Ndërlidhjet

logo-print

RUMSFELD: VETËM FORCAT AJRORE NUK MUND TA MUNDIN IRAKUN


NEW YORK TIMES

Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld ka thënë se Iraku ka laboratore të lëvizshme të armëve biologjike dhe kimike, që vështirë mund të bombardohen. Kjo e ilustron shembullin se, vetëm me sulmet nga ajri nuk mund t’i asgjësohen të gjitha armët për shkatërrim në masë që i posedon Iraku.
Madje edhe nëse Iraku dakordohet të lejojë kthimin e inspektorëve ndërkombëtarë të armatimit, presidenti Saddam Hussein ka ndërmarrë gjithçka që inspektimi të jetë i padobishëm, ka thënë Rumsfeld, për të shtuar se shumica e pajisjeve janë strehuar nën tokë, kurse armët janë prodhuar në fabrikat që bëjnë prodhime komerciale.
Prononcimet e sekretarit Rumsfeld janë nga më gjithëpërfshirëset rreth sfidave me të cilat përballet Pentagoni, për përmbysjen e Saddam Husseinit dhe asgjësimin e arsenalit të tij, ndonëse mbetet e paqartë nëse administrata ka ndonjë plan specifik.
Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Pentagonit ende janë të angazhuar në debatin e gjallë rreth përdorimit të mundshëm të forcave tokësore, për numrin dhe mënyrën e vendosjes së tyre.
Ndërkohë, dëgjimet në Senat kanë filluar me dëshmitë e ekspertëve për Irakun para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme.
Gjenerali Joseph Hoar, ish kreu i Komandës Qendrore është shprehur i matur rreth përdorimit të forcës për përmbysjen e Saddam Husseinit, para se të shfrytëzohen të gjitha rrugët ekonomike dhe diplomatike. “Kjo mund të bëhet, por sa jetë do të humben”, ka thënë gjenerali Hoar.
Ligjvënës të dy partive i kanë ngritur shqetësimet e tyre se administrata po shkon drejt një lufte. Senatori demokrat Joseph Biden, që e kryeson Komitetin, ka thënë se zyrtarët e administratës e kanë siguruar atë se nuk do të ketë ndonjë sulm deri në vjeshtë, ndërkohë që po shqyrtohen një sërë opcionesh.
Por të gjitha këto opcione kanë edhe mangësitë e veta.
Senatori Joseph Biden tha se rifillimi i inspektimeve mund ta ngadalësojë prodhimin e armëve dhe do të ndërtonte një mbështetje ndërkombëtare për masat shtesë kundër Irakut.
Në shqyrtim po merren stretegji të ndryshme. Njëra është sulmi ndaj Bagdadit dhe qendrave tjera komanduese, për të shkaktuar kollapsin e shpejtë të qeverisë, kurse tjetra është sulmi i përgjithshëm nga toka dhe ajri me 250 mijë trupa. Por, i pyetur rreth zgjidhjes, Rumsfeld tha se nuk është bërë fjalë për ndonjë plan specifik.
Ai gjithashtu ka shpjeguar përse, sipas tij, inspektimi i armëve, do të ishte i pamjaftueshëm. “Do të ishte një inspektim plotësisht i kotë, që do të varej nga vullneti i Irakut”, ka thënë Rusfeld.
“Vetë ideja se është lehtë të shkohet atje, dhe punët të bëhen nga ajri, paraqet mosnjohje të situatës”, ka thënë sekretari i mbrojtjes, për të shtuar se atë që e kanë prodhuar, irakienët e kanë futur thellë nën tokë.
XS
SM
MD
LG