Ndërlidhjet

BERISHA:"MARRËVESHJA ME NANON - HAMENDJE ABSURDE"


Sali BERISHA, lider i opozitës në Shqipëri

* Radio Evropa e Lirë
* Riciklimi i menjëhershëm i Fatos Nanos në postin e kryeministrit pas marrëveshjes për presidentin konsensual ka ngjallur mjaft dilema se pas këtij avancimi të z.Nano qëndron leja e opozitës? Si e komentoni Ju?

* Sali Berisha
* Unë mendoj se kjo është një hamendje absurde dhe është absolutisht, krejtësisht pa baza. Së pari për të gjithë dëgjuesit tuaj, për gjithë shqiptarët dhe opinionin ndërkombëtar është e qartë se Fatos Nano bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme për t'u bërë president i vendit. Opozita qëndroi në këtë kuadër e bashkuar për presidentin konsensual dhe realizoi një nga qëllimet e saj të shpallura që nga shtatori i vitit të kaluar gjer' sot. Së dyti, Partia Socialiste dihet që ajo ka numrin e votave në parlament për të krijuar qeveri, vota të cilat i ka marrë një pjesë të tyre në mënyrë të paligjshme, por numrin e votave PS e ka dhe ka krijuar gjatë këtij viti 2 qeveri dhe tani po krijon të tretën…

* Radio Evropa e Lirë
* Pa ikur nga kjo pikë, Ju e hidhni poshtë kategorikisht mundësinë që në shkëmbim të një presidenti të propozuar nga opozita, Fatos Nano mund të qeverisë deri në fund të mandatit në 2005? D.m.th në optikën tuaj, a janë zgjedhjet e parakohshme një opsion?

* Sali Berisha
* Absolutisht janë opsioni më i rëndësishëm. Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të parakohshme janë e vetmja zgjidhje e krizës në Shqipëri. Por, nga ana tjetër dua të theksoj me këtë rast se opozita në asnjë lloj rrethane nuk mund t'i lejojë vetes të caktojë as drejtuesin, as kryetarin e qeverisë së partisë kundërshtare. Në momentin që opozita të përzihet në një aferë të tillë unë mendoj se ajo humbet sovranitetin e saj, se kryen një akt diversiv të pamoral, të paprinciptë për rregullat e një shoqërie demokratike.
Kështu që ne kemi dy objektiva madhore: reformimin e institucioneve, të Kodit Elektoral, të sistemit elektoral dhe zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme. Këto janë objektivat e pandryshuara tonat.

* Radio Evropa e Lirë
* Mënyrat e z.Nano për të vënë rregull brenda partisë së tij analistët i kanë çmuar pak ortodokse. Z.Berisha, a nënkuptojnë zhvillimet e fundit një rikthim tek bipartitizmi i pastër në Shqipëri?

* Sali Berisha
* Unë gjykoj që spektri politik shqiptar është i dominuar nga dy parti kryesore, por e vërteta është që gati 1/3 e elektroatit shqiptar iu beson partive të vogla dhe nuk gjykoj se ato duhen neglizhuar tërësisht.
Kurse për sa u përket mënyrave të veprimit dhe praktikave të fundit të Partisë Socialiste jam plotësisht dakort që ato janë mentalitete dhe praktika të realizuara sipas modeleve dhe mentaliteteve të vjetra dhe kjo përbën një zhvillim negativ, që kjo parti nuk u përmbahet rregullave demokratike në lojën brenda saj.
XS
SM
MD
LG