Ndërlidhjet

KOSOVA KA NEVOJË PËR QORTIM


WASHINGTON POST

Me vazhdimin e luftës kundër terrorizmit në Afganistan dhe përgatitjeve ushtarake për konfliktin e mundshëm kundër Irakut, vjen në shprehje angazhimi gjithnjë e më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara. Kjo e parashtron nevojën për gjetjen e një strategjie të zbatueshme dalëse për forcat amerikane nga Ballkani, e sidomos nga Kosova, si rast më urgjent.
Mbështetur në misionin e fundit për gjetjen e fakteve në rajon, skicimet e përgjithshme për strategjinë e tërheqjes nga Kosova janë të qarta, por çështja më e rëndësishme me të cilat përballen Kombet e Bashkuara, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara, qëndron në mundësinë që lidershipit shqiptar të Kosovës t’i jepej një udhërrëfim i qartë se ajo duhet të sigurohet që një Kosovë e pavarur të bëhet një shtet me përgjegjësi, e jo një burim i përhershëm i jostabilitetit në Evropën Juglindore.
Përkundër normalizimit të përciptë të gjendjes në Kosovë, një shikim nën sipërfaqen do të tregojë se administrata e Kombeve të Bashkuara përballet me probleme të pazgjidhura. Marrëdhëniet aktuale të parlamentit të Kosovës dhe administratës së Kombeve të Bashkuara, janë rast i veçantë. Ajo që me eufemizëm quhet sistem gjyqësor është pllakosur nga korrupsioni, kështu që gjykatësit ndërkombëtarë duhet sjellur për t’u marrë me një numër të madh të rasteve, infrastruktura komunale dhe shërbimet e përgjithshme mezi funksionojnë, kurse madje as fraksionet e ndryshme të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës vështirë se gjejnë ndonjë gjuhë të përbashkët ndërmjet tyre.
Sulmet ndaj minoriteteve vazhdojnë me përmasa alarmante, që shpjegon përse vetëm më pak se 200 persona nga 230 mijë banorët jo-shqiptarë janë kthyer në shtëpitë e veta.
Nga liderët shqiptarë të Kosovës, dëgjohet se pavarësia do të ishte zgjidhja për të gjitha fatkeqësitë në Kosovë. Megjithate, lidershipi i shqiptarëve të Kosovës, më shumë kohë duhet të shpenzojë për vendosjen e themeleve të një Kosove demokratike, dhe më pak kohë për arritjen e pavarësisë së Kosovës.
Ndërtimi i një Kosove demokratike gjithsesi do të kërkonte edhe përpjekje të rëndësishme ndërkombëtare, e veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’ua ngulitur lidershipit të shqiptarëve të Kosovës, nevojën për reformimin e qeverisë dhe shoqërisë së Kosovës.
Progresi mund të arrihet në tre fusha.
E para është goditja e krimit dhe korrupsionit. Prej rënies së Sllobodan Millosheviqit, zyrtarët ndërkombëtarë kanë pohuar se kërcënimi më i madh që përballet Ballkani, tani vjen nga bandat e krimit të organizuar, të cilat kanë krijuar një kauzë të përbashkët me ish shërbimet komuniste të sigurisë dhe grupet paramilitare. Ky kërcënim sidomos është akut në Kosovë. Në tre vitet e kaluara, Kosova u bë kryeqendra evropiane për trafikimin e njerëzve, dhe pika më e rëndësishme për tranzitimin e drogës në kontinentin. Nëse udhëheqësia e shqiptarëve të Kosovës dëshiron që kërkesat e saj për pavarësi të merren seriozisht, atëherë duhet të fillojë një luftë serioze kundër krimit të organizuar dhe duhet të fillojë zbatimin e ligjit.
Fusha e dytë është sigurimi i të drejtave njerëzore dhe qytetare për minoritetet jo-shqiptare. Zyrtarët ndërkombëtarë duhet ta bindin lidershipin shqiptar të Kosovës se përndjekjet e vazhdueshme të jo-shqiptarëve, e veçanërisht ndaj serbëve, duhet të ndërpriten. Përveç që ia pamundëson Kosovës të hyjë në organizatat, si Këshilli i Evropës, kjo gjithashtu i forcon edhe radikalët në Beograd, të cilët refuzojnë çfarëdo kompromisi rreth Kosovës.
Fusha e tretë është shtypja e ekstremistëve që synojnë të provokojnë një konflikt në Maqedoni apo Serbinë jugore. Lidershipi i vendit duhet ta kuptojë se nëse Kosovës i jepet pavarësia, ajo duhet të dëshmojë se nuk do të jetë burim i sulmeve të përhershme ndaj shteteve të brishta fqinje.
Diskutimi për statusin final të Kosovës është i pakuptimtë pa një progres të rëndësishëm e të vazhdueshëm në këto tre fusha. Asnjë nga vendet fqinje, me përjashtimin e mundshëm të Shqipërisë, nuk do do ta pranonte pavarësinë e Kosovës.
Por, nëse liderët e Kosovës do të tregojnë se munden seriozisht t’i godasin këto tri probleme, atëherë rezistenca e shteteve tjera ndaj pavarësisë së saj, dukshëm do të reduktohej.
Një entitet stabil dhe demokratik do të ishte diçka, nga e cila Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin me përgjegjësi, dhe resurset e tyre ushtarake do t'ua përkushtonin krizave tjera tjera në rritje anembanë botës.
XS
SM
MD
LG