Ndërlidhjet

POPULLI I SADAMIT


FINANCIAL TIMES

Në vendin ku mbizotëron kulti i personalitetit, portretet e mëdha të Saddam Husseinit vërehen në çdo skaj të rrugës. Monumentet, xhamitë dhe pallatet e mbajnë emrin e tij. Një muaj pas kremtimit të 34 vjetorit të grusht shtetit që e solli në pushtet, Bagdadi është përplot pllakata me mbishkrimin “Iraku është Saddami, dhe Saddami është Iraku”.
Për regjimin, fatet e kombit dhe liderit të tij janë të gërshetuar. Me kërcënimet e fundit të Shteteve të Bashkuara, makineria partiake dëshiron që çdo irakien të ndjejë se nuk sulmohet një njeri i vetëm, por i tërë vendi.
Të gjitha mjetet e ideologjisë dhe çdo mënyrë propaganduese janë vënë në përdorim për të fituar mbështetjen. Në një xhami të Bagdadit, janë cituar edhe vargjet e profetit Muhamed për t’i cilësuar kërcënimet e Shteteve të Bashkuara me luftë, si komplot të cionistëve dhe amerikanëve për të kontrolluar naftën e arabëve dhe myslimanëve.
Mbetet të shihet nëse kjo propagandë do të përkrahet nga irakienët e varfëruar e të izoluar. Dyshimet më shumë shfaqen rreth asaj se çka do të mund të shpëtonte regjimin nga një sulm i vrullshëm ushtarak i Shteteve të Bashkuara. Por megjithate, fushata krijon tensionime. Kurdët e Irakut dhe Shiitët ndihen të tradhëtuar pas kryengritjes kundër regjimit që e bënë kah përfundimi i Luftës së Gjirit.
“Shtetet e Bashkuara pohojnë se duan ta ndryshojnë regjimin, por këtë e thonë gjithmonë, kurse njerëzit janë ata që vuajnë”, ka thënë një analist politik i Irakut.
Ndoshta përkundër deklarimeve për mosbindje dhe përgatitjeve publike për luftë, regjimi më në fund do t’u nënshtrohet kërkesave të Kombeve të Bashkuara, dhe do të pranojë inspektorët ndërkombëtarë për të verifikuar nëse Saddam Husseini i zhvillon armët për shkatërrim në masë.
“Irakienët e dijnë mirë kufirin deri ku mund të shkojnë, andaj llogararitë e gabuara mund t’ju kushtojnë shtrenjtë”, ka thënë një diplomat i Perëndimit. “Të gjithë u kanë thënë se koha po kalon, kurse disa tani thonë se është vonë që të kthehen inspektorët”.
Për të manovruar, Saddam Husseini e ndjek disponimin ndërkombëtar, përfshirë edhe dëgjimet në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Ai sikur përpiqet t’i strehojë ndjenjat e ekzagjeruara të liderëve arabë, të cilët, të frikësuar për ndikimin që lufta do të kishte në stabilitetin e vendeve të tyre, do të përpiqeshin të bindin Shtetet e Bashkuara për një zgjidhje diplomatike.
Ndërkohë, zyrtarët e Irakut dhe vetë presidenti, kategorikisht kanë mohuar se e vazhdojnë prodhimin e armëve për shkatërrim në masë. Por vëzhguesit sugjerojnë se kundërpërgjigja e Irakut me armë kimike apo biologjike, është ajo që më së shumti i brengos Shtetet e Bashkuara.
Nga ana tjetër zyrtarët e partisë Baas kanë shfaqur shqetësime se pas largimit të mundshëm të regjimit sekular, Iraku mund të shndërrohet në një shtet radikal islamik, që edhe më shumë do ta kërcënonte botën.
“Si të ndihen njerëzit të sigurtë kur Shtetet e Bashkuara atyre nuk u thonë asgjë për alternativën”, ka thënë një diplomat arab në Bagdad.
Vëzhguesit madje thonë se, edhe një sistem demokratik gjithëpërfshirës, si ai në Afganistan, vështirë që do të mbijetonte, duke marrë parasysh historinë e trazuar dhe përbërjen shumë etnike të Irakut.
Kjo i shkon për shtati edhe Saddam Husseinit, i cili dita ditës urdhëron ndërtimin e shtatoreve të mbretërve dhe sundimtarëve irakienë, për të bindur popullin e vet se civilizimi i një vendi nuk mund të veçohet nga personalitetet që e kanë udhëhequr atë.
XS
SM
MD
LG