Ndërlidhjet

logo-print

NJË SFIDË PËR OPOZITËN SHQIPTARE


Lutfi Dervishi, Tiranë Partia më e madhe e opozitës në Shqipëri pritet që të marrë drejtimin e një institucioni kyç siç është ai i Kontrollit të Lartë të Shtetit duke shënuar kështu, për herë të parë, përfshirjen reale të opozitës në institucionet e larta të shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pritet të kthehet në Gjykatë Llogarie, është institucion kushtetues që merret me kontrollin e shpenzimeve të buxhetit të shtetit, të ligjshmërisë, propozon masa për gjobitjen, shkarkimin dhe fillimin e hetimeve ndaj zyrtarëve që kanë abuzuar me ligjin.

Duke kaluar në duart e opozitës plotësohet edhe një nga premtimet elektorale të partisë në pushtet për një transparencë më të madhe ndaj votuesve në përdorimin e fondeve publike dhe minimizohet mundësia për abuzim me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe atyre evropianë.
Me kalimin e një institucioni kontrolli në duart e
opozitës, mund të thuhet se mbyllet edhe kapitulli i
luftës politike tradicionale ku “fituesi i merr të
gjitha dhe humbësi humbet gjithçka” - një traditë që
nxiti egërsinë në luftën politike dhe ndikoi, në
njëfarë mase, në prishjen e procesve zgjedhore.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1997, në
kohën kur vendi ishte pranë një anarkie totale dhe kur
partitë politike e shikonin njëra – tjetrën më tepër si
armike sesa si kundërshtare politike, San Edixhio, një
komunitet fetar që ka ndërmjetësuar në konflikte të
ndryshme në Ballkan, arriti të bindë aktorët e forcave
kryesore politike për të nënshkruar një marrëveshje,
për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve nëse ato do të
njiheshin nga komuniteti ndërkombëtar dhe kalimin e
Kontrollit të Shtetit dhe kryesimin e disa komisioneve
parlamentare në duart e opozitës. Por, marrëveshja
mbeti në letër dhe duket se do të fillojë të
sendërtohet vetëm pas pesë vjetësh. Pas marrëveshjes
për zgjedhjen e presidentit konsensual duket se forcat
politike do të vazhdojnë bashkëpunimin për atë që
është quajtur reformë institucionale dhe do të jenë në
një mendje për çështje të tilla kapitale si integrimi
në BE dhe strukturat evroatlantike dhe politikën e
jashtme të vendit në rajon.

Me propozimin për të hequr dorë nga kontrolli i një
institucioni tejet të rëndësishëm, pozita e ka kaluar topin në oborrin e opozitës. Një nga problemet më të mëdha me të cilat ndeshet aktualisht vendi është korrupsioni në të gjitha nivelet e administratës. Tani opozita ka
mundësinë të japë kontributin e vet maksimal. Por më
parë duhet filluar me ndërtimin e institucionit. Një
shembull poozitiv në këtë drejtim është kryetari i Bashkisë së kryeqytetit. Pas 10 vjetësh nën kontrollin e
demokratëve, socialistët arritën të fitojnë në
zgjedhjet e fundit lokale. Por, ndryshe nga tradita ku
partia fituese rekomandon emërimet që nga portieri
deri në nivelin e drejtorëve, kryetari i Bashkisë
ndërtoi një administratë të bazuar mbi meritokracinë duke shënuar rastin e vetëm të ndërtimit të institucionit
jashtë urdhërave, ndikimit apo presionit partiak.
Duke parë prononcimet në shtypin e ditës të
kandidatëve të mundëshmë të opozitës dhe atmosferën në Partinë Demokratike ekziston frika se institucioni mund të shihet më tepër si mundësi për punësim se si rast për të treguar përgjegjësi në udhëheqje.

Përveç integrimit të opozitës brenda sistemit, ndarjes
së përgjegjësisë së qeverisjes dhe zbutjes së luftës
politike, në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një test
se si do të qeverisë nesër opozita nëse fiton
zgjedhjet.
XS
SM
MD
LG