Ndërlidhjet

MICHAEL STEINER: KY AKT ËSHTË I DREJTUAR KUNDËR INTERESAVE TË POPULLATËS SHUMICË DHE BASHKËSIVE MË TË VOGLA ETNIKE


“Unë personalisht jam në favor të asaj që komuniteti ndërkombëtar të ketë mundësi të njihet me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme dhe gjithashtu mendoj se është mirë që këta përfaqësues të njihen për së afërmi me qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar. Por, për këtë çështje vendos Këshilli i Sigurimit, më konkretisht, pesë anëtarët e përhershëm të këtij Këshilli” – tha kryeadministratori Michael Steiner, i pyetur për ti komentuar vërejtjet e kryeministrit Bajram Rexhepi për mospraninë e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë raportimit për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është reagimi juaj mbi shpërthimet që kanë ndodhur sot në Kllokot, nga të cilat janë plagosur dy ushtarë amerikanë dhe janë dëmtuar disa shtëpi të pabanuara serbe, të cilat në bazë të disa raporteve fillestare u takojnë serbëve?

MICHAEL STEINER
Për këtë rast jam njoftuar pasi kam raportuar përpara Këshillit të Sigurimit dhe vetëm mund të them se është e neveritshme. Kushdo që e ka bërë, ky akt është i drejtuar kundër interesave të popullatës shumicë dhe bashkësive më të vogla etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithë faktin se KFORi ende nuk ka publikuar motivet e mundshme që kanë nxitur këto shpërthime, a mendoni se ato mund të dëmtojnë procesin e kthimit, duke pasur parasyshë faktin se në rajonin e Kllokotit, kohët e fundit, ka pasur disa kthime spontane të serbëve të zhvendosur?

MICHAEL STEINER
Ky ka qenë një akt i drejtuar kundër kthimeve spontane. Nuk mendoj se ky incident do të mund të pengoj procesin e përgjithshëm të kthimit të personave të zhvendosur. Mos harroni se, përgjithësisht, situata e sigurisë në Kosovë është duke u përmirësuar relativisht shumë, kemi projekte konkrete që do të mundësojnë realizimin e një kthimi të qëndrueshëm, mbi të cilin ekziston pajtueshmëria. Ne do të vazhdojmë me këtë qasje, meqë është e suksesshme dhe ne nuk duhet të lejojmë disa kriminelë, ajo që ka ndodhur sot ishte akt kriminal, që të pengojnë një proces i cili është duke shkuar në drejtim të duhur dhe të veprojnë kundër faktit se situata e përgjithshme është duke u përmirësuar në mënyrë impresive. Ju e dini se dhuna ndëretnike këtë vit ka rënë në mënyrë dramatike dhe kjo qasje do të na mundësojë realizimin e procesit të kthimit të komuniteteve më të vogla etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka shprehur pakënaqësinë me faktin se përfaqësuesit kosovarë nuk kanë qenë të pranishëm në sesionin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit, duke thënë se Kosova ka të drejtë legjitime të marrë pjesë. Zoti Rexhepi ka thënë se nëse kjo i është bërë e mundur nënkryetarit të Qeverisë serbe, Nebojsha Çoviq, atëherë do të duhej të ishte e mundur edhe për përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Cilat janë arsyet e vërteta që kanë penguar, nëse mund të them kështu, këta përfaqësues të marrin pjesë?

MICHAEL STEINER
Në fakt, nuk kam arsye të reagoj ndaj një deklarate të cilën nuk e kamë parë. Vetëm mund të them se rregullat e Këshillit të Sigurimit përcaktohen nga anëtarët e këtij Këshilli. Anëtarët e këtij Këshilli duhet të arrijnë një konsensus kur bëhet fjalë për përbërjen e një delegacioni të UNMIKut dhe kjo çështje duhet të adresohet atje. Unë personalisht jam në favor të asaj që komuniteti ndërkombëtar të ketë mundësi të njihet me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme dhe gjithashtu mendoj se është mirë që këta përfaqësues të njihen për së afërmi me qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar. Por, për këtë çështje vendos Këshilli i Sigurimit, më konkretisht, pesë anëtarët e përhershëm të këtij Këshilli.
XS
SM
MD
LG