Ndërlidhjet

DANIEL SERWER: BALLKANI, GJITHNJË E MË TEPËR, DO TI KALOJ BASHKIMIT EVROPIAN


“Asgjë tjetër nuk mund ta ngadalësoj procesin në Kosovë më tepër se dështimi që serbët të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në mënyrë paqësore në Kosovë” – thotë Daniel Serwer, drejtor për iniciativa ballkanike në Institutin amerikan për paqe me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Një vit pas sulmeve kundër Amerikës, duket sikur Shtetet e Bashkuara dhe aleatës e vet kanë prioritete të reja globale. Duke u nisur nga kjo a e shihni ju një qasje të re, një qëndrim të ri të Shteteve të Bashkuara karshi Ballkanit... e veçanërisht karshi Kosovës?

DANIEL SERWER
Mendoj se po. Mendoj se Ballkani, në mënyrë të konsiderueshme, paraqet prioritet më të vogël për Shtetet e Bashkuara se sa para një viti. Tash ka mbizotëruar prioriteti i sigurisë së brendshme të Shteteve të Bashkuara nga terroristët dhe udhëheqja e luftës kundër terrorizmit në mbarë botën. Mendoj se kjo do të ndikoj në Ballkan…në reduktimin e rëndësisë së Ballkanit për Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se Ballkani, gjithnjë e më tepër, do ti kaloj Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër si qëndron puna me Kosovën?

DANIEL SERWER
Mendoj se Kosova është pjesë e këtij procesi. Shtetet e Bashkuara do ta ruajnë një prani të fuqishme në Kosovë…pra do të vazhdoj një nivel i interesit në Kosovë. Por, është fakt se tash nuk është prioritet siç ishte më parë, kur kishte nevojë për prani amerikane. Nga këndëvështrimi im çështja kryesore, ku Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të angazhuara në Kosovë, është çështja e statusit final dhe shumë çështje të tjera…përfshirë këtu krijimin e qeverisë së përkohshme dhe të insitucioneve të Kosovës. Ju tashmë, qartas, jeni në një sistem të lidershipit të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët statusin final të Kosovës. Disa analistë thonë se tash është koha për të biseduar për statusin final të Kosovës. Cili është komenti juaj?

DANIEL SERWER
Pikëpamja ime është se është koha që të diskutohet…por kjo nuk do të thotë se duhet të vendoset menjëherë. Mendoj se duhet të jemi të gatshëm të vendosim diçka lidhur me këtë çështje brenda tri deri në 5 vitet e ardhshme. Për mua kjo do të thotë se duhet të diskutojnë, kryesisht, njerëzit jashtë qeverive. Mendoj se qeveritë ende nuk janë të gatshme të diskutojnë. Mendoj se ka hapësirë për diskutime ndërmjet insituteve, universiteteve, njerëzve që ndjekin zhvillimet në Ballkan, sepse është një çështje shumë e ndërlikuar dhe e vështirë. Dhe nëse duhet të gjejmë zgjidhje dalëse për këtë çështje brenda 3 deri në 5 vite, është më mirë që për këtë të diskutohet tash.

RADIO EVROPA E LIRË
E parashtrova këtë pyetje se para disa ditësh, përfaqësuesi i ri i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, zoti Harnish ka thënë se ai do të përkrah transferin e pushtetit nga ndërkombëtarët në kosovarë. Sipas jush sa mund të zgjasë ky proces?

DANIEL SERWER
Më së shumti varet nga sjellja e insitucioneve të Kosovës dhe, veçanërisht, nga grupi shumicë i shqiptarëve të Kosovës. Kjo mund të zgjasë një kohë shumë të gjatë…derisa këto institucione të fillojnë të sillen me përgjegjësi dhe derisa të drejtat e minoriteteve në Kosovë nuk mbrohen në mënyrë adekuate. Asgjë tjetër nuk mund ta ngadalësoj procesin në Kosovë më tepër se dështimi që serbët të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në mënyrë paqësore në Kosovë.

XS
SM
MD
LG