Ndërlidhjet

VEPRIMTARI QË NUK ËSHTË PËR MBURRJE


Milazim Krasniqi, Prishtinë Promovimi i 13 librave në botim të ndërmarrjes “Rilindja” – të financuara nga Ministria e kulturës – nuk paraqet ndonjë shkas të madh për mburrje…Synohet që të bindemi se është me rëndësi që është botuar një libër me përralla të huaja…thua se popullit tonë i janë harxhuar përrallat e veta!

Ata që mbajnë mend mirë e dinë se ndërmarrja botuese “Rilindja” ka një traditë të gjatë dhe në kohën e saj më të mirë ka botuar deri në 300 tituj të ri librash brenda një viti kalendarik. Ka që duan të thonë se në ato kohë janë botuar vepra ideologjike, vepra të Josif Broz Titos dhe të Kardelit, por ky argument është vetëm sa për të krijuar një perde tymi për promovuesit e fshirjes së kujtesës. Vepra ideologjike padyshim që janë botuar me shumicë në atë periudhë, por jashtë asaj skeme janë botuar autorët kryesorë që ka letërsia shqipe duke përfshirë dhe veprat komplete të autorëve të traditës, vepra komplete të disa prej shkrimtarëve tanë më të mirë bashkëkohorë, projekte të tjera të mëdha si: historia e popullit shqiptar, muzetë e botës ose historia e letërsisë botërore. Sa për korrektësi duhet thënë se tirazhet e atyre veprave kanë qenë me mijëra dhe jo me nga disa copë sikundër ndodh të botohen tani.

Po pse bëhet gjithë kjo zhurmë për të promovuar 13 vepra modeste si vëllime dhe si tirazhe?

E tëra bëhet për të treguar se gjoja puna po ecën mbarë në kulturë, se shoqëria jonë gjoja po marshon drejt përparimit. Por ky konstruksion propagandistik nuk qëndron në këmbë sepse rrëzohet nga faktet. Vetë drejtori i ndërmarrjes botuese Rilindja me rastin e promovimit ka deklaruar se janë botuar “pesë vepra nga poezia për të rritur, një nga poezia për fëmijë, dy romane për fëmijë, dy romane për të rritur, një libër përrallash të zgjedhura për fëmijë, dy tregime për fëmijë”. Për njerëzit e kësaj veprimtarie nuk është e vështirë të merret me mend se çfarë pasurie i është shtuar letërsisë shqipe, në mënyrë cinike do të thonim “vetëm me përralla”. Para se të pranonte projekte kaq modeste, Shtëpia Botuese “Rilindja” bashkë me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, me agjencinë e autorëve dhe me palë të tjera të interesuara duhet të kishin kërkuar miratimin e ligjeve që do të mundësonin rehabilitimin e plotë të veprimtarisë botuese, të rrjetit të shpërndarjes së librit dhe të të drejtave të autorit, të cilat janë shkatërruar tërësisht. Ndërsa rregullimi i statusit qeveritar apo gjysmë qeveritar dhe financimi i veprave do të vinte si rezultat i nevojave reale kulturore të vendit. Drejtori i Rilindjes krejt sinqerisht bëri të ditur se për botimin e atyre 13 librushkave, Ministria e Kulturës ka vënë në dispozicion 13190 Euro ose për çdo titull rreth 1000 Euro. Vetë kjo shumë tregon se sa modeste janë këto botime. Drejtori i SHB Rilindja, nga ana e vet ishte transparent kur tregoi shifrën e parave të vjelura nga ministria. Por sa para jep kjo Ministri e Kulturës, për shembull, për spektaklin Miss Kosova, i cili çdo natë reklamohet në televizion, tani për tani nuk dihet. Por duan të na bindin se nuk duhet të mendojmë për të hollat që do ti harxhojë Miss Kosova, por të bindemi se është më me rëndësi që është botuar një libër me përralla të huaja…thua se popullit tonë i janë harxhuar përrallat e veta.
XS
SM
MD
LG