Ndërlidhjet

DËSHMITARI: PASTRIMI I TERRENIT NË KOSOVË ËSHTË KUPTUAR SI LARGIM I KUFOMAVE TË SHQIPTARËVE.


Augustin Palokaj, Hagë

Zyrtari i Shërbimit Shtetëror të Serbisë, Zoran Stijoviq, ka dëshmuar sot në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit të Hagës. Dëshmitari Stijoviç ka folur për një deklaratë të ish shefit të shërbimit sekret serb Radomir Markoviq, e cila është paraqitur si provë materiale në këtë proces. Vetë Markoviq, gjatë dëshmisë së tij kohë më parë, ka thënë se nuk e ka lexuar këtë deklaratë para se ta nënshkruaj dhe se atë deklaratë e kishte dhënë nën presion gjatë kohës që ka qenë në burg. Mirëpo zoti Stijoviq, në dëshminë e tij sot, përgënjeshtroi fjalët e Markoviqit duke thënë se ndaj tij nuk ka bërë asnjë lloj presioni. Stijoviqi ka qenë inspektori policor që në këtë rast ka marë në pyetje Markoviqin dhe ka formuluar një deklaratë, të cilën ky i fundit e ka nënshkruar dhe ajo i është dorëzuar Tribunalit të Hagës.

“Unë nuk kam ardhur këtu që të dëshmoj vullnetarisht. Kam ardhur me urdhër të qeverisë sime dhe jam nën betim kështu që po flas vetëm të vërtetën”- ka thënë Stijoviq. Sipas tij Markoviqi kishte dëgjuar nga Vllajko Stojilkoviq, ministri i atëhershëm i punëve të brendshme të Serbisë, se vetë Millosheviqi ka thënë në një takim, se duhet bërë pastrimi i terrenit në Kosovë, që është kuptuar si largim i kufomave të shqiptarëve.

Pas dëshmisë së Zoran Stijoviqit dëshmoi hetuesi i Tribunalit të Hagës, Xhorxh Drilic, i cili foli për rezultatet e eks-humimeve që janë bërë në varrezat masive në Krushë dhe Lugishtë të Komunës së Prizrenit. Ky dëshmitar është duke folur edhe për rezultatet e hetimeve që ka bërë një institut spanjoll, i cili ka zbuluar se në mesin e kufomave të gjetura në varrezat masive në Batajnicë afër Beogradit, janë edhe eshtrat e disa viktimave të masakrës së Suharekës. Dëshmia e zotit Drilic do të vazhdoj edhe gjatë ditës së nesërme. Po ashtu sot është dashur të fillojë dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur me numrin e koduar K.41, mirëpo për shkaqe teknike ajo është shtyrë për më vonë. Gjatë ditës së sotme është provuar disa herë që përmes video lidhjes të mbahet kjo dëshmi, por dëshmitari ia vetëm të japë betimin solemn se do të flasë të vërtetën. Pas kësaj ka patur probleme teknike për shkak të të cilave edhe është shtyrë kjo dëshmi. Gjithashtu prokuroria ka paralajmëruar se kanë mbetur edhe vetëm tre dëshmitarë për të dëshmuar për rastet e krimeve në Kosovë. Pritet që të hënën ose të martën e javës së ardhshme, të përfundoj faza e nxjerrjes së provave për krimet në Kosovë, për të filluar dy javë më pas me rastet e Kroacisë dhe të Bosnjë Hercegovinës.
XS
SM
MD
LG