Ndërlidhjet

MOORE:"SERBËT E KOSOVËS ZGJODHËN IZOLIMIN..."


Patrick MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë


Radio Evropa e Lirë
Çdo të thotë dalja e ulët e serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë?

P. MOORE
Kjo praktikisht thotë gjithshka. Kryadministratori Shtajner u ka thënë serbëve edhe para zgjedhjeve të mëparshme se nëse duan t’ju dëgjohet zëri në të ardhmen duhet të marrin pjesë në votime. Ata që nuk do të marrin pjesë në votime “do të lihen me duar thatë”. Serbët i dinin cilat ishin variantet, zgjodhën variantin e mospjesëmarrjes, kështu që do të mbeten jashtë çdo procesi. Nëse serbët zgjodhën të sillen si adoleshentët kur nuk u ecën fjala, atëhere duhet të mësohen me të qënit vetëm dhe jashtë realitetit.
Realiteti është që ata nuk e qeverisin më Kosovën, që Serbia nuk e qeverisë më Kosovën. Ajo po ecën drejt një të ardhmeje të re të qeverisjes së maxhorancës dhe mendoj se ata duhet të kuptojnë, se çfarë u lejohet dhe cili është vendi i tyre në realitetin e ri. Siç thashë, Shtajneri bëri gjithshka që mund të bënte. Prandaj serbët tani kanë atë izolim që donin dhe mendoj se për këtë mund të fajësojnë vetëm veten e tyre.

Radio Evropa e Lirë
Parlamenti i Maqedonisë miratoi qeverinë e re multietnike të përbërë nga Socialdemokratët dhe partia shqiptare që doli nga ish – kryengritësit. A mendoni se kjo qeveri do të funksionoj?

P. MOORE
Mendoj se do t'i duhet të funksionojë. Le të kujtojmë se në vitin 1998 njerëzit mendonin se edhe kombinimi i PDSH-së dhe Gjeorgjevskit ishte i pamundur. Dhe gjithsesi ky koalicion zgjati 4 vjet. Pse them që ky koalicion do të duhet të funksionojë? Së pari për shkak të pjesëmarrjes së të huajve në Maqedoni. Janë të huajt që kontrollojnë hyrjen dhe daljen e investimeve, financimeve dhe integrimin euroatllantik të Maqedonisë dhe janë pikërisht ata që do të shikojnë se kush do të bashkëpunojë dhe kush jo. Dhe nuk mendoj se do të ishte e mençur qoftë për partitë maqedonase, qoftë për ato shqiptare që të ishin të parët që të tregonin që janë kokëfortë dhe nuk bashkëpunojnë. Ne kujtojmë atë që Cërvenkovski tha të enjten se tani mbetet të shihet nëse shqiptarët në parlament do të bashkëpunojnë për një shtet të përbashkët me maqedonasit, apo do të preferojnë një rrugë të veçuar. Në këtë deklaratë ai nënkuptonte që kjo është një lloj sfide e drejtë për shqitparët. Them e drejtë, pasi në një deklaratë tjetër që bëri të enjten, i vuri para sfidës edhe vetë maqedonasit dhe tha se “duhet të kujtojmë se Maqedonia nuk është shtet i maqedonasve, siç thuhej në preambulen e kushtetutës së mëparshme, por shtet i qytetarëve maqedonas, siç shkruhet në kushtetutën e korrigjuar. Maqedonasit duhet të kuptojnë se të gjithë qytetarët duhen trajtuar njëlloj në një shtet të përbashkët. Dhe mendoj se Cërvenkovski po i bënte një sfidë të hapur maqedonasve që duhet të kuptojnë se nuk është vetëm shteti i tyre por shteti i të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribojnë në funksionimin e tij.

Radio Evropa e Lirë
Ka njoftime se se edhe Liberia ka shkelur embargon e armëve që ishte zbatuar dy vite më parë dhe se me armë është furnizuar nga dikush prej Beogradit?

P. MOORE
Pothuajse çdo ditë ka një befasi të re qoftë nga Banja Luka apo nga Beogradi lidhur me tregti ilegale armësh dhe kam filluar të pyes veten se ku do të çojë gjithë kjo? Çfarë befasish të tjera mund të presim gjatë javës. Sidoqoftë, të gjithë e dimë se këto janë lidhje të vjetra ekonomike dhe ushtarake që i përkasin kohës së Titos. Fakti tjetër është që megjithëse qeveria e tanishme ka 2 vjet që është në pushtet në Beograd, duket që nuk kanë gjithshka nën kontroll. Ka elemente të ushtrisë që janë totalisht jashtë kontrollit, ose Koshtunica preferon të mos i vërë re. Duhet të kujtojmë se kur Koshtunica dhe Gjinxhiç erdhën në pushtet, Koshtunica bëri paqen me ushtrinë, Gjinxhiç me policinë. Por sigurisht nuk mund të thuhet që ndonjëri prej tyre di me saktësi çfarë po ndodh me aleatët e tij aty, dhe askush nuk mund të thotë se ndonjëri prej tyre është përpjekur që t’i kontrollojë . Tani po shikojmë evidencat e kësaj. Nuk jam 100% i sigurt që nuk ka patur njerëz në nivelet e larta qeveritare në serbi dhe në Jugosllavi, që nuk kanë ditur diçka lidhur me tregtinë me Irakun apo që nuk kanë patur dijeni çfarë ndodh rreth e rrotull. Disa njerëz mund të kenë patur arsye ideologjike për të bërë këtë tregti kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, ndërsa të tjerët mund të jenë motivuar thjesht nga milionat e dollarëve që sjell kjo tregti. Por siç e thashë aty ka një problem të madh dhe jemi vetëm në fillimet e tij dhe le të shikojmë se çfarë të rejash do marrim vesh gjatë javëve të vijnë.
XS
SM
MD
LG