Ndërlidhjet

HAXHIREXHA: MARRËVESHJA E OHRIT NUK I PREK TË GJITHA PROBLEMET MADHORE


“Partia Demokratike Kombëtare pas 15 shtatorit do të dalë një parti serioze. Mbi të gjitha, do të dalë parti, e cila do të ketë grupin e saj parlamentar, domethënë do të ketë mbi 5 deputetë” – thotë Kastriot Haxhirexha, kryetar i kësaj partie.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastriot sa jeni të kënaqur me rrjedhën e fushatës parazgjedhore? Sa keni arritur të prezantoni platformën zgjedhore të partisë suaj?

KASTRIOT HAXHIREXHA
Fushata zgjedhore po i afrohet fundit dhe Partia Demokratike Kombëtare po i përmbyll aktivitetet e saj. Ne kemi arritur që në të gjitha qytetet dhe vendbanimet më të mëdha të mbajmë kuvende promovuese dhe aty të plasojmë edhe platformën tonë. Nga ana tjetër Partia Demokratike Kombëtare nuk është aspak e kënaqur me vendin që i është dhënë kësaj partie në mediumet, qoftë ato të shkruara qoftë ato elektronike, të cilat edhe më tutje vazhdojnë me bllokadën e madhe dhe me terrin informativ, terr që do t’ia kishin zili, lirisht mund të them, edhe shumë sisteme totalitare.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Demokratike Kombëtare ka shfaqur rezerva ndaj marrëveshjes kornizë ndërsa prioritet ka federalizimin e Maqedonisë. Zoti Kastriot sa mbështetje ka kjo ide dhe si mund të realizohet?

KASTRIOT HAXHIREXHA
Partia Demokratike Kombëtare ka rezervat e saj ndaj marrëveshjes së Ohrit, sepse mendojmë se marrëveshja e Ohrit nuk i prek të gjitha problemet madhore me të cilat ballafaqohet qytetari shqiptar këtu. Një nga opsionet e Partisë Demokratike Kombëtare, që e bën të dallohet nga partitë e tjera politike është edhe rregulimi politik që ofron kjo parti: ndryshimi i karakterit të Maqedonisë nga shtet me karakter unitar në ndonjërën nga format e shumta federale, të cilat i ofron Evropa dhe bota. Ne jemi të
bindur se kjo është konform realitetit ekzistues këtu në Maqedoni, pra Maqedonia si shtet i popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Nga tubimet tona në këtë fushatë parazgjedhore dhe pjesëmarrja e madhe në to, kam përshtypjen dhe bindjen se qytetarë shqiptarë gjithnjë e më shumë po e pranojnë si të vetën këtë përcaktim programor të Partisë Demokratike Kombëtare. Për sa i takon mënyrës se si do të realizohet, natyrisht që do të realizohet me mjete të civilizuara, në mënyrë demokratike dhe me mjete politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë prioritetet me tjera të Partisë Demokratike Kombëtare?

KASTRIOT HAXHIREXHA
Krahas këtij përcaktimi programor Partia Demokratike Kombëtare në platformën e saj vend të rëndësishëm i jep luftës kundër krimit të organizuar dhe atij të paorganizuar, kontrabandës së drogës, prostitucionit, fenomene të cilat fatkeqësisht në shoqërinë shqiptare kanë marë përmasa alarmante dhe janë duke e sjellë shoqërinë tonë buzë greminës. Përveç kësaj një dukuri tjetër negative është vala gjithmonë në rritje e radikalizmit partitokratik, partiak, ku qytetari shqiptar ka katër vjet që përballet me një problem tjetër madhor që për zgjidhjen e çdo halli të tij në mënyrë institucionale duhet patjetër të pajiset me librezë të partisë politike shqiptare në pushtet apo të tregoj në formë tjetër lojalitetin ndaj asaj partie, si edhe luftën, nëse mund të them kështu, kundër cenzurës dhe bllokadës në mjetet e informimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë parashihni në aspektin e politikës së jashtme? Cilat janë prioritetet në këtë drejtim?

KASTRIOT HAXHIREXHA
Mendoj se republika e Maqedonisë, pas gjithë asaj që kaluam vitin e kaluar, në rradhë të parë duhet t’i kthehet politikës së fqinjësisë së mirë me shtetet të cilat ne na rrethojnë, dhe veçanërisht me Kosovën dhe Shqipërisë, ndaj të cilave pati një politikë jokonstruktive. Sa i takon integrimeve evropiane, Partia Demokratike Kombëtare është për atë që Maqedonia sa më shpejt të integrohet në gjithë strukturat evropiane dhe evro-atlantike, por në radhë të parë, ne duhet ta kuptojmë dhe veçanërisht elita politike maqedonase duhet ta kuptoj, se integrimi në këto mekanizma nuk mund të bëhet me një shoqëri ku lejohet diskriminimi në baza nacionale sociale fetare etj, në një shoqëri ku akoma të drejtat e shqiptarëve diskriminohen me një sërë ligjesh dhe nenesh të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë rezultati prisni nga zgjedhjet e 15 shtatorit?

KASTRIOT HAXHIREXHA
Personalisht jam optimist dhe mendoj se Partia Demokratike Kombëtare pas 15 shtatorit do të dalë një parti serioze. Mbi të gjitha do të dalë parti, e cila do të ketë grupin e saj parlamentar, domethënë do të ketë mbi 5 deputetë dhe si e tillë do të paraqesë një forcë serioze dhe do të mundet të artikulojë mendimin dhe dëshirën e qytetarëve shqiptarë këtu në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG