Ndërlidhjet

logo-print

PATRICK MOORE: "TRENI" I INTEGRIMIT PO LËVIZË, TË TJERËT JANË PËRFSHIRË NË TË, POR SERBIA JO


“Nëse kjo (decentralizimi) do të ishte një çështje administrative, do të ishte zgjidhur brenda 2 javësh që në vitin 1999, por vazhdon të përsëritet dhe kjo tregon se nuk ka karakter administrativ por politik” – thotë analisti i Radios “Evropa e Lirë”, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë shumë po diskutohen akuza për korrupsion. Këto akuza janë të fokusuara, kryesisht në kosovarë. Para disa ditëve një ish zyrtar i lartë i BE-së ishte arrestuar për dyshime për vjedhje të 4. 5milonë euro. A mendoni se aktualisht në Kosovë…korrupsion ka vetëm në mesin e zyrtarëve lokalë dhe jo ndër ndërkombëtarët atje?

PATRICK MOORE
Me sa duket ka korrupsion edhe në rradhët e ndërkombëtarëve e jo vetëm në Kosovë. Ajo që thatë ju, është thjesht një sasi e ulët, pasi ka shumë njerëz dhe shumë para të derdhura, një pjesë e të cilave e gjejnë rrugën për në xhepat e gabuar ku nuk përkasin. Por ajo që më befason më tepër është fakti se është vetëm një person i kapur, që është përpjekur të vjedhë 4.5 milionë euro… dhe nuk kemi pasur raste, bile unë ashtu mendoj, të tjera të një vjedhjeje kaq të madhe, ta zëmë, në Kroaci, Bosnje apo në ndonjë vend tjetër. Ndoshta disa njerëz nuk janë kapur ende…por mendoj se arsye e pjesërishme është se, të paktën në brendësi, organizatat e rëndësishme ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, janë shumë efikase në kontrollimin e punonjësve dhe parave të tyre. Mendoj se në rradhët e disa organizmave joqeveritare çështjet komplikohen pak më tepër, por gjithsesi korrupsioni nuk është një fenomen që befason sepse ku ka njerëz, para dhe pushtet…nuk ka ndodhur që të mos ketë abuzim. Kështu ka qenë që në fillim të historisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i decentralizimit është aktualizuar përsëri. Ekspertët nga Këshilli i Evropës ishin në Kosovë për të ndihmuar në këtë çështje. Ndër analistët kosovarë nuk është krejtësisht e qartë se çka po ndodhë. Nga kënd-vështrimi juaj... a është kjo më tepër çështje politike se sa administrative?

PATRICK MOORE
Nëse kjo do të ishte një çështje administrative do të ishte zgjidhur brenda 2 javësh që në vitin 1999, por vazhdon të përsëritet dhe kjo tregon se nuk ka karakter administrativ por politik. Ajo për të cilën flasim është decentralizmi që do tu mundësoj komuniteteve të serbëve apo dhe të tjerave, të kenë vetëqeverisje… por çfarë shkalle e vetëqeverisjes nënkuptohet dhe në çfarë mase kjo lloj vetëqeverisjeje ndërlidhet me pjesën tjetër të Kosovës, këto janë pyetje politike dhe ne duhet thjesht të presim se si do të përparojnë gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e mundshme të gjenden ndërlidhje ndërmjet çështjeve, siç janë decentralizimi dhe standardet për procesin e statusit final të Kosovës. Cila është pikëpamja juaj?

PATRICK MOORE
Është e qartë se çështja e decentralizmit, nëse e kuptojmë atë si një proces dhe jo thjesht një ndarje administrative, pra si një proces të ndërtimit të besimit në rradhët e serbëve, atëherë ajo ndërlidhet me standardet e statusit final të Kosovës, sepse ashtu siç e dimë, ndërkombëtarët nuk do të dakordohen me pavarësi apo me asgjë që duket si pavarësi e Kosovës, derisa të drejtat themelore të serbëve të mos respektohen. Dhe një nga gjërat bazë që serbët do të duhet të tregojnë, në mënyrë që ndërkombëtarët të hapin bisedimet për statusin final, është që të ndjehen të sigurt dhe të mbesin dhe të jenë të aftë të menaxhojnë punët e tyre. Pra le të shohim se çfarë do të ndodhë, le të shohim se cili do jetë roli i Beogradit në gjithë këto ngjarje. Javët e kaluara kam dhënë mendimin tim, ndoshta mund të gabohem, por sipas meje, vendimi i fundit nga Bashkimi Evropian që të përgatitë shtete të reja për anëtarësim përfshirë këtu Slloveninë, dhe vendimi i NATO-s që të pranoj Slloveninë, Rumaninë dhe Bullgarinë në rradhët e saj… si dhe të përgatitë një rund tjetër të anëtarësimit për Shqipërinë, Kroacinë, dhe Maqedoninë - është paraqitur si një dush i ftohtë për Beogradin sepse treni i integrimit po lëvizë, të tjerët janë përfshirë në të, por Serbia jo. Gjithashtu atje janë disi të shqetësuar për hetimet lidhur me shitjen e armëve nga Serbia në Irak. Pra, siç kam thënë, mbase mund edhe të gaboj, por jam i mendimit, se kohët e fundit po ndjehet një sens i ri i ndërgjegjësimit në Beograd dhe le të shohim se cili do të jetë rezultati i gjithë kësaj.
XS
SM
MD
LG