Ndërlidhjet

logo-print

PATRICK MOORE: SIGURISHT SE DO TË KETË VEND PËR SHQIPTARËT NË QEVERINË E MAQEDONISË


“Qëllimi i misionit ndërkombëtar në Ballkan nuk është krijimi i protektorateve apo i kolonive të përhershme, por ndihma në aftësimin e njerëzve për të qëndruar në këmbët e tyre…” – thotë Patrick Moore, analist i Radios “Evropa e Lirë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Iraku ka shpallur se do ta lejoj kthimin e pakusht të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara. A do të jenë Shtetet e Bashkuara të kënaqura me këtë zhvillim?

PATRIK MOORE
Sigurisht që jo. Sapo dëgjova Sekretarin e Mbrojtjes Ramsfeld në radio dhe ai përsëriti edhe njëherë që nuk kemi të bëjmë me çështjen e inspektimit, por me çarmatosjen e Irakut. Sadam Hyseini ka pranuar rikthimin pa kushte të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara. Kjo është një lojë që dihej që më parë në Irak. Disa herë më kujton disa nga armëpushimet që kemi patur në Bosnje dhe vende të tjera gjatë 10 viteve të fundit ku njerëzit mendojnë se kanë një marrëveshje, por në realitet dikush është i vendosur që në fillim për ta shkelur atë, kështu që i interpreton rregullat ashtu siç i përshtatet. Ajo që zoti Kofi Anan mund të kuptojë me termin “pa kushte” dhe ajo që mendojnë autoritetet e Irakut me këtë term, mendoj se janë dy gjëra krejt të ndryshme. Për ta thënë me pak fjalë… Shtetet e Bashkuara nuk i besojnë Sadam Huseinit. Ai ka gënjyer më parë dhe për këtë arsye Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të shkojnë më tej duke përgatitur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ti kthehemi Ballkanit. Ditët apo javët e ardhshme Maqedonia do ta ketë qeverinë e re, që doli nga rezultatet e zgjedhjeve. Sipas jush çfarë do të jetë përbërja e mundshme e qeverisë së re…a mendoni se do të ketë vend edhe për shqiptarët?

PATRIK MOORE
Sigurisht që shqiptarët duhet të përfshihen në qeverisje dhe nuk mendoj se ka ndonjë konsiderim serioz për përjashtimin e rreth 23% të popullsisë. Siç kam lexuar kohët e fundit, zëdhënësi i Lidhjes Socialdemokrate tha se koalicioni i tij në asnjë mënyrë nuk mund të përjashtojë një parti, apo të izolojë një parti, e cila ka fituar 2/3 e votave të shqiptarëve, që në këtë rast është BDI-ja e Ali Ahmetit. Pra sigurisht që do ketë vend për pjesëmarrjen e shqiptarëve, konkretisht të përfaqësuesve për të cilët votuan. Çështja mbetet se cilat poste do ti marrin, çfarë autoriteti do kenë dhe çfarë do bëjnë me ato poste. Duhet të them se personalisht mendoj se prospekti i një Ministrie të Brendshme shqiptare në Maqedoni do të ishte tepër interesant.

RADIO EVROPA E LIRË
E parashtrova këtë pyetje meqë disa analistë maqedonas thonë se do të jetë shumë vështirë për të parë përfaqësuesit e zotit Ahmeti në qeverinë e re. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka thënë se do të dëshironte që shqiptarët ti shihte në qeverinë e re?

PATRIK MOORE
Sigurisht që do të ketë shqiptarë në qeverinë e re të Maqedonisë… Ashtu siç bëri të qartë zëdhënësi për shtyp i koalicionit fitues të mërkurën e javës së kaluar, nuk ka asnjë mundësi që ky koalicion të mos marë parasysh BDI-në. Problemi do mbetet se kush do ta përfaqësojë BDI-në në qeverinë e re dhe në çfarë pozitash. Zoti Ahmeti ka bërë të qartë përmes zëdhënësit të tij që ai e shehë të ardhmen e tij si kryetar i partisë, por jo domosdoshmërisht si anëtar i qeverisë. Prandaj mendoj se do të ketë një zgjidhje si ajo që gjetën në Austri, kur Partia e Lirisë u bashkua me Partinë Popullore në koalicion nën udhëheqjen e kancelarit Shusël, ku kryetari i Partisë së Lirisë, zoti Hajder, i cili nuk gëzonte shumë popullaritet midis partive të tjera, nuk mori pjesë në qeveri por atje merrnin pjesë disa nga deputetët e tij, të cilët ishin të pranueshëm nga partitë e tjera. Ky nuk është një problem shumë serioz për t’u zgjidhur dhe mendoj se me vullnetin e duhur politik, jam i sigurt që do të ketë njerëz në BDI, të cilët do të jenë plotësisht të pranueshëm nga Socialdemokratët për të marrë ndonjë post qeverisës.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë javës Kris Paten i bëri një vizitë të rëndësishme Kosovës. Ai me këtë rast tha se “derisa Kosova po lëvizë nga kriza në normalitet, ndihma jonë po ndryshon nga rekonstruktimi fizik në ndërtimin e institucioneve të forta”.

PATRIK MOORE.
Kjo është mjaft e qartë. Dihet që rindërtimi fizik ka arritur në një fazë mjaft të mirë dhe gjithashtu njerëzit kanë shfaqur aftësi profesionale duke u marë me biznese të ndryshme për të zgjidhur disa nga problemet e tyre. Shumë njerëz e kanë krahasuar Kosovën si shumë më të favorshme se Bosnja në këtë aspekt. Sidoqoftë, ai ka absolutisht të drejtë. Gjithsesi qëllimi i misionit ndërkombëtar në Ballkan nuk është krijimi i protektorateve apo i kolonive të përhershme, por ndihma në aftësimin e njerëzve për të qëndruar në këmbët e tyre… ashtu siç bënë Shtetet e Bashkuara me Evropën perëndimore pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
XS
SM
MD
LG