Ndërlidhjet

DILEMA: TË VEPROHEJ PA KËSHILLIN E SIGURIMIT OSE TË MOS VEPROHEJ FARE


Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara dhe i dërguar për Ballkanin, Richard Holbrooke shkruan se “Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përpiqen ta arrijnë një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit para se të nisen për në Irak. Në një tekst autorial në numrin e sotëm të së përditshmes Washington Post ai bën edhe krahasime me zhvillimet lidhur me Kosovën në periudhën 1998-1999.

Në fillim të artikullit Richard Holbrooke shkruan se “vazhdoj të besoj se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë nxjerrjen e një rezolute të domosdosghme të Këshillit të Sigurimit”. Por, çka do të ndodhë nëse kjo bindje tregohet e gabuar dhe si të veprohet nëse, për shembull, Rusia refuzon ta mbështesë një rezolutë të ashpër?

Nëse kjo ndodhë atëherë duhet ta kujtojmë një rast paraprak të historisë aktuale…kemi të bëjmë me krizën e Kosovës gjatë viteve 1998-99, e cila shërbeu si bazë për aksion ushtarak kundër Sllobodan Millosheviqit dhe Serbisë. Kjo histori mund ti shërbejë administratës së Bushit si një përvojë e përdorshme lidhur me argumentin aktual për kthim në Këshillin e Sigurimit.

Në ditën e pestë të bisedave me Millosheviqin, që i realizova si i dërguar i presidentit Clinton në tetor të vitit 1998, shkruan mëtutje Richard Holbrooke në Washington Post, ishte e qartë se na duhet një kërcënim i besueshëm me aksioni ushtarak. Duke llogaritur në Rusinë sikur, me gjasë, Sadam Huseini tash, pra në veton e Rusisë…Sllobodan Millosheviqi luante lojëra. I pajisur me përvojë nga këto biseda, i ndërpreva bisedimet në Beograd për t’ju bashkuar sekretares shtetërore, Madeleine Albright në takimin e ministrave të të ashtuquajturit Grup i kontaktit, në aeroportin e Londrës. Ky takim dramatik katërorësh u bë me qëllim që të arrihej një zgjidhje lidhur me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit…ashtu siç po bëhet tash në debatin lidhur me Irakun.

Atëherë, shkruan mëtutje Richard Holbrooke në Washington Post, evropianët kërkuan nga ministri i atëhershëm dhe i tashëm rus i punëve të jashtme, Igor Ivanov të pajtohej me rezolutën e Këshillit të Sigurimit që do të autorizonte përdorimin e forcës. Ivanovi pat thënë se nuk mund ta bëj këtë gjë. Ministri i jashtëm gjerman Klaus Kinkel pothuajse me shqetësim e luste Ivanovin që tu mundësonte evropianëve diçka që do ta arsyetonin aksionin kolektiv të Natos. Ivanovi vazhdonte të thoshte se ai nmuk do të pajtohej kurrë.

Për zonjën Medelein Albright dhe për mua ishte e qartë: Ivanovi po thoshte se Moska e dinte se nuk do të mund ta ndalte aksionin kolektiv ushtarak, në këtë rast nga ana e Natos, por se Rusia formalisht nuk do ta mbështeste atë. Dukej sikur Ivanovi thoshte: vazhdoni… por pa miratimin e qartë të Rusisë. Tash parashtrohej një dilemë e thjeshtë: të veprohej pa Këshillin e Sigurimit ose të mos veprohej fare. Fakti se ne bëmë përpjekje serioze për arritjen e miratimit në Këshillin e Sigurimit ishte tejet domethënës…kjo u mundësonte aleatëve tanë evropianë, të udhëhequr nga Tony Blair, që të përkrahin askionin e Natos pa miratimin paraprak të Këshillit të Sigurimit, shkruan pos tjerash, Richard Holbrooke në Washington Post.
Zhvillimi i mëtejmë i ngjarjeve dihet. Në Mars të vitit 1999, Sllobodan Millosheviqit i dorëzova ultimatumin përfundimtar, i cili u refuzua. Brenda 36 orësh Nato e filloi luftën e tij të suksesshme ajrore…pa miratimin e Këshillit të Sigurimit.

Duke pasur parasysh pjesën më të madhe të dallimeve ndërmjet Jugosllavisë e Irakut, duket se Uashingtoni edhe sot ballafaqohet me një strukturë pothuajse të ngjashme. Besoj se përsëri shumica prej aleatëve tanë, të prirë nga Tony Blair, do të na përkrahin. Por nëse administrata refuzon të përpiqet të kaloj nëpër Këshillin e Sigurimit, kjo gjë do ta dobësonte pozitën e saj dhe do ta dobësonte mbështejten, përfundon shkrimin Richard Holbrooke në të përditshmen Washington Post.
XS
SM
MD
LG