Ndërlidhjet

MOISIU:"PIKËSYNIM - LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT"


Dr. Alfred MOISIU, president i zgjedhur i Shqipërisë

* Radio Evropa e Lirë

* Tashmë është gati e sigurtë se detyra juaj e parë është miratimi i qeverisë së re socialiste të z. Fatos Nano. A i qëndroni kushtit anti-korrupsion që keni deklaruar më herët dhe çfarë tjetër do të kërkoni nga z.Nano?

* Alfred Moisiu

* Sigurisht që unë do t'i qëndroj atij kushti, jo se dua unë, por në rradhë të parë atë do ta kërkojë vetë z.Nano, sepse nuk mundet që të pranosh në qeveri njerëz që janë mallkuar për korrupsion, nëse mund të shprehemi kështu.
Pra ka dy rrugë, ose ata duhet të rrinë jashtë qeverisë, ose duhet të justifikohen ato gjëra që u thanë.

* Radio Evropa e Lirë

* Ndërsa prej vitit 1994 ju i shërbeni integrimit të vendit në NATO, për ironi ju po merrni presidencën pak muaj para se Shqipërisë t'i mohohet kërkesa për t'u pranuar në Aleancën Veriatlantike. Çfarë hapash keni parashikuar të hidhni në këtë drejtim?

* Alfred Moisiu

* Eshtë e vërtetë, unë kam punuar që nga viti 1994, kur u krijuar Shoqata Shqiptare e Atlantikut me të gjitha forcat e mia, bashkë me gjithë kolegët e mi për të përgatitur integrimin e Shqipërisë në NATO. Dhe sikurse mund ta dini, në vitin 1996 Shqipëria qe në prag të integrimit. Ngjarjet e 1997 sollën një shmangie nga ky drejtim për integrim që kishte marrë Shqipëria.
Patjetër që zhvillimet e mëvonshme morën një kah që i riparuan disa probleme, por jo të gjitha. Ju e dini që NATO ka dy kërkesa, ose më mirë të themi dy shtylla kërkesash: njëra është shtylla politike, tjetra është shtylla ushtarake. Dhe në qoftë se në anën ushtarake është ecur përpara dhe ka pasur arritje, në anën politike siç dihet stabiliteti politik ka qenë një nga pengesat kryesore për integrimin e Shqipërisë.
Tani, me arritjen e një konsensusi politik mes forcave politike kryesore, unë besoj se kjo klimë do të marrë rrjedhën e nevojshme, rrjedhën e kërkuar nga Bashkimi Europian, nga NATO-ja.
Dhe duhet të dimë një gjë: shumë thonë që Shqipëria s'ka për t'u pranuar në NATO, edhe unë me thënë të drejtën jam përgatitur shpirtërisht për këtë, por akoma nuk është thënë se kush dhe kur do të hyjë në NATO.
Sido që të jetë, edhe sikur sivjet të mos na ftojnë për Të marrë pjesë në NATO, unë them që është mëse e sigurtë që në raundin tjetër Shqipëria do të jetë brenda në NATO.

* Radio Evropa e Lirë

* Z.Moisiu, a parashikoni ndryshime në institucionet e rëndësishme të vendit si Gjykata e Lartë, ajo Kushtetuese etj, në kuadrin e luftës antikorrupsion, kur për një reformë institucionale janë shprehur edhe dy partitë kryesore politike, që u dakorduan për zgjedhjen tuaj?

* Alfred Moisiu

* Unë nuk mund ta filloj detyrën me një pikësynim për të bërë ndryshime. Unë detyrën time do ta filloj me pikësynimin që të luftoj korrupsionin dhe krimin dhe kush do të jetë përkrah kësaj ideje, do ta mbështesi këtë luftë, sigurisht që do të vazhdojë të qëndrojë atje ku është. Kush do ta frenojë, nuk do ta mbështesë, sigurisht ëq do të lirojë vendin.

* Radio Evropa e Lirë

* Analistët kanë vlerësuar se problemi kryesor në Shqipëri është mbështetja që ka gjetur një standart i dyfishtë moral në shtresat e gjera të popullatës. Kjo i ka kthyer shumë fenomene si kultivimi i drogës, korrupsioni apo praktikat e tij në mënyrë jetese. Sa do të luftoni kundër kësaj dukurie?

* Alfred Moisiu

* Ky është një problem shumë i rëndësishëm, me thënë të drejtën. Por unë kam mendimin tim personal: kjo dukuri nuk është e paluftueshme, nuk është e pamundur për t'u ç'rrënjosur. Ja ju morët vesh dje se u arrestuan katër mafiozë të rrezikshëm që ishin implikuar në rrjetin ndërkombëtar përsa i përket problemeve të drogës, prostitucionit dhe elementëve të tjerë negativë. Dhe kjo tregon se prokuroria shqiptare tashmë është shumë më e vendosur se ç'ishte përpara dhe unë si president i republikës do ta mbështes me të gjitha forcat e mia prokurorinë, që ajo të jetë e pamëshirshme ndaj këtyre fenomeneve.

* Radio Evropa e Lirë

* Ju keni ardhur në detyrë me konsensusin e dy partive kryesore në vend, gjithashtu nga shoqëria civile, një personalitet i njohur i mbrojtjes së vendit… A mund të thoni se cilat janë difektet tuaja, nga të cilat ju vetë do të ruheni?

* Alfred Moisiu

* Unë kisha me thënë këtë: është një çikë e vështirë që njeriu të flasë për veten e tij, por difekti im është se unë jam shumë i ndershëm.


XS
SM
MD
LG