Ndërlidhjet

Janusz Bugajski: Ka shumë gjëra që duhen zgjidhur në Kosovë, një prej të cilave…është fundi i marrëdhënies së varësisë me Kombet e Bashkuara


Drejtori i Institutit të Studimeve Strategjike në Uashington, Janusz Bugajski, ndodhet aktualisht në Tiranë në një seminar mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Korrespondenti ynë atje, Alban Bala, e pyeti së pari zotin Bugajski nëse është e drejtë të thuhet se vëmendjen e Shteteve të Bashkuara drejt territoreve shqiptare në Ballkan e ka tërhequr historikisht, deri tani, vetëm lufta:

Janusz Bugajski: Lufta dhe krizat e kanë tërhequr vëmendjen e politikës së jashtme amerikane veçanërisht në rajon, ku ka pasur deri tash kaq shumë konflikte të tjera dhe ku ekziston rreziku që lufta si në rastin e Maqedonisë të përhapet edhe në vende të tjera duke përfshirë potencialisht edhe aleatë si Turqia dhe Greqia.
Kështu, qartësisht në situata ku ky rrezik gjallon, Amerika do të jetë e angazhuar dhe e përfshirë. Natyrisht nëse krizat duket se mund të përmbahen brenda vetë atyre vendeve, Amerika do të jetë politikisht e angazhuar, por të paktën administrata Bush do të pëlqente që Bashkimi Europian dhe aleatët europianë të ishin të aftë të kontribuonin ushtarakisht për stabilizimin e situatës.

Evropa e Lirë: Z.Rubin tha në Washinton se është alogjike të presësh që kosovarët të marrin ende urdhëra nga Beogradi.

Janusz Bugajski: Drejt, është absolutisht e qartë, mendoj se ka njerëz në administratë që po shohin si t'i japin fund çështjes së statusit, pra ta zgjidhin çështjen e statusit. Jo domosdoshmërisht kjo duhet menduar si e mundshme tash për së afërmi, por të paktën duhet të kihet një vizion dhe një vijë ndarëse, sipas së cilës statusi do të vendoset.
Mendoj se mjaft nga ngjarjet e muajve të shkuar, si marrëdhëniet e reja mes Malit të Zi dhe Serbisë, zgjedhjet në Serbi janë vërtet fundi i Jugosllavisë, mendoj se kjo e lë të hapur çëshjten e Kosovës e cila është një çështje e madhe dhe e pazgjidhur në Ballkan dhe një prej gjërave që unë përpiqem të bëj, është të bind njerëzit në Uashington se do të ishte mirë që tani të shikohej çëshjta e statusit, të merreshin vendime qysh tani, në mënyrë që nga fundi i administratës së z.Bush ne të kemi një pamje më të qartë të pavarësisë së Kosovës.

Evropa e Lirë: A mendoni se një nga kushtet që duhen përmbushur është de-kolonizimi i Kosovës?

Janusz Bugajski: Ka shumë gjëra që duhen zgjidhur në Kosovë, një prej të cilave dhe jo më e parëndësishmja është fundi i marrëdhënies së varësisë që është ndërtuar me Kombet e Bashkuara. Përfundimisht është e pashëndetshme. Në një shikim afatshkurtër ajo e ishte e pashmangshme, por në sens afatgjatë kjo është kundërproduktive. Shumë çështje të tjera si të drejtat e pakicave, stabiliteti në drejtim të institucioneve, rritja ekonomike, krijimi i themeleve për investime ekonomike, pra ka shumë çështje që janë parësore dhe jo veç një.

Evropa e Lirë: A mendoni se një hap para drejt përcaktimit të statusit final të Kosovës do të ndihmonte Serbinë drejt de-nazifikimit?

Janusz Bugajski: Nuk e di nëse në Serbi do të ndodhë ndonjëherë apo jo de-nazifikimi, por sigurisht kjo do të ndihmojë Serbinë që të mos merret më tej me çështje që nuk i përkasin drejtpërdrejt. Për fat të keq Kosova ende figuron në politikën e brendshme serbe dhe ushqen mitin se serbët janë viktimizuar disi.
Përfundimisht unë mendoj se është mirë për Serbinë siç është mirë për Kosovën që të jenë dy entitete përfundimisht të ndara dhe të pavarura.



XS
SM
MD
LG