Ndërlidhjet

SHBA E SHQYRTOJNË SULMIN NDAJ BAGDADIT


NEW YORK TIMES

Deri sa administrata e presidentit Bush i shqyrton opcionet për përmbysjen e Saddam Husseinit, zyrtarët e lartë të Pentagonit thonë se ndjekin një qasje tjetër: së pari të pushtohet Bagdadi dhe një apo dy qendrat tjera komanduese, si dhe depot e armëve, me shpresë se izolimi i lidershipit të vendit do të shkaktonte kollapsin e shpejtë të qeverisë.
Opcioni i këtillë do të mbështetej në aftësinë e ushtrisë amerikane për të goditur nga larg. Ithtarët e planit thonë se strategjia nuk kërkon angazhimin e 250 mijë trupave amerikane, dhe mbi të gjitha e paaftëson Irakun të përdorë armët për shkatërrim në masë. Plani ende nuk i është prezantuar presidentit Bush apo këshilltarëve të tij të lartë.
Idetë e këtilla në thelb krejtësisht dallohen nga strategjia amerikane e vitit 1991 në Luftën e Gjirit.
Qëllimi do të ishte vrasja apo izolimi i Sadam Huseinit, si dhe goditja për të parandaluar përdorimin e armëve për shkatërrim në masë.
Zyrtarët kanë thënë se kjo mundëson paralizimin e komandës irakiene të kontrollit ajror, e cila është mjaft e centralizuar. Nëse kjo mund të arrihet me një forcë më të vogël se 250 mijë trupat e sugjeruara në planet e mëparshme, atëherë do të ngacmoheshin edhe vendet aleate të Gjirit, të cilat do të shfrytëzoheshin si baza ushtarake. Këto shtete do të mbështetnin një operacion më të vogël ushtarak, për të zbutur protestat anti-amerikane nëpër rrugët e tyre.
Debati për shfronësimin e Sadam Huseinit me të madhe ka filluar të diskutohet edhe në Kongres.
“Ka divergjenca të mëdha rreth mënyrave për asgjësimin më efikas të armëve për shkatërrim në masë”, ka thënë senatori Xhozef Bajden, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme.
Në maj, presidenti George Bush i shfaqi disa koncepte për një invazion të madh, por zyrtarë të lartë e panë këtë plan si të pa imagjinueshëm.
Nga ana tjetër, një bashkëpunëtor i ngushtë i tij për çështje të sigurisë, gjenerali në pension Wayne Downing, vazhdimisht ka pohuar se Sadam Huseini mund të përmbyset me numër minimal të ushtarëve në tokë, të mbështetur nga sulme të furishme nga ajri. Zyrtarët e lartë thanë se kjo nuk do të mjaftonte, dhe ai muajin e kaluar e lëshoi Shtëpinë e Bardhë.
Plani për demobilizimin e lidershipit irakien mund të nxjerrë mësime nga intervenimi ushtarak në Panama, që u drejtua nga Dick Cheney dhe Colin Powell, dhe nga zbarkimi i papritur në Kore në vitin 1951.
Presidenti Bush ka thënë se ndryshimi i regjimit të Sadam Huseinit bën pjesë në politikën amerikane. Por, ashtu si talibanët dhe al Kaida, që nuk pritnin se Shtetet e Bashkuara do t’u përgjigjen sulmeve të 11 shtatorit, edhe këtu koha dhe taktika bëjnë pjesë në masat befasuese të sulmit, kanë pohuar ushtarakët e lartë.
Bagdadi është i rrethuar me forcat elite të Sadam Huseinit, kurse qyteti është përplot njësite kundërajrore, andaj goditjet nga ajri duhet kombinuar me sulmet nga toka.
Zyrtarë të Pentagonit dhe administratës thanë se një operacion ushtarak kundër Irakut kryesisht do të ishte amerikan, me një kontribut të forcave britanike, si partneri i vetëm. Por bashkëpunimi i aleatëve në rajon do të ishte shumë i rëndësishëm.
”Nuk e duam Sadamin, dhe nuk besojmë se është fqi që e do paqen”, ka thënë një diplomat i lartë i Gjirit.
Për ta fituar mbështetjen e aleatëve strategjikë, Amerika duhet të sigurohet se herën e ardhshme, operacioni ushtarak do ta largojë Sadamin një herë e përgjithmonë, kanë thënë zyrtarët nga rajoni, të cilët thonë se lufta kundër Irakut, patjetër duhet të jetë e suksesshme.
XS
SM
MD
LG