Ndërlidhjet

logo-print

SHTËPIA E BARDHË SYNON PËRMIRËSIMIN E IMAZHIT TË SHBA-ve


J. DONOVAN


Pse na urrejnë ata? - këtë pyetje ua parashtroi amerikanëve presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, nëntë ditë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Përgjigja e tij, pra që ‘ata na urrejnë për shkak të lirisë sonë’ – ju duk sempliciste shumë aleatëve të Amerikës.
Kritikët thonë ndërkaq se është politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara dhe jo demokracia e tyre – burimi i zemërimit ndërkombëtar ndaj Uashingtonit.
Tani, Shtëpia e Bardhë po rreket të përmirësojë imazhin e Amerikës, përmes një fushate të madhe, pikë qendrore e së cilës, sic raporton ‘Washington Post’, është krijimi i Zyrës së Përhershme për Komunikim Global, që do të koordinonte mesazhet e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe do të modelonte imazhin jashtë vendit.
Nisma vjen në një kohë kur institutet që merren me politikat e jashtme amerikane po rekomandojnë me forcë ndërmarrjen e veprimeve më energjike për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit.
Stefën Bruks dhe Uilliam Volforth, profesor kolegji në New Hampshir dhe bashkë-autor të artikullit kryesor të numrit të fundit në revistën prestigjioze ‘Foreign Affairs’, argumentojnë se Washingtoni duhet të ndërmarrë disa aksione specifike.
‘Shtetet e Bashkuara u duken kërcënuese një numri të madh njerëzish. Pjesërisht për atë çka janë. U duken kërcënuese pjesërisht për çfarë ato përfaqësojnë si lider të globalizimit’ – thotë Volforth.
Bruks argumenton se varfëria dhe pamjaftueshmëria e mundësive ekonomike dhe politike, janë ndër shkaktarët e zemërimit që ushqen terrorizmin. Ndaj thotë ai, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë ekonomikisht – përfshirë hapjen e tregut të tyre – për të ndihmuar popullsitë e vendeve të varfra.
Në fund, Bruks rekomandon rritje substanciale të ndihmës së jashtme amerikane.
Shtetet e Bashkuara renditen të parat për asistencë dhënë vendeve në zhvillim – rreth 11 miliardë dollarë vetëm në vitin 2001. Por, po të krahasohet kjo si përqindje me Bruto Prodhimin Kombëtar, del që Shtetet e Bashkuara janë të fundit, pas Italisë dhe Greqisë.
‘Shtetet e Bashkuara do duhej të ishin të paktën diku në mes, në mënyrë që askush në vendet në zhvillim të mund të thoshte: ‘ne jemi të varfër ngaqë Shtetet e Bashkuara janë kopracë’. Rritja e ndihmës do të ishte pra një mënyrë’ – sugjeron Bruks.
Por zemërimi nuk kufizohet vetëm tek bota myslimane. Bush ka theksuar në vijimësi synimin që të përmbysë liderin iraken, Sadam Husein; ai duket se mbështet disa nga politikat e kryeministrit izraelit Ariel Sharon; George Bush ka refuzuar marrëveshjen për protokollin Kioto, ndërsa konfrontim ka pasur mes vendeve evropiane dhe Shtëpisë së Bardhë për mënyrën se si kjo e fundit ju kundërvu Gjykatës për Krimet Ndërkombëtare.
Disa analistë thonë se gjërat janë keqësuar nga mënyra se si administrata Bush i është qasur këtyre çështjeve.
Zyra e re e Shtëpisë së Bardhë për Komunikim Global do të përpiqet pra, të përmirësojë imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë përmes një morie mjetesh, përfshirë transmetimet radiofonike dhe televizive në rajone kyç si Lindja e Mesme.
Mark Emerson, analist në Qendrën për Studimin e Politikave Evropiane në Bruksel, beson se Shtëpia e Bardhë i ka inatosur keq myslimanët në mbarë botën me mbështetjen e heshtur dhënë Izraelit.
‘Është pothuaj e qartë se nëse presidenti Bush nis të pranojë këshillat e vlefshme – veçanërisht të Sekretarit të Shtetit, Kolin Powell – do të përfitonte mjaft në reputacionin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara’ – përmbyll analisti Emerson.
XS
SM
MD
LG