive. Kompanitë i cënuan standardet për ta mbuluar faktin se ishin finansiarisht shumë të dobëta”, thotë Niskanen.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron në ligjet amerikane, të cilat nuk i tatimojnë paratë që shpenzohen për kamatat, dhe kjo i inkurajon korporatat që operacionet t’i finansojnë me hua të mëdha.
“Ka arsye të veçanta për çdo rast veç e veç, por shkaqet e përgjithshme janë se sistemi ynë tatimor inkurajon borxhe të mëdha dhe sjellje të rrezikshme”, thotë ai.
Niskanen mendon se presidenti Bush më shumë kohë humb me fjalimet rreth ekonomisë, në vend që ta fokusojë energjinë në reformat e sistemit tatimor.
Ekonomisti Barry Bosworth nga Instituti Brukings në Uashington gjithashtu dakordohet rreth argumenteve për ndryshimet në sistemin e tatimeve. Por, ai mendon se presidenti Bush duhet tua largojë amerikanëve shqetësimet rreth gjendjes ekonomike. Për dallim nga Niskanen, ai nuk mendon se këtë duhet ta bëjë sekretari i Thesarit Paul O’Neill.
“Mendoj se presidenti është ai që duhet të flasë. Por kur flet presidenti, ai duhet të thotë më shumë se ç’thonë të tjerët”, thotë Bosworth.
Sipas tij, Bushi thotë gjëra që opinioni amerikan i ka të njohura, dhe kjo krijon përshtypje se presidenti nuk është i involvuar në çështjet ashtu siç duhet të jetë.
Megjithëse Bosworth pajtohet se presidenti nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, ai mendon se presidenti duhet ta dijë rëndësinë e mënyrës së perceptimit nga të tjerët.
“Presidenti nuk shkakton recesione, dhe presidenti nuk mund t’i shërojë ato”, thotë Bosworth, për të shtuar se efekti pozitiv mund të arrihet duke ua rikthyer njerëzve besimin në ekonominë, në mënyrë për ta ringjallë atë.
XS
SM
MD
LG