Ndërlidhjet

KOSOVARËT THONË SE SISTEMI GJYQËSOR NUK ËSHTË I DREJTË


INSTITUTE FOR WAR & PEACE REPORTING

Kosova është drejtpërdrejt e prekur nga prioritetet e reja të komunitetit ndërkombëtar pas 11 shtatorit. Amerikanët kanë nisur një konflikt të gjatë jo vetëm kundër terrorizmit, por gjithashtu edhe kundër botës jodemokratike që e gjeneron atë.
Lufta kundër terrorit filloi të zhvillohet edhe këtu, me arrestimin e fundit që KFOR-i u bëri 6 personave, të akuzuar për pjesëmarrje në organizatën ilegale Armata Republikane e Iliridës.
Paraprakisht, KFOR-i u referohej të rinjve aventurierë, që ishin ndërlidhur në aktivitetet ndërkufitare me Maqedoninë, por nuk mendohej që këta të jenë anëtarë të ndonjë organizate serioze.
Arrestimet janë bërë për të parandaluar ndonjë problem potencial që kjo organizatë e shpartalluar do të mundej të krijojë në Maqedoninë e brishtë.
Zgjedhjet atje janë caktuar për shtator, kështu që teoria fiton në besueshmëri. Nacionalistët maqedonas mund të eksploatojnë çfarëdo incidenti për të nxitur një valë të re nacionalizmi, dhe kështu ta nxjerrin nga binarët njërin nga sukseset më të mëdha të Bashkimit Evropian në zgjidhjen e konflikteve madhore.
Arrestimet e fundit janë pjesë e pozicionit të tolerancës zero pas 11 shtatorit kundër grupeve të armatosura, që qëllimet politike synojnë t’i arrijnë përmes forcës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë të Perëndimit shohin se krizat aktuale në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore do të kërkojnë investime të mëdha politike, ushtarake dhe ekonomike në të ardhmen. Prandaj Ballkani duhet të mbetet stabil.
Arrestimi i ish komandantit të UÇK-së Rrustem Mustafës, iniciativa më e re për stabilizimin e Mitrovicës, dhe përpjekjet për shpërndarjen e strukturave paralele serbe në rajon, mund të shihen në këtë kontekst.
Nisur nga prioritetet pas 11 shtatorit, fuqitë e perëndimit gjithashtu duhet të hartojnë edhe agjendën për daljen nga rajoni. Ndonëse data për largimin përfundimtar nuk është caktuar, dy apo tre vite duket të jenë të arsyeshme.
UNMIK-u dhe KFOR-i duhet sa më shpejtë të vendosin institucione të qëndrueshme, dhe t’ua transmetojnë kompetencat brenda kësaj strategjie dalëse. Gjithashtu duhet çrrënjosur elementet që mund ta destabilizojnë situatën, si të dyshuarit për krime të luftës, dhe ata që organizojnë dhe udhëheqin struktura paralele apo grupe të krimit të organizuar.
Duhet krijuar klimë më të favorshme politike rreth marrëdhënieve ndëretnike, e nevojshme për bisedimet rreth statusit në të ardhmen.
Por, procesi i krijimit dhe funksionimit të shtetit përballet me probleme. Rasti i Remit në veçanti tregon për vështirësitë me të cilat përballet njëra nga shtyllat kyçe-sistemi gjyqësor i Kosovës.
UNMIK-u ka arrestuar persona të akuzuar për krime serioze dhe një kohë të gjatë i ka mbajtur në paraburgim, që më pas t’i lirojë për mungesë të dëshmive. Kjo mund të shihet si gabim, por meqë ka ndodhur disa herë, shumica thonë se procesi gjyqësor është politizuar dhe drejtuar kundër shqiptarëve.
Mbi 60 ish luftëtarë të UÇK-së janë arrestuar për më pak se një vit, por megjithate, Millan Ivanoviç, lideri i rojeve famoze të urës në Mitrovicë i është shmangur arrestimit, dhe njëkohësisht i ka përçmuar Kombet e Bashkuara kur lirisht u kthye në qytet për të mbajtur konferencë shtypi.
Është evidente se sistemi gjyqësor në Kosovë është etnikisht selektiv, nuk është real dhe jo vetëm për këtë arsye.
Në demokracitë liberale, gjyqet dhe prokuroritë janë të pavarura dhe funksionojnë brenda sistemit të organizuar, që prioritetet i ka të caktuara nga debati shoqëror. Në Kosovë, gjykatat janë plotësuar nga ndërkombëtarët, me kontrata afatshkurtëra, dhe operojnë në bazë të shërbimeve të inteligjencës të udhëhequra nga perëndimi.
Derisa tre vite shkuan për ndërtimin e një sistemi ndërkombëtar të drejtësisë, shumë pak kohë u shpenzua për ndërtimin e një sistemi lokal.
Kryeadministratori Michael Steiner së voni caktoi një ekspert për sektorin e energjetikës, duke ilustruar se sa pak fuqi është investuar në qeverinë e zgjedhur të Kosovës.
Nëse zhvillimet në parlamentin e Kosovës vazhdojnë si tani, do të duhen dekada për të themeluar një sistem gjyqësor dhe kushtetues që do t’i përgjigjej vendit, shumë më gjatë se sa pandehet për zhvillimet në Kabul apo Bagdad.
XS
SM
MD
LG