Ndërlidhjet

SHBA THONË SE NUK I KANË ZBUTUR KRITIKAT NDAJ RUSISË PËR ÇEÇENINË


ANDREW F.TULLY

Shtetet e Bashkuara i hedhin poshtë kritikat e grupit për të drejtat e njeriut nga Moska, se i kanë lehtësuar presionet ndaj qeverisë së Rusisë, rreth akuzave se forcat e saj të armatosura i shkelin të drejtat e njeriut në Çeçeni.
Departamenti i Shtetit tha se vazhdimisht ka kërkuar nga Moska të hetojë raportet e abuzimeve të këtilla. Përgjigja e Shteteve të Bashkuara erdhi pas akuzave të bëra javën e kaluar në Moskë, se shkelja e të drejtave të njeriut në Çeçeni injorohet.
Grupi i Helsinkit nga Moska thotë se vendet e perëndimit, e sidomos Shtetet e Bashkuara kanë heshtur mbi Çeçeninë, prej kohës kur Rusia iu bashkangjit luftës kundër terrorizmit.
Drejtuesja e grupit, Lyudmila Alexeyeva e shpreh drojen e saj:
“Ne shohim se interesimi i Perëndimit për shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi është pakësuar, pasi Rusia iu bashkua fushatës anti-terroriste, dhe filloi të merr pjesë në takimet e vendeve kryesore demokratike”, thotë Alexeyeva.
Ajo e mbështet në tërësi luftën e Shteteve të Bashkuara, kundër terrorizmit, por thotë se është gabim që Uashingtoni dhe qeveritë e Perëndimit e injorojnë sjelljen e Moskës në fushën e të drejtave të njeriut vetëm për shkak se presidenti rus iu bashkangjit atyre.
“Unë e mirë pres pjesëmarrjen e Rusisë në koalicionin anti-terrorist, dhe e kuptoj nevojën për të luftuar kundër terrorizmit, por duhet të pranojmë se kjo aleancë ka edhe efekte anësore”, thotë Alexeyeva.
Para sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, presidenti George Bush disa herë e kritikoi Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.
Prej 11 shtatorit, Bush e ka heshtur këtë çështje, madje e shprehu edhe simpatinë për Putinin, duke thënë se Rusia më nuk është armiku i Amerikës kurse Putin ka thënë se Rusia në Çeçeni e lufton terrorizmin.
Mark Toner, zëdhënës i Departamentit të Shtetit i konteston vërejtjet e Grupit të Helsinkit.
“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që qeveria ruse të hetojë të gjitha raportet mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të mbajë përgjegjësinë për ato”, thotë Toner, për të shtuar:
“Mungesa e lëvizjes drejt zgjidhjes politike të konfliktit në Çeçeni, në kombinim me raportet e besueshme për shkeljen masonike të të drejtave të njeriut atje, i kontribuojnë një ambienti të favorshëm për terrorizmin në rajon”, thotë Toner.
Anna Neistat, drejtuese e zyrës së Human Rights Watch në Moskë, nuk pajtohet me pohimet e Tonerit dhe Putinit se tërë çështja në Çeçeni ka të bëjë me terrorizmin.
“Presidenti Putin thoshte se Rusia në Çeçeni i lufton terroristët, dhe se lufta e Rusisë atje është pjesë e luftës globale kundër terrorizmit. Ai kështu e zhvendos vëmendjen nga të drejtat e njeriut në çështjen e luftimit të terrorizmit”, thotë Neistat.
Ajo thotë se në Kongres dhe në vetë administratën e Bushit, megjithate ka elemente që mendojnë se lufta kundër terrorizmit nuk mund të zëvendësojë përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Neistat thotë se Rusisë nuk i bëhen presione të duhura për të vepruar si duhet në Çeçeni.
“Human Rights Watch gjithmonë është mbështetur në Perëndimin, që ai t’i bëjë presione Rusisë rreth të drejtave të njeriut, e sidomos rreth luftës në Çeçeni”, thotë ajo.

XS
SM
MD
LG