Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: AMERIKANËT E DINË QË KANË DISA ROLE SPECIFIKE NË BALLKAN


“Nuk mendoj se njerëzit në Uashington kanë ndonjë iluzion për rolin udhëheqës të Bashkimit Evropian. Prandaj nuk mendoj se do t’ia lënë rajonin e Ballkanit BE-së dhe do të largohen prej andej” – thotë Patrick Moore, analist i Radios “Evropa e Lirë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo javë u shënua me përkujtimet për 11 Shtatorin. Cili është ndikimi kryesor i kësaj ngjarjeje në Shtetet e Bashkuara, politikisht dhe ushtarakisht?

PATRICK MOORE
Kjo është diçka që është shumë e re dhe e pazakontë për mentalitetin amerikan. Për këtë arsye, përveç dramës që shkaktuan sulmet, ato kanë pasur edhe një ndikim të thellë psikologjik. Por si është pasqyruar kjo në aspektin politik? Në radhë të parë tregon që gabimi që kemi bërë këto 12 vjetët e fundit që nga përfundimi i luftës së ftohtë dhe periudhës së tranzicionit ka ardhur drejt fundit. Amerikanët kanë një qëllim të ri që është mposhtja e terrorizmit ndërkombëtar. Ushtarakisht kemi atë që presidenti Bush e ka quajtur “Koalicion i vullnetit”. Dikush mund të thotë që NATO është i njëjti tip koalicioni, një numër aleatësh të bashkuar për një qëllim të caktuar, ku qëllimi e formoi aleancën. Tash amerikanët kanë një qëllim të përcaktuar dhe do t’i marrin aleatët në bazë të asaj që munden dhe janë të gatshëm të japin për të ndihmuar. Vëmendja e Amerikës është shumë e përqëndruar në këto qëllimet e reja dhe është pak e vështirë, sepse lufta kundër terrorizmit është një lloj tjetër lufte nga ajo që jemi mësuar ta shohim. Është një luftë mbrojtëse, mund të vazhdojë me dekada të tëra dhe një luftë e padukshme, pasi armiku mund të jetë kudo dhe askund. Nuk ka një shtet, një qytet, një sistem aleance që mund të identifikohet qartësisht. Kjo lloj lufte kërkon shumë vëmendje, shumë zgjuarsi dhe është shumë më e vështirë se konfliktet tradicionale me të cilat jemi mësuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë analiza lidhur me rolin aktual të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, duke pasur parasysh ngjarjet e 11 Shtatorit. Disa analistë thonë se tash Ballkani është nën lidershipin e Bashkimit Evropian?

PATRICK MOORE
Siç e kam përmendur edhe më parë në programet tuaja, mendoj se është mjaft e qartë që Uashingtoni pret nga aleatët e tij në Evropë, që nëse nuk janë të gatshëm ta mbështesin në ndonjë pjesë tjetër të botës, të paktën të bëjnë aq sa munden në rajonin e tyre. Amerikanët po presin që Bashkimi Evropian të marrë në dorë udhëheqjen, por kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara po i japin fund rolit të tyre, apo që do të largohen…apo që do të lejojnë Bashkimin Evropian të marrë vendime për të. Amerikanët e dinë që kanë disa role specifike në Ballkan, të cilat askush nuk mund t’i zëvendësoj. Kjo përfshinë, në planin politik, shqiptarët dhe myslimanët boshnjakë, të cilët e kanë bërë të qartë se kanë besim tek amerikanët dhe jo te Bashkimi Evropian…sidomos te disa shtete si Britania dhe Franca. Kjo nuk është diçka e re për asnjërin prej nesh. Prandaj askush nuk duhet të mendoj se amerikanët po largohen…Të mos harrojmë atë që zoti Svilanoviq, ministër i jashtëm jugosllav tha në Vojvodinë në fillim të korrikut, që nëse amerikanët do të largohen kjo do të shkaktonte një destabilizim në rajon dhe mendoj se zyrtarët në Uashington e dinë këtë gjë. Nuk mendoj se njerëzit në Washington kanë ndonjë iluzion për rolin udhëheqës të Bashkimit Evropian. Prandaj nuk mendoj se do t’ia lënë rajonin e Ballkanit BE-së dhe të largohen prej andej.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh përfundoi pjesa e parë e procesit për krime lufte kundër Millosheviqit. Nga këndvështrimi juaj, çfarë influence do të ketë kjo pjesë e procesit në zhvillmet politike në Serbi?

PATRICK MOORE
Kam frikë se tash për tash nuk do të ketë ndonjë influencë të madhe. Mendoj se nuk do të shikojmë ndonjë ndryshim të madh në pikëpamjet e opinionit publik lidhur me luftën. Ka patur disa artikuj në media javën e fundit që i dedikoheshin masakrës së Reçakut, ku përmendej se ata që mbijetuan nuk kishin parë asnjë shenjë apo qasje pajtimi nga ana e Serbisë, kjo në prag të përvjetorit të 11 shtatorit dhe të mbylljes së gjykimit të Millosheviqit për ngjarjet në Kosovë. A duhet të çuditemi për këto zhvillime në Serbi apo për mungesën e tyre? Mendoj se jo! Kur dikush mendon për intelektualët serbë disidentë, të cilët janë paraqitur në programet tona, të gjithë e kanë përshkruar veten që janë pakicë dhe se për zhdukjen e asaj që quhet mënyra e mendimit të vjetëruar nacionalist do të duhet një proces i gjatë. Dua që të përmend edhe diçka që specialistët gjermanë për Ballkanin e kanë theksuar gjithmonë kur kemi diskutuar për procesin e riorientimit që herët a vonë do të fillojë në Serbi dhe rishikimi i të kaluarës si dhe krahasimi i asaj që ndodhi në Gjermani gjatë luftës së dytë botërore. Ata thonë se gjërat e para që duhet të zgjidheshin pas luftës në Gjermani ishin varfëria dhe qeveria. Sapo filluan të kishin nivel më të lartë jetese dhe të mësonin diçka për modelet e qeverisjes demokratike dhe të krijonin besim në të, shtypi i pavarur u bë një lloj sistemi tjetër edukativ dhe fara për diçka ishte mbjellë. Por një analizë e vërtetë e së kaluarës në Gjermani nuk u arrit para lëvizjeve të studentëve më 1968. Kështu që po flasim për një periudhë 23 vjeçare që nga fundi i luftës së dytë botërore dhe nuk mendoj se është e drejtë apo realiste të pritet një rivlerësim i së kaluarës në Serbi apo në vende të tjera të rajonit në një të ardhme të afërt.
XS
SM
MD
LG