Ndërlidhjet

logo-print

PATRICK MOORE: ËSHTË E DOMOSDOSHME TË VAZHDOJ PROCEDURA LIDHUR ME KËTO AKUZA NË GJYQ


"Të gjithë e dimë se ishte një luftë që kishte një agresor dhe një viktimë. Frikësohem se edhe në rastin e Kosovës ne duhet të shohim se çka kishin bërë individët dhe nëse del se ata kanë bërë diçka që është në kundërshtim me ligjin - ata duhet të përgjigjen për këtë" - thotë, pos tjerash, analisti i Radios "Evropa e Lirë", Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo javë në Kosovë u karakterizua me disa arrestime. Ndër të arrestuarit ishte edhe pjesëtari i njohur i ish UÇK-së, Rrustem Mustafa. Poashtu edhe kundër liderit të dikurshëm të ish UÇK-së, Ramush Haradinaj u ngrit aktakuzë formale, për, siç thuhet “rrezikim të sigurisë publike”. Demonstruesit në komunën e Podujevës thanë se “nuk do të ketë paqe, përdersia Unmiku nuk e ndal këtë fushatë kundër luftëtarëve tanë të lirisë”. Si i vlerësoni ju këto zhvillime të fundit?

PATRICK MOORE
Ne besojmë se e ardhmja e Kosovës do të varet nga aftësia e kosovarëve që të tregojnë se ata mund ti udhëheqin punët e tyre…Një nga aspektet e kësaj çështjeje do të duhet të jetë mbizotërimi i ligjit të së drejtës. Pra, kemi akuza nga autopritetet juridike dhe tash është e domosdoshme që të vazhdoj procedura lidhur me këto akuza në gjyq. Kur kjo të bëhet… nëpërmjet gjyqit e jo në rrugë, atëherë do të jemi në gjendje ti kthehemi jetës normale. Të gjithë e dimë se ishte një luftë që kishte një agresor dhe një viktimë. Frikësohem se edhe në rastin e Kosovës ne duhet të shohim se çka kishin bërë individët dhe nëse del se ata kanë bërë diçka që është në kundërshtim me ligjin - ata duhet të përgjigjen për këtë. Më duhet të them se më duket interesante se konkretisht janë akuzuar liderë eminentë shqiptarë dhe se në lidhje me këtë ne mund të parashtrojmë disa pyetje… Por, akuzat janë bërë dhe në shtetin e bazuar në ligjin e së drejtës procedura juridike duhet të vazhdoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, policia ndërkombëtare dështoi në përpjekjet e saj për ta kapur liderin serb në pjesën veriore të Mitrovicës, zotin Ivanoviq. Si e shpjegoni ju tërë këtë situatë duke pasur parasysh këtë dështim?

PATRICK MOORE
Unë nuk mund ta shpjegoj këtë dhe do të doja shumë që të dëgjoja shpjegime nga Kfori dhe Unmiku, që u morën me këtë dhe nuk ia dolën ta kapin këtë person. Kemi të bëjmë me një njeri që është i akuzuar për disa çështje serioze. Të gjithë e dimë se me kë është i lidhur ai, kush bashkëpunon me atë në Mitrovicë dhe të gjithë i kemi idetë tona se cilët janë shokët e tij në Beograd… Më duhet të veçoj këtu, se shumë serioze ishin akuzat e bëra nga përfaqësuesit e tri partive kryesore të Kosovës. Atë ditë, kur ndodhi kjo shfaqje teatrale, që sypozohej se kishte për qëllim arrestimin e zotit Ivanoviq, ai ishte në spitalin e tij, ku është drejtor, dhe gazetarëve u jepte intervista me telefon. Më vjen keq, por kam më shumë pyetje lidhur me këtë çështje… Më duket se edhe këto përpjekje për arrestimin e tij nuk ishin serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Një zëdhënës i policisë maqedonase ka thënë se në mesin e gjashtë të akuzuarve të hënën në Kosovë, ishte edhe politikani shqiptar, Nevzat Halili. Zyrtarë të Kforit kanë refuzuar ta përgënjeshtrojnë ose ta konfirmojnë këtë lajm. Zoti Halili ishte i akuzuar nga autoritetet maqedonase si anëtar i një grupi të ri të armatosur shqiptar. Nga këndvështrimi juaj, a ka ndonjë mundësi që në të gjitha këto ngjarje të gjendjet ndonjë lidhshmëri?

PATRICK MOORE
Unë me të vërtetë nuk i marrë veçanërisht serioze komentet e policisë së Maqedonisë. Thuhet se kemi të bëjmë me një grup të armatosur, që është i lidhur me një parti politike, se kanë një strukturë politike…Meqë jemi para zgjedhjeve të 15 Shtatorit, mendoj se të gjithë e kanë të qartë se çka do të thotë kjo…Ajo që unë do të veçoja është e dhëna se zoti Trajkovski, që nuk i preferon shumë njerëzit që udhëheqin policinë e Maqedonisë, të mërkurën kumtoi se arrestimi i zotit Halili është gjë e vërtetë dhe se kjo ishte një goditje e madhe kundër terrorizmit dhe kundër krimit. Tash, sipas disa informatave të mia, duket se zoti Halili është në mesin e të arrestuarve. Siç thamë, në hapësirat në të cilat po përpiqemi të vendosim një sistem të ligjit të së drejtës, sikur në Kosovë dhe në maqedoni, duhet të shohim se çka po del nga autoritetet juridike e jo nga shtypi dhe nga kafenet. Nuk duhet të ngutemi dhe të japim ndonjë konkludim të shpejtë. Të shohim se çka do të thotë Kfori…kush i arrestoi ata dhe pse.
XS
SM
MD
LG