Ndërlidhjet

TAMARA OZORIO: NUK ËSHTË MË KOHA E KTHIMEVE MASIVE POR E KTHIMEVE TË KUFIZUARA


Ulpiana Lama, Radio Evropa e Lirë Ajo që ndodhi në Kosovë në vitin 1999, ishte një eksperiencë unike e shekullit të 20, kur për të parën herë një vend, rezultonte të kishte numrin më të madh të banorëve jashtë territorit të tij. Po aq, ritmet e shpejta të kthimit ishin të paprecedentë kurse politikat e reja evropiane të migracionit si dhe programet për kthimin e pakicave, do të sjellin rritjen e fluksit të të kthyerve. A do të ndryshojë kjo tendencë ekuilibrat ekzistues tani që Kosova përgatitet për zgjedhjet komunale?

Por së pari, le të kthehemi në një vështrim retrospektiv. Duke komentuar zhvillimet e pranverës së vitit 99, Rifat Blaku, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe këshilltar i kryeministrit për problemet e migrimit, vëren se “ky numër është rritur në vijimësi dhe kulmon në verën e ’99 që arrin totalin me mbi 1 milion e 100 mijë dhe duke i shtuar atë të mëparshmin prej 500 mijë, në Kosovë mund të kishin mbetur vetëm 400 - 500 mijë shqiptarë, që do të thotë se ľ ishin jashtë vendit”.
Shumë studiues bien dakort se për dallim nga emigrantë të shumë vendeve të tjera, emigranti shqiptar pati gjatë luftës një vëmendje më të madhe mediatike. Lidhja e tij shpirtërore me atdheun u vu në fokus çfarë u pohua dhe konfirmua nga vëmendja masmediale ndaj zhvillimeve në vendin e tij. Befasuese ishte kthimi në Kosovë menjëherë pas përfundimit të konfliktit, ku në një masë të madhe, ai ishte vullnetar.
IOM, organizata ndërkombëtare për migrim, bën të ditur se ka asistuar në kthimin e disa mijëra shqiptarëve të Kosovës.
“Deri në korrik të vitit 2002, IOM u ka ndihmuar 200 mijë të kthyerve. U kemi siguruar atyre transport parësor dhe pastaj dytësor deri në destinacion. I kemi ndihmuar të ri-integrohen në shoqëri përmes programeve të ndryshme të financuara nga vendet dhuruese”, thotë Tamara Ozorio, zyrtare e lartë e organizatës në Kosovë.
Megjithë mungesën e studimeve të sistematuziara, vëzhguesit pranojnë publikisht dhe privatisht se në periudhat e para, migrimi kishte efekte pozitive në planin politik-diplomatik sepse shqiptarët dëshmonin me praninë fizike në Europë, se ishin të kërcënuar dhe të rrezikuar. Migrimi i hershëm pati edhe efekte pozitive ekonomiko-financiare.
Interesante janë ndërkaq zhvillimet në mesin e emigrantëve shqiptarë, në vendet perëndimore dhe vështirësia e projektimit afat-gjatë të tyre në vendin e huaj. Dyzimi mes nevojës për të ndejtur dhe dëshirës, apo në rastin më të keq pamundësisë për t’u kthyer, ka shënjuar jetën e mjaft prej tyre.
Sociologu Shqiptar Oseku, i cili prej vitesh jeton e punon në Suedi, veçon raportet gjinore.
“Jo gjinia biologjike por gjinia sociale, për mendimin tim mashkulli social apo femra sociale. Kjo është një nga ato fushat ku dallimet janë më markante midis shqiptarëve të mërgatës dhe atyre të atdheut. Femrat nën ndikimin e rrethit ku jetojnë synojnë një rol më social, një rol më aktiv në shoqëri, në familje dhe synojnë të marrin kontrollin mbi vetveten, mbi seksualitetin e vet, mbi jetën e vet në mënyrë krejt tjetër nga ajo që është rëndom në shoqërinë shqiptare”, shpjegon Oseku.
Një tjetër aspekt për të cilin demonizohen të huajt, pa përjashtuar shqiptarët, është kriminaliteti. Oseku pranon që ai rezulton të jetë më i lartë në komunitetet e të huajve të cilët banojnë në geto, por kujton se shumë studime kanë treguar që të jetuarit në të njëjtat kushte të vendasve, ka shtuar përqindjen e kriminalitetit edhe në mesin e tyre.
Nga ana tjetër, një profil i ri emigranti po konsolidohet. Për dallim nga kosovari i paarsimuar i viteve 70-80, që kryente punët më të rënda dhe diskriminuese, tani, ka një gjeneratë të rinjsh, profesionalë, të arsimuar, me një bagazh gjuhësh.
Kjo thotë Blaku shtron nevojën e përpilimit të politikave të reja, që do të ishin në dobi të përbashkët të Kosovës dhe vendeve pritëse.
“Kosova do duhet të bëjë kërkesë për punësim në tregun ndërkombëtar të punës sic do duhej të bënte kërkesën edhe në tregun ndërkombëtar financiar për nxjerrjen e fondeve të ndryshme për këtë destinim. Sikundër do duhej që të bënte hulumtimin për vjeljen e fondeve të ndryshme, për investim në Kosovë për krijimin e vendeve të reja të punës për migracionin” – thotë ai.
E pyetur nëse parashikon IOM-i shpërfaqjen e problemeve sociale, duke patur parasysh politikat e reja sociale të përshtatura nga vendet perëndimore dhe sinjalizimin e kthimit të deri 200 mijë pakicave, Ozorio përgjigjet se ‘nuk duket se do të ketë probleme. Nuk është më koha e kthimeve masive por e kthimeve të kufizuara. Gjendja në Kosovë po përmirësohet dhe shumë prej tyre janë të dukshme. Mund të ketë incidente sporadike apo të rastësishme, por të tilla që mund të vërehen në çdo vend në tranzicion’
Mirëpo nuk është i të njëjtit mendim eksperti Blaku. Ai kujton se Kosova është një vend emigrues por edhe vend imigrues, ku kanë gjetur strehë të shpërngulur nga Lugina e Preshevës apo Maqedonia. Me burimet shumë të kufizuara që ka Kosova, duhet një mirëkuptim shumë i madh për të jetuar së bashku.
‘Ka projekte të kthimit të minoritarëve, me kërkesa edhe për kthimin e minoritarëve serbë duke projektuar programe dhe kuota numerike në rajone të caktuara që vërtet do ta tensionojnë më tepër situatën sociale, që unë edhe ashtu do të thosha është parashpërthyese ngase numri i vendeve të reja të punës është një nocion teorik pasi në praktikë as që mund të flitet për të, madje kemi reduktime të vendeve të reja dhe kur kihet parasysh struktura e re e moshës, e popullatës, apo struktura ekonomike e popullatës e cila me mbi 64% pothuajse nga totali prej 2 milionë e 400 mijë është e aftë për punë dhe punë e shkollim mjaft të kufizuar e pa perspektivë, dhe kur të kihet parasysh ndalimi dhe kufizimi i ndihmave dhe donacioneve nga jashtë, situatën vërtet e bëjnë tepër të rëndë dhe janë shenjat e një krize të fshehur’ – thotë për radion Evropa e Lirë, Rifat Blaku.
Eksperti Blaku nënvizon nevojën për institucionalizimin e përpjekjeve, me çka ai nënkupton ngritjen e një zyre ose departamenti në rang ministrie për emigracionin dhe diasporën shqiptare të Kosovës.
XS
SM
MD
LG