Ndërlidhjet

KULTURA E RACIZMIT NË RUSI


LOS ANGELES TIMES

Rusia sapo e ka miratuar një ligj që i shtron parimet e të drejtës civile dhe pandehjen e pafajësisë. Kapitali pushoi së larguari nga vendi, kurse filluan të derdhen edhe investimet. Kompania Ford, para ca kohësh e hapi stabilimentin e parë në Rusi që është në pronësinë e të huajve.
Ekonomia ruse ka filluar të qëndrojë në këmbët e veta, por një problem tjetër vazhdon të rritet. Leonna Griffin, një studente amerikane në Rusi, thotë se sa herë që bie në kontakt me ndonjë rus, ajo ose goditet ose pështyhet. Griffin është amerikane me origjinë nga Afrika, dhe situata e saj është indikative për atë me se përballen shumë studentë të huaj, çeçenët, hebrejtë, madje edhe disa të punësuar në ambasadat e huaja.
Prej majit të vitit 2000, rrahjet nga racistët bënë që nëpër spitale të shtrohen 104 të huaj. Gjithashtu ka edhe shumë përbuzje.
Një ligjëruesi nga Afrika, nxënësit ia kishin vizatuar kryqin e thyer në klasë. Caqe të sulmeve të ngjashme kanë qenë edhe shumë hebrejë. Kjo është shumë e dëmshme, nga fakti se miliona sllavë të Rusisë u therrën nga vetë nazistët. Gjërat shkuan aq larg, sa që shumë ambasadorë në Moskë protestuan te ministria e jashtme, kurse disa diplomatë mendojnë ta lëshojnë vendin.
Presidenti Vladimir Putin dhe Dhoma e Poshtme e Parlamentit rus, së voni e miratuan një ligj kundër ekstremizmit, me të cilin ligjvënësit duan t’i luftojnë bandat raciste. Por ligjet e ngjashme ekzistonin edhe më parë dhe nuk janë zbatuar. Kritikët e Kremlinit thonë se kjo më shumë do t’i shërbejë qeverisë për të heshtur zërat e kundërshtarëve.
“Toleranca dhe bashkëpunimi duhet të mësohen”, thotë Andrey Zdravomyslev nga Instituti për Çështje Sociale dhe Kombëtare nga Moska, i cili bashkë me ekspertët tjerë të vendit, më shumë e preferojnë një fushatë edukative anti-raciste.
Rusia mund të fillojë duke i ndryshuar ato që ua mëson nxënësve. Nëse presidenti Putin do të ishte vërtetë serioz për çrrënjosjen e farës së keqe të racizmit, atëherë ai do të duhej ta kultivojë tolerancën nëpër shkollat publike të Rusisë.
Në vend që t’i theksojnë lavditë ushtarake nga e kaluara për të ushqyer nacionalizmin rus, i cili vetëm e inkurajon ekstremizmin, librat shkollorë do të duhej ta njohin faktin se në vendin më të madh në botë, jetojnë shumë grupe etnike.
Ndonëse reformimi i normave kulturore do të zgjaste më tepër, efektet do të ishin më të qëndrueshme, se sa sjellja e ligjeve të shumta.
XS
SM
MD
LG