Ndërlidhjet

NJË ARMIK, DY TABORRE


WASHINGTON POST

Argumentet se, çfarë duhet bërë rreth Saddam Hussenit kanë kristalizuar dy taborre. Njëra palë nuk sheh alternativë tjetër pos luftës, dhe beson se është më mirë të shkohet vetë se sa me ndërtimin e koalicionit.
Pala tjetër nuk është kundër luftës, por insiston që Shtetet e Bashkuara të ndërtojnë koalicion të gjerë ndërkombëtar, dhe me këtë t’u japin edhe një shansë inspektorëve.
Kjo nuk don të thotë se vendi ballafaqohet me dilemën për aksion unilateral apo për të mos ndërmarrë asgjë. Nuk ka dilema nëse Saddam Husseini paraqet kërcënim. Çështja është se cila rrugë do ta ndalë atë.
Këtë javë, dy zyrtarë të lartë morën guximin të flasin haptas për luftën, madje edhe të njëanshme po e deshi nevoja.
Nënpresidenti Dick Cheney të hënën ua radhiti veteranëve të luftës argumentet. Cheney veçanërisht e hodhi poshtë çdo përpjekje për rikthimin e inspektorëve në Irak. “Saddami e ka përsosur lojën e maces dhe miut, dhe është shumë i shkathët në hile dhe mashtrime. Edhe pas kthimit të inspektorëve, Saddami do ta vazhdonte avazin e vjetër”, ka thënë Cheney.
Edhe sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld ka deklaruar se administrata ndoshta nuk do të presë mbështetje nga aleatët për të filluar sulmin.
“Më e rëndësishmja është ta sjellim vendimin e drejtë, madje edhe po të dukemi të vetmuar, se sa ta kemi unitetin. Lidershipi në kahje të drejtë do të gjejë ithtarë dhe mbështetës”, ka thënë Rumsfeld.
Por kjo ndonjëherë ndihmon që ithtarët dhe mbështetësit të gjenden para kohe. Kështu kanë sugjeruar ish sekretari i shtetit, James Baker dhe ish ambasadori në Kombet e Bashkuara Richard Hoolbrooke.
Baker ka insistuar se “mënyra e vetme realiste për të ndikuar në ndryshimin e regjimit në Irak do të ishte përmes përdorimit të forcës ushtarake.
Në një shkrim në New York Times, Baker ka kërkuar miratimin e një rezolute nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës “Iraku duhet gjithmonë t’i pranojë inspektorët, pa kurrfarë përjashtimi”.
“Një rezolutë e këtillë do t’u ndihmonte Shteteve të Bashkuara të kenë të drejtë morale. Nëqoftëse Saddami do ta vazhdonte edhe më tej lojën e maces dhe miut, atëherë ne do të mund të përdornim çfarëdo mjeti për ta ndryshuar regjimin”, ka thënë Baker.
Hollbrook ndërkaq ka kërkuar që inspektorët të mund të shkojnë gjithkund dhe kurdoherë, me vërejtjen se fushata kundër Saddamit nuk mund të fitohet pa aleatë.
Për arsye praktike, presidenti Bush mund të punojë rreth pozicioneve të Bakerit dhe Hollbrookut. Kjo do t’i ndihmonte administratës ta fitojë mbështetjen e evropianëve skeptikë dhe amerikanëve që hezitojnë, meqë pozicioni Baker-Hoolbrooke duket më i moderuar se linja e fortë Cheney-Rumsfeld.
Ata që e kundërshtojnë autorizimin nga Kombet e Bashkuara, druajnë nga kritikat që do të vinin nga Rusia, Kina, e ndoshta edhe nga Franca dhe Gjermania. Nëse arrihet dakordimi për inspektorët dhe Saddami kundërshton, atëherë kjo mund të jetë shkas edhe më i madh për luftë.
Presidenti thotë se nuk ka nevojë të sjellë vendim të shpejtë rreth Irakut. Atëherë, përse të mos bëhet një përpjekje, që edhe në rast lufte, Shtetet e Bashkuara të mos jenë të vetmuara.
XS
SM
MD
LG