Ndërlidhjet

logo-print

Kjo që po ndodh në Kosovë është një demokraci e kontrolluar ndërkombëtarisht


Intervistë me analistin e së drejtës ndërkombëtare, Blerim Reka.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare, si mund të definohet misioni civil i Kombeve të Bashkuara në Kosovë?

BLERIM REKA
Kam mendime si ai i Petriçit, se është një eksperiment i llojit të vet, i cili për të parën herë aplikohet në një territor. Protektorat nuk do të mund ta quanim, sepse UNMIK-u del nga shablloni teorik i protektorateve klasike. Më tepër mund ta emërtonim ose cilësonim UNMIK-un, si një administrim territoral ndërkombëtar dhe sipas një mendimi më të ri, që egziston tani në teorinë e të drejtës ndërkombëtare, UNMIK-u do të mund të quhej qeverisje ndërkombëtare në tërë një shoqëri.
Me fjalë të tjera, vetë fakti se është një mision krejtësisht i ri, i paparë, në praktikën e Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s, është e vështirë të definohet natyra e tij juridike. Megjithatë mendojmë se për nga kompetencat, nga pushteti gati absolut që ka përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, më tepër do të mund të themi se UNMIK-u është pikërisht qeverisje ndërkombëtare në tërë një shoqëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mandati i UNMIK-ut?

BLERIM REKA
Mandati i UNMIK-ut është që të krijojë, siç thuhet, një autonomi substanciale, që është një term, një nocion i padefinuar juridiko ndërkombëtar, mjaft i përgjithësuar dhe mjaft konfuz. Në fakt për dallim nga misioni UNTAET në Timorin Lindor, i cili u inagurua me rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1272, mandati i të cilit ishte shumë i qartë - përgatitja e popullit të Timorit Lindor për pavarësi, respektivisht njohja e të drejtës universale ndërkombëtare për vetëvendosje - në rastin e Kosovës, UNMIK-u nuk kishte dhe nuk ka mandat përgatitjen e popullit të Kosovës për pavarësi dhe njohjen e të drejtës për vetëvendosje, por në vend të tij, përgatitjen për një autonomi substanciale dhe njohjen e të drejtës për vetëqeverisje.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u ka obligim krijimin e institucioneve të Kosovës, si do ta vlerësonit cilësinë dhe kompetencat e tyre?

BLERIM REKA
Si me rezolutën 1244, si me kornizën kushtetuese, në fakt UNMIK-u po përpiqet të realizojë njërin nga mandatet, objektivat e këtij mandati, që njihet si mbartja apo transferta graduale e pushtetit nga ndërkombëtarët tek vendorët. Kuptohet se kosovarët, pra vendorët, nuk janë të kënaqur me intensitetin e këtij procesi të transferimit të kompetencave, madje mund të them se korniza kushetuese kishte rreth 20 fusha që mund të ishin nën kompetencat e vendorëve, por menjëherë me një rregullore pasuese mbi degët e ekzekutivit, ato u shkrinë në 9 fusha, respektivisht 9 ministri. Nëse flasim për këtë proces të transferimit të kompetencave, do të shohim se kompetencat klasike shtetërore si mbrojtja, buxheti, punët e jashtme, financat, mbeten në duart e ndërkombëtarëve, kurse kompetencat dytësore iu mbartën organeve të përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka qasje kritike ndaj realizimit te mandatit të UNMIK-ut në Kosovë.

BLERIM REKA
Fillimisht mendoj se njëri nga objektivat e UNMIK-ut dhe ky ishte shoqëria demokratike në Kosovë, u realizua vetëm pjesërisht. Arsyeja është se ne sot në Kosovë kemi një fërkim të dy legjitimiteteve: legjitimitetin etatik që është në duart e UNMIK-ut, i cili buron nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit, pra nga vetë Këshilli i Sigurimit dhe është një legjitimitet jo i zgjedhur, por i nominuar, i emëruar dhe nga ana tjetër kemi legjitimitetin demokratik, që buron nga një proces elektoral, nga zgjedhjet, pra nga vota e popullit. Ndonëse sipas teorisë klasike çdo legjitimitet që buron nga zgjedhjet, nga procesi elektoral, është demokratik dhe ai është suprem për të qeverisur në një shoqëri, në rastin e Kosovës ndodh e kundërta. Kemi supremacinë e legjitimitetit etatik, pra atij të emëruar dhe jo të zgjedhur, mbi legjitimitetin demokratik, atë të zgjedhur. Prandaj unë vij në një përfundim se kjo që po ndodh në Kosovë, është në fakt një demokraci e kontrolluar ndërkombëtarisht.
Një përfundim tjetër është procesi i qeverisjes. Fakti se pushtetet klasike, funksionet klasike shtetërore, janë ende në duart e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm, kurse ato dytësore janë mbartur në duart e organeve të përkohshme qeverisëse të Kosovës, krijojnë një model apo një situatë paradoksale, të cilën unë e quaj një bashkëqeverisje asimetrike. Asimetria në këtë rast shihet në pushtetet jo të barabarta, fuqitë jo të barabarta të ndërkombëtarëve dhe vendorëve.
XS
SM
MD
LG