Ndërlidhjet

PRAGË: Bush kërkon që NATO të bëj më shumë në luftën kundër terrorizmit.


Një ditë para samitit historik të NATO-s, kur edhe do të vendoset për vendet e reja që do t’i bashkohen Aleancës, udhëheqës politikë e ushtarakë botërorë kanë parashtruar nevojën e ri-dimensionimit të rolit të Aleancës.
Duke analizuar funksionin e NATO-s, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt, gjatë një konference për shtyp këtu në Pragë u shpreh se ‘NATO është aleanca më e fuqishme ushtarake botërore. Nuk ka dyshim se ajo do të vazhdojë të jetë e tillë edhe pas zgjerimit me anëtarë të rinj. Por NATO është gjithashtu një aleancë e demokracive dhe vendeve të cilat e kuptojnë peshën e shtetit ligjor, vende të cilat kuptojnë nevojën e kontrollit civil mbi ushtrinë; raportet e brendshme si dhe përkushtimin për të ndihmuar njëri-tjetrin’.
Presidenti i Republikës Çeke, vendit pritës, foli për rëndësinë e përcaktimit të atyre që ai i quajti ‘karakter singular’ të Aleancës që përfshin një sferë shumë specifike civilizimi. Havel, ripërsëriti qëndrimin se në Aleancë nuk duhet të përfshihet Rusia, por se në NATO nuk duhet të mungojnë vende si Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia.
‘Veç shteteve të cilat do të ftohen për t’u pranuar nesër në NATO, anëtarësimi në Aleancë, herët ose vonë u duhet ofruar Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Ky qëndrim duhet të bëhet i qartë tani’, theksoi Vacllav Havel.
Por çfarë dobie do të ketë aleanca nga anëtaret e reja?
Sipas presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, shtetet e reja pjesëmarrëse do të fuqizojnë aleancën dhe rolin e saj në atë që ai e cilësoi “luftë kundër terrorizmit global që urren lirinë”.
"E mirëpres idenë e vendeve që po i bashkangjiten NATO-s, të cilëve historia u ka imponuar nevojën për të mbrojtur lirinë me çdo kusht, vendeve të cilat me pranimin në NATO do të forcojnë aleancën tonë. Pranimi i këtyre shteteve jo vetëm që do të ndihmojë ushtritë tonë për sigurimin e paqes, por edhe do të ndikojë në thelbin e aleancës", tha George Bush gjatë konferencës së përbashkët për media me gjegjësin e tij çek, Vacllav Havel.
Duke krahasuar objektivat e tashme me ato të kohës së Luftës së Ftohtë, zoti Bush tha se pas zhvillimeve dramatike të viteve '90, armik nuk është më Rusia por terrorizmi global.
Presidenti amerikan sinjalizoi se çështja Irak, do të jetë ndër temat kryesore të samitit të vendeve anëtare dhe kandidate të NATOs që fillon punimet zyrtarisht nesër në kryeqytetin çek.
‘Ka një vlerësim universal se Sadam Husein është kërcënim ndaj paqes botërore. Tanimë është kuptuar qartë se ai duhet të çarmatoset në emër të paqes. Ne shpresojmë që ai të bëjë pikërisht këtë. Lidhur me këtë çështje ne do të diskutojmë nesër’, tha Xhorxh Bush.
Presidenti amerikan shfrytëzoi konferencën e sotme për shtyp për të ritheksuar mesazhin se Shtetet e Bashkuara mirëpresin dhe inkurajojnë angazhimin e shteteve në një koalicion për çarmatosjen e Irakut.
‘Është shumë e rëdnësishme për kombet e NATOs si dhe për të vendet e tjera të lira që të punojmë bashkarisht për çarmatosjen e Sadam Huseinit. Nëse vullneti kolektiv do të jetë i fortë ne mund ta arrijmë çarmatosjen paqësisht. Sidoqoftë nëse ai vendos të mos çarmatoset, Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë koalicionin e vendeve vullnetare për çarmatosjen e tij. Deri atëherë, ne do të konsultohemi me miqtë tanë dhe të gjitha kombet të cilët do të zgjedhin nëse do të marrin pjesë’ – parashtroi Bush.
Nga ana e tij, presidenti i Çekisë, Vacllav Havel miratoi idetë e shprehura nga presidenti amerikan kur tha se ‘bashkohem me mendimin e presidentit Bush dhe të të gjithë njerëzve të arsyeshëm se do të ishte mirë të arrihej çarmatosja e Irakut pa përdorimin e forcës’.
Më tej Havel tha se ‘…nëse do të lindë nevoja për përdorimin e forcës, besoj se NATO duhet të japë një vlerësim paraprak dhe të shpejtë të potencialit të saj si aleancë’.
Disa orë më pas, kryeministri Vladimir Shpidlla, shprehu gadishmërinë e Çekisë për t’u vënë në krah të Shteteve të Bashkuara.
Pas takimit me zotin Havel, presidenti Bush planifikon të bisedojë edhe me presidentin e Turqisë, Ahmet Sezer, kryeministrin britanik, Toni Bler dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATOs, lordin Xhorxh Robertson.
George Bush planifikonte gjithashtu një fjalim drejtuar studentëve në selinë e radios Evropa e Lirë në Pragë por që në momentin e fundit ndryshoi destinacion, për shkaqe sigurie.
XS
SM
MD
LG