Ndërlidhjet

A. MOISIU: JEMI KANDIDATË SHUMË TË FORTË PËR SAMITIN E ARDHSHËM.


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, mbajti një ligjëratë në tryezën e rrumbullakët, ‘Raundi i ardhshëm i zgjerimit të NATOS, dhe perspektiva për Evropën Juglindore’. Debati u organizua nga radio Evropa e Lirë me kryetarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, shteteve të cilat nuk kanë marrë ftesë zyrtarë për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut Verior. Pas përfundimit të punimeve të tryezës, zoti Moisiu dha një intervistë ekskluzive për programin në gjuhën shqipe të radios ‘Evropa e Lirë’, të zhvilluar nga Melazim Koci.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti president, ndonëse ka kaluar më shumë se një dekadë nga ndryshimet e bëra në vend, Shqipëria ende nuk ka arritur të anëtarësohet në NATO. Cilat janë faktorët që kushtëzuan këtë zhvillim?

ALFRED MOISIU:
Është e vërtetë që ne nuk jemi në shtatëshe dhe nuk u pranuam në këtë samit, por mund të them që jemi kandidatë shumë të fortë për samitin e ardhshëm dhe kjo u duk mëse qartë. Faktikisht ky është një rezultat pozitiv, që konfirmon atë që kemi bërë dhe po bëjmë në gjithë procesin tonë të anëtarësimit dhe se jemi në rrugë të drejtë. Sigurisht që kemi patur një tranzicion të vështirë në Shqipëri, por edhe situata në rajon nuk ka qenë shumë e mirë. Patjetër prejardhja jonë nga një regjim thellësisht totalitar, me një ekonomi tepër të centralizuar, dhe me një izolim total ndërkombëtar, ka luajtur rolin e vet. Neve dihet që kemi punuar shumë, por megjithatë lidhur me sa thashë më sipër nuk patëm mundësinë të arrijmë në kohën e duhur standartet që duhen dhe megjithatë unë duhet të them se vendimi i Pragës për ne nuk është aspak dekurajues. Përkundrazi, tani jemi më të vendosur se kurrë të mobilizohemi që të arrijmë standartet dhe kërkesat e duhura që dhe në samitin tjetër, i cili mund të jetë në vitin 2004 ose 2005, të mund të bëhemi anëtarë.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti president sa kanë ndikuar krizat dhe tensionimet e brendshme politike që Shqipëria të mbetet jashtë rradhëve të NATO-s?

ALFRED MOISIU:
Për të qenë të hapur duhet thënë se në vitin 1996 ne kemi qenë shumë afër këtij qëllimi. Sigurisht kriza e vitit 1997 dhe e vitit 1998 luajtën një rol tepër negativ dhe na çuan mbrapa. Megjithatë, unë dua të them se puna e bërë, arritjet që ka patur Shqipëria qoftë në fushën politike, qoftë në fushën ekonomike, ushtarake, diplomatike, janë të asaj shkalle që krijojnë dhe japin garancinë që në samitin e ardhshëm ne të jemi të anëtarësuar në NATO. Aq më tepër ne kemi zhvillime shumë pozitive kohët e fundit, rënien e tensioneve politike çka mendoj, është një nga arritjet më të mëdha dhe krahas të tjerash, si president më takon që këtë ta mbaj në nivelin e duhur dhe ta çoj përpara.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti president, a mendoni se zhvillimet, përkatësisht luftërat e dekadës së kaluar në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjithashtu kanë mundur të reflektohen negativisht në angazhimet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO?

ALFRED MOISIU:
Sigurisht. Dihet që ne jemi pjesë e rajonit, por jemi një pjesë shumë e rëndësishme, sepse luftërat u zhvilluan në ato vende ku banonin shqiptarët dhe ne nuk mund të ishim të dizinteresuar për fatin e shqiptarëve, për fatin e vëllezërve tanë. Rrjedhimisht, dashje pa dashje, ne u përfshimë në problemet që kishin lidhje me këto luftëra. Unë nuk po përmend shumë, por mjafton të them një fakt që dihet nga të gjithë për vitin 1999. Rreth gjysmë milioni shqiptarë të shpërngulur me forcë nga Millosheviçi dhe bandat e tij nga trojet e veta erdhën dhe u vendosën në Shqipëri. E tha edhe presidenti Mesiç sot, që ishte një nga pikësynimet e Millosheviçit të destabilizonte Shqipërinë, duke i dërguar gjysëm milioni njerëz me forcë, dhe sigurisht që të gjitha këto luajtën rolin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti president, Shqipëria megjithatë ka bashkëpunim të ngushtë me NATO-n. Periudha e ndërhyrjes së Aleancës Atlantiko-Veriore në Kosovë mbase është dëshmia më e mirë. A mendoni se ende ka hapësirë për bashkëpunim edhe më të ngushtë, pavarësisht nga fakti që Shqipëria tani për tani ende nuk ka statusin e anëtarit të plotë të Aleancës?

