Ndërlidhjet

11 SHTATORI: DITA ME PËRPLOT NGJARJE TË PAHARRUESHME


BRUCE JACOBS Shumica thonë se bota kurrë më nuk do të jetë e njëjtë. Në 11 shtator, sulmet e koordinuara terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, u kryen nga 19 rrëmbyes të rrjetit terrorist Al Kaida të Osama bin Ladenit. Mbi 3 mijë njerëz nga mbi 80 vende u vranë në sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndaj Pentagonit në Uashington dhe gjatë rrëmbimit të dështuar të aeroplanit në Pensilvani. Nga gërmadhat, lindi “lufta” globale kundër terrorizmit. Në Afganistan, nikoqirët e Al Kaidës u përmbysën, por lufta atje shkaktoi shumë viktima, ndërsa përpjekjet për shkatërrimin e mbeturinave të rrjetit Al Kaida ende vazhdojnë.

11 shtatori i vitit 2001 në Nju Jork agoi duke premtuar kohë të kthjellët dhe të ngrohtë. Banorët e Nju Jorkut e kishin filluar punën dhe votimet për kryebashkiakun e qytetit.
Por në orën 8:45 të mëngjesit, një dritë edhe një zhurmë e papritur e prishën qetësinë. Aeroplani i udhëtarëve Boeing 757 fluturoi shumë ulët, mbi rrokaqiejt e qytetit. Zhurma e motorëve reaktivë i bëri njerëzit të ngrejnë kokën lartë.
Ata e panë aeroplanin që vinte nga Bostoni dhe fluturonte në drejtim të kullës jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë, 415 metra e lartë. Autoritetet besojnë se Mohamed Atta, lideri i dyshuar i rrëmbyesve e kishte marrë kontrollin ndaj aeroplanit, bashkë me 4 shoqërues të tjerë. Në aeroplan gjendeshin 94 pasagjerë.
Aeroplani u përplas në katin e 94 dhe të ndërtesës 110 katëshe, duke e mbushur atë me mijëra litra karburante.
Disa çaste më vonë, CNN i transmetonte pamjet nga kulla që digjej:
“Kjo është ajo. Po ndiqni pamje shqetësuese. Është Qendra Botërore e Tregtisë, dhe kemi raporte të pakonfirmuara se një aeroplan është përplasur në të”, raportonte CNN.
Pamjet ishin të tmerrshme. Policia dhe zjarrfikësit e Nju Jorkut shpejtuan të ndihmojnë. Rrugët ishin përplot makina të ambulancës dhe ekipe televizive.
Aeroplani i dytë që e goditi kullën tjetër, ishte me 53 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, dhe besohet të jetë rrëmbyer nga 5 vetë.
Në Sarasota të Floridës, presidenti George Bush gjendej në një shkollë fillore. Për goditjen e aeroplanit të parë mendohej se është fatkeqësi, dhe vizita në shkollë vazhdoi.
Pak çaste më vonë, i thanë se është sulmuar Amerika. Para largimit nga shkolla, Bush e dha deklaratën e parë:
“Kam folur me nën-presidentin, me guvernatorin e Nju Jorkut, drejtorin e FBI-së, dhe u kam urdhëruar t’u ndihmojnë viktimave dhe të ndërmarrin hetime të plota, për të gjetur autorët e veprave. Terrorizmi nuk do ta mundë popullin tonë”, tha Bush.
Në 9:43, aeroplani me 63 pasagjerë dhe ekuipazhin, i rrëmbyer nga 5 vetë, u përplas mbi Pentagon. Gjithsejt u vranë 125 njerëz.
Në Nju Jork, tymi, zjarri i madh dhe temperatura prej 1.100 shkallë i lanë njerëzit të ngujuar në kullat.
“Njerëzit hidhen nga dritaret. Është e tmerrshme, nuk më besohet”, tha një dëshmitar.
Në 10:05, kulla jugore kollapsoi. Temperaturat e larta e shkatërruan strukturën e çelikut.
Pesë minuta më vonë, në Pensilvani u rrëzua edhe aeroplani tjetër i rrëmbyer, me 38 pasagjerë.
Nuk ishte e qartë nëse sulmet terroriste do të vazhdonin. Presidenti Bush tha se qeveria ndërmerr hapa të duhur për të mbrojtur popullin amerikan: “Ushtria jonë në vend dhe botë është vënë në gjendje të lartë gatishmërie, dhe kemi ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për të vazhduar funksionimin e qeverisë”, tha Bush.
Liderët botërorë shprehën ngushëllime dhe mbështetje. Bush tha se presidenti rus Vladimir Putin ishte lideri i parë që e thirri pas sulmeve: “Kjo që ndodhi e thekson rëndësinë e propozimit rus për ti bashkuar forcat në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit”, tha Putin.
Kancelari gjerman iu bashkangjit ndjenjave të liderëve evropianë: “Kjo është shpallje lufte kundër tërë botës së qytetëruar”, tha Gerhard Schroeder.
Anëtarët e Kongresit, demokratë e republikanë, u mblodhën para Kapitoll Hillit, dhe u zotuan në unitet për të luftuar autorët e sulmeve.
Vetëm disa orë pas sulmeve terroriste, në qeverinë amerikane dhe mediat filloi të flitej se sulmet janë vepër e rrjetit terrorist Al Kaida.
Në orën 9 të mbrëmjes, presidenti Bush iu drejtua kombit: “Këto akte të vrasjeve masive kishin për qëllim të frikësojnë kombin tonë. Por, kanë dështuar. Vendi ynë është i fortë. Sulmet terroriste mund ti lëkundin themelet e pallateve tona më të larta, por jo edhe themelet e Amerikës. Këto akte e shkatërruan çelikun, por jo edhe vendosmërinë e Amerikës”, tha presidenti George Bush.
XS
SM
MD
LG