Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: KOSHTUNICA GJITHMONË KA QENË SKEPTIK LIDHUR ME QEVERISJEN E UNMIKUT


“Le të themi që pavarësisht se programi prej 7 pikësh i Steinerit për Mitrovicën, për decentralizimin, nuk është në tërësi ajo që duan, ai gjithsesi u ofron diçka. Nëse nuk do të votojnë…nëse nuk i zgjedhin njerëzit e tyre, atëhere nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë as nga ky plan” – thotë Patrick Moore, analist i Radios “Evropa e Lirë”.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Së shpejti në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale. Çështje kryesore paraqitet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to. Kishte shumë veprimtari në këtë aspekt, veçanërisht nga zoti Shtajner. Partitë shqiptare po i ftojnë serbët për të marrë pjesë. Si i parashihni ju zhvilimet lidhur me këtë çështje?

PATRICK MOORE
E dimë që zoti Shtajner ishte në Beograd dhe foli me Koshtunicën, me partnerët e tjerë politikë…foli me njerëz të Kishës Ortodokse Serbe dhe pritja që iu bë mund të thuhet se ishte e ftohtë. Kisha orthodokse nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar, por disa nga peshkopët privatisht kanë thënë se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Koshtunica tha se situata e sigurisë për serbët në Kosovë mbetet e keqe dhe ata nuk fituan asgjë nga pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet parlamentare, kështu që nuk sheh arsyen se përse ata duhet të marrin pjesë këtë rradhë. Por, ashtu si në zgjedhjet parlamentare, mesazhi kryesor që u është dhënë serbëve është që nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje nuk do të mund ta shprehin mendimin e tyre në të ardhmen. Prandaj kjo përbën edhe dilemën e serbëve. Çfarëdo që të vendosin gjatë ditëve që vijnë, mund të thuhet me siguri se ata nuk do të pranojnë të marrin pjesë me entuziazëm. Duket fare qartë se ose do të marrin një pozicion neutral, siç e mori kisha ortodokse serbe, ose do të thonë që njerëzit duhet të marrin pjesë nëse duan, por kjo gjë nuk do të ndodhë me entuziazëm.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Po e diskutoj këtë çështje ngase disa analistë thonë se autoritetet e larta serbe, veçanërisht zoti Koshtunica, nuk dëshirojnë të përzihen në këtë çështje. Si e shpjegoni një pozicion të tillë. A mendoni se kjo ka të bëjë me zgjedhjet presidenciale serbe?


PARTICK MOORE
Ka të bëjë me edhe zgjedhjet presidenciale serbe si dhe me linjën politike të Serbisë në të ardhmen. Le të rikujtojmë se Koshtunica ka qenë gjithmonë skeptik lidhur me qeverisjen e UNMIK-ut. Ai dhe këshilltarët e tij kanë dashur që në fillim të kenë një rikthim të pranisë zyrtare serbe në Kosovë dhe vazhdojnë të insistojnë dhe të shpresojnë për këtë gjë. Mesazhi nga Beogradi është: nuk do të ketë siguri për serbët deri sa autoriteti serb dhe, mbi të gjitha, policët serbë të rikthehen në Kosovë. Rrjedhimisht kjo nuk do ti inkurajoj serbët për të votuar sepse, sipas tyre, nuk do kenë ndonjë arsye përse të votojnë. Sipas mendimit tim, kjo është çështja kryesore.

RADIO “EVROPA E LIRË”
Ekspertët thonë se pjesëmarrja serbe është e nevojshme për dy çështje kryesore: për procesin e decentralizimit dhe për atë të kthimit. Duket sikur tash serbët e kosovës vetë duhet të vendosin lidhur me zgjedhjet. Çfarë është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Kjo është absolutisht e drejtë. Nëse serbët nuk do të marrin pjesë, fjala e tyre nuk do të dëgjohet. Le të themi që pavarësisht se programi prej 7 pikësh i Shtajnerit për Mitrovicën, për decentralizimin, nuk është në tërësi ajo që duan, ai gjithsesi u ofron diçka. Nëse nuk do të votojnë…nëse nuk i zgjedhin njerëzit e tyre, atëhere nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë as nga ky plan. Prandaj mendoj se do të ketë një numër të mjaftueshëm njerëzish që do të arrijnë të kuptojnë se nuk do të fitojnë asgjë nëse do ta izolojnë plotësisht veten e tyre. Ndoshta nuk do t’u pëlqejnë zgjedhjet, ndoshta nuk u pëlqen fakti se përbëjnë një pakicë në një vend që është i kontrolluar nga një shumicë tjetër, që përbën 90% të popullësisë… Të gjithë e dimë sa e vështirë është kjo gjë në Kosovë, sepse e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kroaci, në Bosnjë më 1991 dhe më vonë, kur serbët… ose shumica e tyre nuk arritën të pranojnë idenë se përbëjnë një pakicë në një shtet tjetër që nuk është i tyre. Por, mendoj se para dilemës: pjesëmarrjes në zgjedhje ose humbjes së të drejtës për ta thënë fjalën në të ardhmen, mendoj se ata do ta gjejnë një shkallë të caktuar arsyetimi dhe të paktën… disa prej tyre do të shkojnë të votojnë.
XS
SM
MD
LG