Ndërlidhjet

logo-print

POLICËT KANË SHUMË PUNË NË KOSOVË


LOS ANGELES TIMES

Vërtet është vështirë të gjendet ndonjë prodhim legal në rrugët e kryeqytetit të Kosovës. Mu para stacionit të policisë shiten filmat më të reja në teknikën DVD, kurse fëmijët shesin cigare të trafikuara dhe kartela telefonike. Më pak të dukshme, por sipas zyrtarëve më shqetësuese janë kontrabandimi i naftës, trafikimi i femrave dhe korrupsioni në agjencitë e qeverisë, që e ndihmojnë lulzimin e tregtisë ilegale.
Disa zyrtarë ndërkombëtarë e kanë cilësuar kriminalitetin ekonomik si problemin më të madh në Kosovë. Me zvoglimin e sulmeve me prapavijë etnike, krimi i organizuar tani paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin e ardhmërisë në Kosovë.
“Ne kemi adoptuar një tolerancë zero për krimin dhe ky është prioriteti ynë kryesor”, ka thënë kryeadministratori Michael Steiner.
Dëshmitë për vështirësitë me të cilat përballen zbatuesit e ligjit shihen kudo. Madje edhe karburantet për ngrohje trafikohen me kamiona të mëdhej nëpër vendkalimet ilegale të kufirit.
Kuptohet se aktivitetet e këtilla nuk janë diçka e re në Ballkan, dhe Kosova nuk paraqet përjashtim. Problemi i këtillë i shqetëson edhe Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Por analistët thonë se autoritetet ndërkombëtare, të preokupuara me dhunën ndëretnike, ishin të ngathta në vendosjen e policisë ndërkombëtare apo të gjykatësve ndërkombëtarë.
“Kriminaliteti është kërcënimi kryesor i institucioneve të Kosovës”, thotë Daniel Server, drejtori për Iniciativë të Ballkanit nga Instituti Amerikan për Paqe në Uashington. “Kombet e Bashkuara duhet të veprojnë më shpejt. Pas tre viteve ata i kanë mekanizmat në vend, por kriminelët tani kanë lëshuar rrënjë”, thotë Server, për të shtuar se megjithate Kombet e Bashkuara kanë kryer një punë më të mirë në Kosovë për dallim nga Bosnja, ku duheshin 6 vjet për të çuar përpara procesin e reformave të gjykatave të korruptuara.
Zyrtarët e rendit ndeshen me një problem ironik. Krimi është një nga ndërmarrjet e rralla multietnike në Kosovë, ku shumica e shqiptarëve dhe serbëve nuk flasin mes veti.
“Problemi i krimit të organizuar nuk u vlerësua si duhet kur u vendos misioni ndërkombëtar në Kosovë”, ka thënë Anthony Richi, ish prokuror nga shteti federal Masachusetts. Numri i vrasjeve në vitin 1999 ishte i madh, dhe askush nuk i ndalonte transportet e naftës, thotë Richi.
Në mesin e shqiptarëve ekziston edhe një përbuzje ndaj disa pjesëtarëve të policisë ndërkombëtare. “Njerëzit u besojnë vetëm policëve shqiptarë dhe policëve amerikane që bashkëpunojnë me ne”, thotë Xhemajl Ademi, oficer i policisë nga Prishtina.
Një sukses i pjesërishëm i misionit të Kombeve të Bashkuara është shërbimi i doganave, ka thënë John Robertson, drejtor i inteligjencës dhe hetimeve në agjencinë. Të ardhurat nga doganat, që janë burimi kryesor për qeverinë, nga viti 2000 deri 2001 janë dyfishuar. Por Robertson thotë se oficerët e tij e kanë penguar trafikimin e vetëm një të katërtës së mallrave.
“Në mungesë të një ligji të qartë kundër krimit dhe vendeve të punës, ekonomia e zezë po bëhet ekonomia e vërtetë e Kosovës”, tha Ismail Kastrati, drejtor i Dhomës Ekonomike të Kosovës, sipas të cilit, rreth 70 % të biznesit kosovar nuk është krejtësisht i ligjshëm.
Nëse Kosova vetëqeveriset, patjetër do të duhet ta reduktojë kriminalitetin, ka thënë Steiner. Kryeministri Bajram Rexhepi është ithtar i flaktë i masave më agresive kundër trafikimit, dhe ka indicie se opinioni e mbështet qëndrimin e tij.

XS
SM
MD
LG