Ndërlidhjet

MOORE:"PREAMBULA E UNIONIT SERBO - MALAZEZ PËR KOSOVËN ËSHTË NJË PROVOKIM"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë të posaçme ne të cilën deklarohej si e papranueshme preambula e kartës kushtetuese të unionit të ardhshëm serbo-malazez, në të cilën Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë. Cili është komenti juaj mbi këtë çështje?

PATRIK MOORE
Le të shikojmë se çfarë përfshihet këtu. Çfarë është kjo kartë kushtetuese. Ky është një dokument, i cili po përpilohet nga përfaqësuesit e Gjinxhiçit, ku njerëzit e Koshtunicës dhe Gjukanoviçit luajnë gjithashtu rolin e tyre. Kjo kartë kushtetuese nuk është fjala e fundit, por është thjesht një projekt i papërfunduar. Kam dyshime se paragrafi i Kosovës është përfshirë në bazë të kërkesës së njerëzve të Koshtunicës, ose ndoshta edhe të njerëzve të tjerë të cilët mund të jenë Çoviçi etj. Por, kjo pjesë është futur qëllimisht, ndonëse askush nuk pret që të jetë fjala e fundit, por është bërë me qëllim provokimi. Është një përpjekje për të ngritur një çështje dhe për të parë cili do të jetë reagimi. Dihet që kjo është një praktikë mjaft tipike e politikanëve serbë dhe kjo nuk duhet të befasojë askënd që është marrë me politikanët serbë. Rrjedhimisht, kur kjo pjesë e preambulës u bë publike lëvizjet që vumë re ishin miratimi i rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës, të cilës iu referuat edhe ju. Kjo lëvizje është gjithashtu normale dhe nuk përbën diçka që nuk pritej. Çdo njeri në Kosovë e di çdo të thotë. Pastaj patëm reagimin e Shtajnerit, dhe ai e bëri të qartë se i vetmi dokument që vlen është rezoluta 12-44 e Kombeve të Bashkuara dhe asgjë që mund të thuhet ose bëhet nga të tjerët. Pra as kjo preambulë - kushtetute, dhe asnjë vendim i njëanshëm i Kuvendit të Kosovës nuk janë të vlefshme. Shtainer theksoi se çështja e statusit të Kosovës është e hapur dhe mbështetet tani vetëm në rezolutën 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ka bërë të ditur se Asambleja kushtetuese e Kosovës do të shpallë pavarrësinë nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të refuzojë këtë preambulë të kartës kushtetuese?

PATRIK MOORE
Mendoj se ishte një lëvizje mjaft e mençur nga ana e kryeministrit të Kosovës, sepse kjo u rikujton të huajve se kosovarët nuk do të pranojnë asnjë lëvizje si kjo dhe nuk do të pranojnë që serbët të mbajnë një dokument të tillë juridik. Në këtë rast mendoj se kjo lëvizje ishte mjaft e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, kosovarët janë të habitur nga hezitimi i Bashkimit Evropian për të refuzuar preambulën në kartën kushtetuese të paraqitur nga Serbia dhe Mali i zi, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë. Për disa analistë në Kosovë kjo është një provë tjetër që Bashkimi Evropian nuk mund të manaxhojë në formë përkatëse çështjen e Kosovës pa praninë e Shteteve të Bashkuara?

PATRIK MOORE
Nuk jam shumë i sigurt nëse Bashkimi Evropian po heziton. Unioni në përgjithësi preferon t’i bëjë gjërat qetësisht me dyer të mbyllura se sa të publikojë deklarata. Kjo është pjesë e kulturës politike evropiane, prandaj nuk duhet të befasojë askënd. Gjithashtu dimë se kjo kartë kushtetuese e paraqitur nuk është dokumenti përfundimtar. Do të duhet njëfarë kohë që ky dokument të plotësohet dhe njëra nga arsyet e kësaj kohëzgjatjeje është se problemi në të vërtetë nuk qëndron tek përfshirja e Kosovës në preambulë, por tek problemi i zgjedhjes së përfaqësuesve për Unionin e ardhshëm. Serbia mbështet zgjedhjen e drejtëpërdrejt të tyre, ndërsa njerëzit e Gjukanoviçit duan zgjedhjen indirekte. Pra këtu qëndron problemi i vërtetë dhe jo tek Kosova. Përmendja e saj në preambulë si pjesë e Serbisë është një provokim që mendoj se do të bllokohet. Do të habitesha shumë nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të pranonin që kjo pjesë e preambulës të jetë pjesë e dokumentit përfundimtar. Le të shikojmë se çfarë po bën Bashkimi Evropian prapa skenaës, le të shikojmë se çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara prapa skenës. Mendoj se shumë gjëra po ndodhin, por që ne ndoshta nuk i shohim ende.
XS
SM
MD
LG