Ndërlidhjet

PLANI I SHTETEVE TË BASHKUARA KËRKON QASJE TË INSPEKTORËVE NË TË GJITHA LOKACIONET


NEW YORK TIMES

Administrata e Bushit ka sajuar një plan të saktë për inspektimin e armëve, që mundëson qasje të papenguar në të gjitha lokacionet në Irak, përfshirë selinë presidenciale dhe pallatet e Saddam Husseinit, ndërsa e autorizon edhe përdorimin e forcës ushtarake nëse Bagdadi ndërhyn.
Thelbi i planit, të cilin zyrtarët amerikanë dhe britanikë ia prezentojnë Francës, Rusisë dhe Kinës, është shpallja e luftës nëse Iraku i shkel detyrimet ndaj Kombeve të Bashkuara, kurse përgjegjësia bie mbi Saddam Husseinin.
Sipas projekt rezolutës, para kthimit të inspektorëve, Iraku duhet të japë llogari të plotë për programet rreth zhvillimit të armëve për shkatërrim në masë.
Nëse Bagdadi dështon në pëmbushjen e këtyre kërkesave, rezoluta bën thirrje “për të përdorur të gjitha mjetet e nevojshme për vendosjen e paqes dhe sigurisë”.
Por rezoluta e administratës së Bushit ka hasur në rezistencë nga Franca, e cila e ka penguar insistimin e Uashingtonit për t’i hapë rrugën një fushate ushtarake nëse Saddam Husseini refuzon të bashkëpunojë.
Presidenti Bush e ka thirrur presidentin e Francës Jacque Chirac të mbështesë masat e Amerikës, por ky i fundit ka mbetur në pozicionin e tij që Këshilli i Sigurimit të përqëndrohet në çështjen e inspektimit, kurse çështja e aksionit ushtarak të shtyhet.
Projekt rezoluta e sajuar nga Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me Britaninë e Madhe, ende nuk është bërë publike. Por, sipas zyrtarëve amerikanë, ajo thekson se Iraku vite me radhë i ka shkelur shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara, për të shtuar se hapi i parë drejt çarmatimit të Irakut, është dorëzimi i raportit të plotë për programin e armatimit, përpara se inspektorët të kthehen në Irak.
“Nëse diçka ndryshon nga ajo që do të prazentojnë ata, kjo do ta tërheqë këmbëzën”, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.
Rezoluta parasheh që edhe vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të dërgojnë përfaqësuesit e tyre me ekipet e inspektorëve. Gjithashtu kërkon qasje të papenguar në lokacionet presidenciale, që nuk parashihej me rezolutën 1154 të Këshillit të Sigurimit.
Rezoluta i parasheh edhe procedurat për t’i nxjerrë shkencëtarët dhe dëshmitarët jashtë Irakut, në mënyrë që të dëshmojnë lirisht për programet e armatimit të Saddam Husseinit.
“Kërkesa për një deklarim të plotë është mjaft e mirë”, ka thënë Gary Samore, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.
Por rezoluta amerikane dhe britanike është vetëm projekt, dhe mbetet të shihet se çfarë do të dalë nga grindjet me Parisin, Moskën dhe Pekinin. Do të duhen edhe disa javë derisa Këshilli i Sigurimit të fillojë të punën mbi rezolutën”, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.
Ndërkaq një diplomat evropian, i cili është kritik ndaj qasjes amerikane, ka pohuar se rezoluta është sajuar për të dështuar. “Amerikanët vërtetë nuk janë të interesuar për kthimin e inspektorëve. Kjo nuk është rezolutë për inspektimin. Kjo paraqet shpallje të luftës”, ka thënë ai.
Por zyrtari amerikan ka insistuar në një qasje krejtësisht të re. “Ne duam që Saddam Husseini të dalë i pastër nga e tërë kjo”, ka thënë ai.

XS
SM
MD
LG