ALFRED MOISIU:
Pavarësisht nga vendimi që u morr, ne e quajmë veten pjesëtare të NATO-s, sepse duke filluar që nga viti 1994, Shqipëria ka qenë e vendosur përkrah NATO-s seriozisht dhe plotësisht: qoftë me lehtësirat aeroportuale, qoftë me krijimin e bazave të ndryshme dhe vënien në dispozicion të territorit kur lëvizin forcat e NATO-s. Pra Shqipëria faktikisht ka dhënë një kontribut shumë të shquar për NATO-n gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo njihet dhe është vlerësuar edhe në komunikatën përfundimtare që u dha sot.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti president, a mund të na thoni konkretisht se kur mendoni që Shqipëria do të mund të fitojë anëtarësimin në NATO dhe çfarë duhet bërë që ky proces të shpejtohet?

ALFRED MOISIU:
Sikurse e thashë, vlerësimi që është bërë në komunikatën e sotme për Shqipërinë, është një vlerësim për mendimin tim realist, që e bën Shqipërinë një kandidate serioze dhe potenciale për t'u pranuar në NATO në samitin tjetër. Dhe unë mendoj, sikurse e thashë pak më parë, që Shqipëria po ecën drejt kësaj. Jo vetëm mendoj por këto janë fakte. Po të marrim për shembull forcat e armatosura, është caktuar plani dhjetëvjeçar në bazë të të cilit ato do të zhvillohen në përshtatje me standartet e plota të NATO-s. Në këtë aspekt po na ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të NATO-s. Gjithashtu në standartet politike, vetë nënshkrimi i marrëveshjes për fillimin e negociatave për Asocijim-Stabilizimin, është një tjetër hap i madh politik dhe sigurisht nuk mund të themi që u bënë të tëra. Kemi shumë probleme; kemi reformat në drejtësi që duhet t’i çojmë përpara, kemi problemin e pronës që ne duhet ta zgjidhim, - se është një problem të cilin e kërkon jo vetëm NATO por edhe Bashkimi Evropian, - kemi problemin e ruajtjes së kufijve dhe një varg problemesh të tjera të cilat njihen. Qeveria jonë, shteti ynë, po merren seriozisht me këto çështje dhe unë shpresoj dhe kam bindje të plotë që këto do zgjidhen sepse çdo gjë ka filluar të shikohet ndryshe. Edhe ata që nuk duan do të detyrohen ta shikojnë ndryshe.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti president, lufta kundër terrorizmit aktualisht është në krye të agjendës së Shteteve të Bashkuara dhe rrjedhimisht edhe të NATO-s. Cili është pozicionimi dhe angazhimi i Shqipërisë në këtë plan?

ALFRED MOISIU:
Ne jemi deklaruar që në fillim në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën kundër terrorizmit dhe në bisedimet që unë pata kur isha në Nju Jork me zotin Grossman, i cili është ndihmësi i zotit Pauell, por dhe me përfaqësues të tjerë amerikanë në takime të ndryshme, kam thënë që "ne jemi përkrah jush, jo vetëm se e vlerësojmë Amerikën si aleatin kryesor, dhe mbështetësin kryesor të çështjes shqiptare historikisht dhe në kohën e sotme, por sepse terrorizmi është një rrezik ndërkombëtar. Ai nuk dihet se ku godet. Ai nuk bën dallime". Ju keni dëgjuar se edhe Helsinkit ju dha goditja. Se çfarë kanë të bëjnë finlandezët me fondamentalizmat e ndryshme nuk e di, por fakti është që ata nuk njohin kufij. Pra nisur nga kjo ne duhet të përgatitemi seriozisht dhe të rreshtohemi seriozisht në këtë front. Praktikisht ne kemi dërguar një repart në Afganistan, i cili po punon shumë mirë dhe është konsideruar si një nga repartet ushtarake më të përgatitura në kuadrin e të gjitha atyre forcave që ndodhen atje.

RADIO EVROPA E LIRË:
Një analist perëndimor para pak kohësh tha se Kosova nuk është në NATO, por NATO është në Kosovë. Si e vlerësoni praninë dhe angazhimin e NATO-s dhe të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, dhe më gjerë në rajon?

ALFRED MOISIU:
Mund të thuhen shumë gjëra, por fakti është se po të mos kishte qenë NATO, problemi i Kosovës nuk zgjidhej. Po mos kishte qenë NATO-ja Ballkani nuk qetësohej. Edhe sot në Ballkan kemi rreth 60 000 forca të NATO-s në Bosnje, Kosovë, Maqedoni dhe një pjesë është në Shqipëri, të cilat nuk janë për efekt të problemeve që ka Shqipëria, se s'ka probleme të tilla, por janë mbështetje e forcave që veprojnë në Kosovë dhe Maqedoni. Pra janë në prapavijë të tyre dhe sigurisht që NATO-ja po bën shpenzime kolosale për këtë punë dhe është e interesuar që këtë rajon ta qetësojë përfundimisht, sepse ashtu siç u diskutua dhe në konferencën e shtypit të cilën sapo e mbaruam, u tha që Serbia akoma nuk është plotësisht një vend demokratik. Po luftohet atje për këtë punë, dhe forcat demokratike po luftojnë goxha seriozisht, por ka dhe forca shoviniste shumë të forta. Duke dalë takuam dy të rinj të Shoqatës së Atlantikut serb, të cilët i takova në maj gjatë një konference në Beograd dhe më falenderuan pikërisht për vlerësimin që i bëra situatës konkrete që është në Serbi tani.



XS
SM
MD
LG