Ndërlidhjet

PËRSE IRAKU NUK MUND TË PËRMBAHET


NEW YORK TIMES

Derisa Uashingtoni gjithnjë e më shumë i afrohet luftës me Irakun, disa e kanë sugjeruar përmbajtjen për t’ia dalë në krye me kërcënimet e Saddam Husseinit. Kuptohet, lufta duhet të jetë mjeti i fundit, dhe përmbajtja duket si alternativë e mirë. Ajo ndaj Bashkimit Sovjetik dha rezultate për 45 vjet. Por, ata që këtë e rekomandojnë për zotin Hussein, me sa duket atë, nuk e njohin mirë.
Ithtarët e përmbajtjes pohojnë se zoti Hussein nuk do të angazhohet në një agresion të ri, madje edhe po t’i shtie në dorë armët bërthamore, sepse nuk do të rrezikonte kundërpërgjigjen amerikane. Megjithate, zoti Hussein luan loja të rrezikshme, pa qenë i vetëdijshëm për rrezikun që sjellin ato.
Në vitin 1974 ai i sulmoi kurdët, përkundër faktit se ata furnizoheshin nga Irani, me ndihmën amerikane dhe izraelite. Për arsye të panjohura, ai besonte se Irani do të rrijë mënjanë. Por shahu u përgjigj shpejt duke dërguar trupa në Kurdistan. Për të parandaluar një invadimin nga Irani, zoti Hussein u detyrua të nënshkruajë marrëveshjen përçmuese të Algjerit, e cila Iranit i jepte gjithçka, përfshirë edhe territorin e kontestuar.
Kjo është përsëritur disa herë. Ai e sulmoi Iranin në 1981 duke menduar se Republika Islamike nuk kishte mbështetje, dhe se do të gjunjëzohej menjëherë. Kështu, ai e futi Irakun në një luftë, e cila për pak e shkatërroi regjimin e tij.
Në vitin 1991, në vend që të tërhiqet nga Kuvajti, zoti Hussein e bindi veten se koalicioni i prirë nga Amerika nuk do të sulmonte, dhe madje edhe nëse sulmonte, do të përjetonte disfatë. Kështu, edhe një herë për pak e shkatërroi regjimin dhe vetveten.
Dëshmia më e mirë se zoti Hussein mund të frenohet, vjen nga Lufta e Gjirit, kur ai u përmbajt t’i përdorë armët për shkatërrim në masë, nga frika e vërsuljeve bërthamore e amerikanëve dhe izraelitëve.
Në gusht të vitit 1990, pasi iu bë e qartë se Shtetet e Bashkuara mund të sfidohen nga invazioni në Kuvajt, zoti Hussin urdhëroi programin për ndërtimin e armës bërthamore, që për pak edhe do të kishte sukses, por dështoi ngase nuk e siguroi uraniumin e nevojshëm. Një ish ekspert i tij, tha asokohe se zoti Hussein kishte për qëllim ta godasë Tel Avivin nëse regjimi i tij fillonte të shkatërrohet.
Pas luftës, zoti Hussein u kishte thënë bashkëpunëtorëve se gabimi i tij kishte qenë invazioni në Kuvajt përpara se të fuste në dorë armët bërthamore, sepse vetëm atëherë Shtetet e Bashkuara nuk do të guxonin ta kundërshtojnë.
E tërë kjo sugjeron se nëse Saddam Husseini arrin të sigurojë armë bërthamore, ai do t’i përdorë si mjete për të arritur qëllimet e tij: të dominojë me botën arabe, të shkatërrojë Izraelin dhe ta ndëshkojë Amerikën. Ka shumë arsye të besohet se ai do t’i vringëllonte ato armë për t’i frenuar Shtetet e Bashkuara nga ndërhyrja e tyre në përpjekjet e tij për të pushtuar vendet fqinje.
Nga ana tjetër, t’i mbështesim shpresat tona te politika e përmbajtjes nuk do të na kushtojë shumë, përveç humbjes së kredibilitetit. Por, duke u nisur nga historia e llogarive katastrofike të zotit Hussein, dhe bindja e tij se armët bërthamore do ta detyronin Amerikën të përmbahet, ka shumë arsye për të besuar se nuk është fjala nëse do të ketë apo jo luftë, por nëse lufta do të zhvillohej tani apo më vonë, një luftë me, ose pa armë bërthamore.


XS
SM
MD
LG