Ndërlidhjet

logo-print

CILAT KOMPETENCA PËR PUSHTETIN LOKAL PAS ZGJEDHJEVE?


Shkelzen MALIQI

Gjatë fushatës parazgjedhore është debatuar mjaft për kompetencat e administratës komunale me theksin se ato kanë qenë të kufizuara dhe vazhdojnë të mbeten të tilla. Për këtë arsye edhe programet dhe premtimet e partive që konkuronin për pushtet janë formuluar me kushtëzimet e tipit :“do të realizojmë këto gjëra nëse do të kemi më shumë kompetenca në këto fusha, ose nëse do të kemi mjete buxhetore të mjaftueshme”. Problemi kryesor i komunave në periudhën e pasluftës vërtet ka qenë mungesa ligjeve sistemore dhe themelore, që do të përcaktoni qartë pozitën e tyre fillimisht në lidhje me administratën e UNMIK-ut dhe pastaj me institucionet qëndrore të Kosovës. Në periudhën e parë të protektoratit që definohet si periudha e rindërtimit dhe vendosjes së sigurisë bazë, komunat janë trajtuar si njësi administrative statike dhe të varura. Varësia e komunave është kushtëzuar nga infrastruktura dhe ekonomia e shkatërruar, ku nuk ka patur koncepte të qarta zhvillimore. Edhe shpërndarja e centralizuar e buxhetit të Kosovës për nevojat e komunave ka ndikuar në këtë varësi. Komunave nuk u është lejuar krijimi i të ardhurave vetjake. Sistemi i taksave dhe kontributeve ka filluar të aplikohet shumë vonë dhe komunat nga këto nuk ka në pasur ndonjë përfitim. Pas zgjedhjeve administratat e reja komunale do të fillojnë punën nga pozitat dhe kompetencat që i kanë patur deri më sot, pra me mundësitë e kufizuara që të bëhen njësi dinamizuese për zhvillimin e tyre si dhe të Kosovës. Mirëpo gjatë mandatit të kuvendeve që do të zgjidhen, kësaj rradhe 4 vjeçar, pritet se do të ndodhin ndryshime të mëdha. Siç është paralajmëruar, UNMIK-u do të detyrohet që të bëjë transferimin e pushtetit në njësitë administrative vendore me herët se çka qenë e planifikuar dhe kjo sidomos do të ndikojë në fuqizimin e kompetencave të komunave. Por ende nuk është e qartë se cili do të jetë proporcioni i ndarjes së pushtetit mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale në Kosovë. Procesi tjetër për të cilin është folur shumë në Kosovë, ai i decentralizimit po kështu nënkupton fuqizimin e kompetencave të komunave. Edhe pse për momentin decentralizimi më shumë lidhet me statusin e minoritetit serb, ai në të vërtetë do të jetë përcaktues për rolin dhe vendin e komunave, si dhe të njësive më të vogla administrative në sistemin demokratik të Kosovës. Negociatat për decentralizimin nuk do të jenë të lehta dhe në bazë të tyre do të nxirren dhe ligjet specifike sistemore të aprovuara nga kuvendi i Kosovës ose të dekretuara nga kryeadministratori i Kosovës. Për këtë arsye, mandatin 4-vjeçar të kuvendeve që do të dalin nga zgjedhjet do t'i ndaja në dy pjesë. Një ose dy vjet do të humbin në përcaktimin e kompetencave të komunave dhe vetëm pastaj ato do të mund të bëhen njësi më dinamike dhe më përgjegjëse të një sistemi modern që po synohet të ndërtohet në Kosovë.
XS
SM
MD
LG