Ndërlidhjet

logo-print

PROKURORI JONES: DREJTËSIA AMERIKANE NUK KUFIZOHET ME KALIMIN E KOHËS


Andrew F. Tully, Washington Amerikanët mund të mburren me sistemin e tyre politik, por ka disa aspekte të historisë së tyre që ata dëshirojnë ti harrojnë. Ndër këto aspekte mendohet se janë mbajtja e zezakëve në skllavëri, moslejimi i fermave për të votuar dhe largimi i indianëve amerikanë nga toka e tyre në të cilën kishin jetuar me shekuj. Amerikanët ballafaqohen me këto gabime të së kaluarës me shkallë të ndryshme të sinqeritetit dhe të suksesit.

Në muajin maj të këtij viti, një gjyq në Birmingham, një qytet në shtetin jugor Alabama të SHBA-ve, dënoi një person një moshë pasi, para katër dekadash, kishte ndihmuar në një sulm me bombë nga pasojat e të cilit u vranë katër vajza të zeza. 71 vjeçari Bobby Frank Cherry, dikur anëtar i grupit të të bardhëve, Ku Klux Klan, për rolin e tij në këtë sulm u dënua me burgim të përjetshëm.
Pas shpalljes së dënimit, prokurori Doug Jones, që kishte inicuar këtë rast, tha se drejtësia amerikane nuk është e kufizuar me kalimin e kohës. “Vendimi i sotëm dërgon mesazh që është i rëndësishëm: njerëzit që hodhën bomba dhe vranë qytetarët tanë të pafajshëm dhe fëmijë kurrë nuk do ti lëmë të lirë” – tha prokurori Jones.

Mirëpo, nuk ishte vepruar çdoherë kështu. Amerikanët indianë, që kishin jetuar në Amerikën veriore shumë kohë para se evropianët të vendoseshin në kontinent, ishin viktima të shumë rasteve të padrejtësive, që nga aspekti historik, në kohë të fundit, kanë nisur të shqyrtohen. Atëbotë, sipas profesorit të historisë amerikane në Universitetin Amerikan në Uashington, Alan Lichtman, evropianët i konsideronin indianët amerikanë si fundërrina. “Kultura vendëse amerikane ishte e huaj për evropianët. Ata dukeshin se janë të një race tjetër dhe, kuptohet, ata nuk ishin të krishterë – ata ishin të pa fe. Kjo gjë ishte esenciale për kuptimet e evropianëve se indianët amerikanë ishin pengesë për të krishterët” – thotë prefesori Alan Lichtman.

Të ndihmuar edhe nga ky kuptim, evropianët e arsyetonin vendimin për largimin e indianëve amerikanë nga tokat që i donin evropianët. Në vitet 1830, për shembull, Kongresi i Shteteve të Bashkuara urdhëroi zhvendosjen masive të gjithë kombit të indianëve Cherokee në rajonet perëndimore, që atëherë ishin jashtë Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtij marshimi të detyruar të afro 14 mijë indianëve amerikanë, afro 4 mijë prej tyre kishin vdekur nga uria, të ftohtit dhe sëmundja. Me gjasë, gjatë zgjerimit të kufijve të Shteteve të Bashkuara në perëndim, amerikanët indianë përsëri ishin të larguar nga toka që e dëshironin. Në fund të shekullit të 19, ata ishin dërguar nëpër toka të gjëra, zakonisht të zhveshura, të njohura me emërtimin “rezervate”.

Çështja e skllavërisë, në fillim të shekullit të 17, në kolonitë e kontrolluara britanike ku punësoheshin skllavët nga Afrika Perëndimore, ishte njëri nga shkaqet kryesore për Luftën Civile amerikane, ndërmjet shteteve veriore dhe jugore nga viti 1861 e deri në vitin 1865. Kjo luftë më në fund i liroi personat me ngjyrë të zezë nga skllavëria.

Në Dhjetor të vitit 1955, gruaja zezake, Rosa Parks, refuzoi ti lironte vendin e saj në autobusin publik një personi të bardhë, ashtu siç parashihej me ligjet e qytetit në Montgomery. Ky akt i refuzimit për shumë amerikanë simbolizon fillimin e lëvizjes për të drejtat civile.
Historianët thonë se kjo lëvizje, megjithatë, kishte filluar dy dekada më herët. Profesori Alan Lichtaman thotë se lëvizja ishte inspiruar më 1930 nga dokumenti i presidentit Franklin Roosevelt, i quajtur “Marrëveshja e re”. Ky ishte një program i gjërë qeveritar, me një sërë projektesh, i përpiluar me qëllim që, nëpërmjet të planeve ambicioze të punës, Amerika të nxirrej nga një depresion i thellë. “Derisa Marrëveshja e re e Frankiln Rooseveltit nuk kishte program për të drejtat civile, ai megjithatë solli një ringjallje qeveritare në këtë vend, që kishte nxitur shpresat në mesin e shumë amerikanëve afrikanë që mendonin se ky zhvillim do të mbyllte segregacionin” – thotë profesori Alan Lichtman.
XS
SM
MD
LG