Ndërlidhjet

META:"RAPORTET TIRANË - BEOGRAD NUK DUHET TË MBETEN PENG I TË KALUARËS"


ILIR META, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, Shqipëria nuk mori ftesë zyrtare për anëtarësimin në NATO. Cilat i identifikoni ju si momentet kryesore që ndikuan këtë vendim?

ILIR META
Dihet se ftesa për anëtarësim u jepet atyre vendeve, të cilat arrijnë standardet e kërkuara për një hap të tillë. Duhet ta pranojmë që pavarësisht se edhe deklarata finale e samitit vlerëson progresin kuptimplotë që kanë arritur reformat në Shqipëri, përsa i takon integrimit në NATO ne kemi besim se pas ftesës që iu dha shtatë vendeve të grupit të Vilniusit, vendi ynë do të ftohet në samitin e ardhshëm. Gjatë këtyre tre viteve ne duhet të ndërtojmë një program të qartë reformash, i cili do të realizojë plotësimin e të gjithë standardeve për të merituar anëtarësimin në NATO. Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë më pranë NATO-s sesa është sot dhe ka raporte të veçanta me Aleancën. Këtë do ta konfirmojë dhe vizita e menjëhershme mbas këtij samiti që do bëjë më 29 nëntor, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi Robertson. Mund të themi pa frikë se Shqipëria i ka kontribuar rolit të NATO-s, ndoshta më tepër sesa ndonjë vend anëtar. Kjo duke patur parasysh sakrificat që Shqipëria i ka bërë në bashkëpunim me Aleancën, në disa nga krizat më të rëndësishme me të cilat ajo është përballuar në rajonin tonë.
RADIO EVROPA E LIRË
Meqë jemi në çështjen e anëtarësimit, sa kohë mendoni se i duhet realisht Shqipërisë për të bindur Bashkimin Evropian se është pjesë e Evropës?

ILIR META
Me përfundimin e negociatave për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit dhe me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, përfundimisht Shqipëria konsiderohet si kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Fillon kështu një proces të ri, i cili ka të bëjë me përgatitjen dhe përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pra në përgatitjen e saj për anëtarësimin në BE. Sa i takon hapit përfundimtar të anëtarësimit, sigurisht që edhe kjo do të kërkojë kohën e saj, e cila do të jetë më e gjatë sesa ajo për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut Verior. Megjithatë gjithçka do të varet nga rritmi i reformave që ne do të arrijmë të realizojmë për këtë qëllim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju planifikoni të shkoni javën tjetër në Beograd. Cili është qëllimi i vizitës suaj?

ILIR META
Qëllimi i kësaj vizite zyrtare është për të çuar më tej marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, dhe në veçanti me Serbinë. Është për të nënshkruar disa marrëveshje për sa i takon bashkëpunimit bilateral, dhe për të fiksuar një kalendar të qartë për nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të tjera që ne i kemi paraqitur. Të gjitha këto së bashku do të përbëjnë kuadrin institucional të marrëdhënieve midis dy vendeve në të ardhmen, që në të kaluarën kanë qënë të bllokuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë një tryeze të rrumbullakët që u mbajt në Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, tha se Serbia duhet të kalojë në një proces denazifikimi dhe katarsisi. Deklarata të tilla nuk janë formuluar asnjëherë nga Tirana zyrtare. Ju si e konsideroni Serbinë?

ILIR META
Unë mendoj se çdo politikan dhe drejtues i një vendi ka të drejtë të gjejë mënyrën e tij për t’u shprehur. Mendimi im është se përgjegjësi kryesor i politikës së genocidit në gjithë Ish-Jugosllavinë, duke përfshirë dhe Kosovën, tashmë dhe me vullnetin e autoriteteve të Beogradit dhe kontributin e tyre, ndodhet në Hagë. Bindja jonë është se Serbia ka hyrë në një proces demokratizimi, i cili sigurisht që nuk do jetë i lehtë, por do jetë i gjatë, plot vështirësi dhe sfida, por që është i pakthyeshëm. Sigurisht se kërkesa të tilla janë bërë edhe nga Shqipëria. Më e rëndësishmja veçanërisht për ne si Shqipëri, është që sot marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë të krijojnë një klimë sa më pozitive për reflektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, ashtu sikurse është e rëndësishme që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë të shërbejnë për të inkurajuar një frymë bashkëjetese dhe pajtimi midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, për të forcuar paqen. Marrëdhëniet tona nuk do të ngelen më peng i së kaluarës. Së dyti Shqipëria dhe Jugosllavia, apo Serbia, kanë tashmë një destinacion të përbashkët i cili është Bashkimi Evropian. Problemet që egzistojnë duhet të zgjidhen me këto koncepte evropiane, me këto standarde evropiane, të cilat nuk janë standarde të dyfishta, por të njëjta për të gjithë, dhe nuk duhet të vonojmë kohë për të inkurajuar këto procese.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të hapjes së një dialogu Prishtinë-Beograd, cili do të ishte roli i Shqipërisë?

ILIR META
Ne do të mbështesim çdo dialog midis autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit, por për të mbrojtur interesat e tyre janë përgjegjës vetë të zgjedhurit dhe të mandatuarit nga populli i Kosovës, janë institucionet e reja të cilat janë krijuar atje. Në rast dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ne do të bëjmë atë që do të na kërkohet dhe do të çmojmë të arsyeshme se i kontribuon një klime pozitive dhe një përpjekjeje për të rivendosur një mirëbesim, që kërkon të shikojë nga e ardhmja.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka një aktivitet të shtuar të të gjithë faktorëve që janë të angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Si po e konfiguron politika shqiptare qëndrimin në këtë periudhë zhvillimesh shumë të vrullshme?

ILIR META
Ne i përmbahemi qëndimit se sa i përket të ardhmes së Kosovës, kjo është një çështje, zgjidhja e të cilës duhet të harmonizojë dhe të kënaqë disa elemente dhe parime së bashku. Është një çështje që kërkon mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar dhe që kërkon angazhimin e tij, është një çështje që kërkon të merret në konsideratë vullneti i qytetarëve të Kosovës për të ardhmen e saj dhe njëkohësisht duhet të jetë një zgjidhje që do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit të Kosovës dhe në përgjithësi paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Pra është një zgjidhje, e cila nuk është e lehtë, por kërkon kohën e saj. Dhe gjatë kësaj kohe duhet të forcohen institucionet që janë krijuar dhe duhet të ruajnë aftësitë e tyre vetëqeverisëse dhe padyshim që askush nuk do të vinte në diskutim se Kosova është në gjendje të vetë sigurojë stabilitetin e saj dhe t’i kontribuojë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

INTERVISTOI: ULPIANA LAMA
XS
SM
MD
LG