Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: MENDOJ QË KJO DO TË JETË VAZHDIMI I NDARJES SË MITROVICËS NËN NJË EMËR TJETËR


“Ai e di që nuk do arrijë t’i japë fund strukturave paralele brenda natës; e di që nuk do ta largoj influencën e Beogradit në këtë zonë brenda natës. Mbase, me gjasë, ai nuk e dëshiron këtë, pasi e shehë Beogradin si një faktor stabiliteti që mund ti kontrolloj disa nga këta njerëz…nëse ata fare mund të kontrollohen” – thotë analisti i Radios “Evropa e Lirë”, Patrick Moore duke folur lidhur me urdhërin e zotit Steiner për bashkimin e Mitrovicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket sikur ngjarja kryesore politike këtë javë ishte urdhëri i zotit Steiner për të vendosur kontroll në pjesën e dominuar nga serbët në Mitrovicë. Zyrtarë ndërkombëtarë janë shumë të kënaqur me këtë ngjarje. Një deputet shqiptar i Kuvendit të Kosovës tha se “ky është krijim i një komune të re mbi baza etnike serbe”. A mendoni se ky është me të vërtetë fundi i ndarjes së Mitrovicës?

PATRIK MOORE
Duket se mësimi i vërtetë nga kjo është me siguri proverbi francez që “sa më shumë gjërat ndryshojnë aq më shumë mbeten të njejta”. Dy gjëra janë të qarta në këtë marrëveshje të Steinerit me Beogradin; së pari - është fakti se ne nuk dimë se çfarë qëndron pas kësaj marrëveshjeje. Së dyti - është e qartë që kjo marrëveshje është shumë më e thellë, sesa paraqitet në sipërfaqe dhe vetëm koha do ta tregoj përmbajtjen e saj të vërtetë. Nëse do t’i përgjigjesha pyetjes suaj me një fjali, mendoj që kjo do të jetë vazhdimi i ndarjes së Mitrovicës nën një emër tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vizitës së tij të fundit në Mitrovicë, zoti Çoviq tha se “rojat e urës” dhe ish pjesëtarët e ministrisë së brendshme serbe do të kenë të drejtë të konkurrojnë në Shërbimin policor të Kosovës, që do të jetë i angazhuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Çfarë është komenti juaj…a do të fuksionoj kjo?

PATRIK MOORE
Kjo nuk është hera e parë në histori, që një ushtri apo forcë policore ka “ndryshuar” besnikërinë e vet, thjesht nëpërmjet ndryshimit të uniformës. Në realitet çdo gjë qëndron e njëjtë. Ishte me të vërtetë një mister i madh njoftimi i kësaj jave. A duhet të besojmë që këta gangsterë që janë në “Rojat e Urës,” dhe njerëzit e tjerë në veri, të cilët kanë terrorizuar zyrtarët ndërkombëtarë sa herë që kanë shkuar aty, janë shndërruar papritur në policë të mirë dhe të bindur? A duhet të besojmë që nuk kanë pasur kundërshtime të forta ndaj dorëzimit të asaj që kanë pasur gjithë këto vite, thjesht për faktin se ka pasur një marrëveshje mes Steinerit dhe Çoviçit? A duhet të besojmë se kjo do të ndryshojë diçka? Jo, këta njerëz e dinë se çfarë po ndodhë, e dinë që ajo që po ndodh aty është ndoshta një ndryshim në formë, por jo në thelb.

RADIO EVROPA E LIRË
Po e diskutoj këtë çështje sepse disa analistë thonë se vendimi i fundit i zotit Steiner nuk do ta arrijë qëllimin e vet kryesor: bashkimin e Mitrovicës nën administratën e Unmikut dhe zyrtarëve të zgjedhur lokalë. Si i parashikoni zhvillimet e ardhshme lidhur me këtë çështje?

PATRIK MOORE
Ndoshta ajo që zoti Steiner po përpiqet të bëjë është të marrë minimumin e saj që mund të marrë. Siç e themi në anglisht “nëse nuk mund ta marrësh një bukë të plotë atëherë merre bile gjysmën e saj”. Ai e di që nuk do arrijë t’i japë fund strukturave paralele brenda natës; e di që nuk do ta largoj influencën e Beogradit në këtë zonë brenda natës. Mbase, me gjasë, ai nuk e dëshiron këtë, pasi e shehë Beogradin si një faktor stabiliteti që mund ti kontrolloj disa nga këta njerëz…nëse ata fare mund të kontrollohen…
Gjëja më interesante në gjithë këto zhvillime, nuk ësht fakti që nuk do shohim ndryshime në Mitrovicë…Mendoj se shumë interesante do të jetë se si në sytë e serbëve në Veri dhe në sytë e Steinerit do të shihet fakti se personi që kishte mundësi të merrte ndonjë vendim për këtë gjë ishte pikërisht Çoviçi…Kjo gjë na bën të pyesim se në gjithë aktet kriminale të “rojave të urës” dhe të të tjerëve, sa autoritet ka pasur Beogradi në ato kohë?
XS
SM
MD
LG