Ndërlidhjet

logo-print

MINISTRI I RI TURKER: NDONËSE ZGJEDHJET PO AFROHEN, NUK DO TË PRAKTIKOJMË EKONOMI ELEKTORALE


Duke u dhënë fund spekulimeve rreth ardhmërisë së tij në kabinetin e kryeministrit Bulent Exhevit, ministri i shtetit të Turqisë dhe ministër i ekonomisë, Kemal Dervish dha dorëheqje, me zotimin se do të punojë për bashkimin e fragmentarizmit politik të vendit.

Ish drejtori i Bankës Botërore, 53 vjeçari Dervish, u
kthye në vend në mars të vitit 2001 për të marrë në
duar frerët e ekonomisë. Exheviti e zëvendësoi atë me
kontabilistin 51 vjeçar, Masum Turker, i cili
përballet me detyrë të rëndë për të shpëtuar Turqinë
nga kriza më e keqe ekonomike prej vitit 1945.
Analistët mendojnë se ministri i ri do të ketë ndikim
të kufizuar mbi reformat që synojnë ndalimin e
recesionit 18 muajsh me ndihmën e 16 miliardë
dollarëve nga Fondi Ndërkombëtar Monetar.
Dervish dha dorëheqje 24 orë pas qortimeve nga
kryeministri që të pushoj së agjituari për partitë
rivale politike. “Kryeministri më tha se nuk është e drejtë që unë të vazhdoj të shërbej në qeveri, krahas aktiviteteve politike që i zhvilloja. Nisur nga situata dhe nga mendimi i kryeministrit, vendosa të jap dorëheqjen” - tha Dervish.

Vendimi i Dervishit u dha fund javëve të konfrontimeve
latente me kryeministrin Exhevit, partia e të cilit ra
në vendin e katërt në parlament pas largimit të 65
deputetëve. Kjo ishte përpjekja e dytë e tij për të
lëshuar kabinetin qeveritar. Dorëheqjen e parë e
revokoi me kërkesën e presidentit Ahmet Nexhdet Sezer.
Analistët besojnë se Dervish do të jetë faktor me
rëndësi në grupimin e ri politik të njohur me emrin
“Turqia e Re”, që e formuan ish ministrat Ismail Xhem
dhe Husametin Ozkan.
Dervish, i cili tha se zemra e tij mbetet në qendrën e
majtë, u zotua se do të hyjë në një lëvizje politike,
e cila mund të gjenerojë zgjidhje ekonomike për
Turqinë. “Do të punoj për krijimin e një alternative nga ato ekzistuese, që do t’i pasqyroj njohuritë moderne dhe
liberale, të cilat një ditë vertetë mund të vijnë në
Turqi në pushtet” - tha Dervish, për të mos përmendur
ndonjë parti specifike, të cilës do t’i bashkangjitej.

Ndërkohë, tregjet tradicionalisht të ndieshme të
Turqisë reaguan qetë ndaj dorëheqjes së tij.
Nga ana tjetër, ministri i sapoemëruar i ekonomisë
Turker u angazhua për jetësimin e projektit të
mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe tha se
marrëdhëniet e Ankarasë me Fondin nuk do të
ndryshojnë. “Ne jemi përcaktuar të vazhdojmë implementimin e programit pa kurrfarë lëshimi. Ky është opcioni ynë i vetëm politik. Ndonëse zgjedhjet afrohen, nuk do të praktikojmë ekonomi elektorale” - tha Turker.

Në përpjekjen për të siguruar investitorët dhe
votuesit, kryeministri Exhevit tha se pret që ministri
i ri i ekonomisë do të përqendrohet në rritjen e
prodhimtarisë së vendit dhe shpërndarjen e drejtë të
të ardhurave të 68 milionë banorëve të Turqisë.
XS
SM
MD
LG