Ndërlidhjet

BALLKANI TË MOS MBETET PASDORE


Ballkani vazhdon të mbetet një fuçi baruti tre vjet pas përfundimit të luftës, thuhet në një raport të ri, i cili nxit Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Organizatat Ndërkombëtare të ndihmës që të luajnë rol aktiv në rindërtimin e rajonit. Raporti i hartuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë konkludon se papunësia e lartë, organizatat e krimit, korrupsioni qeveritar dhe tensionet etnike dhe fetare, mund t’i bëjnë Bosnjën, Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë, forca destabilizuese dhe destruktive për gjithë Evropën Juglindore, vëren Nju Jork Tajms.

“Pa një mbikqyrje serioze dhe më shumë ndihma nga Evropa, Shtetet e Bashkuara, Banka Botërore dhe të tjera agjenci, rajoni mund të shndërrohet në një strehë për trafikantët e drogës, të njerëzve si dhe për militantët islamikë. Nëse nuk vazhdohen programet e rindërtimit, niveli i varfërisë do të vazhdojë të rritet, duke nxitur migrim në masë në vendet përreth”. Përveç kësaj raporti thotë se dështimi për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit, mund të ushqejë kritikat e evropianëve dhe botës myslimane se Shtetet e Bashkuara janë më të interesuara të bëjnë luftë sesa të ruajnë paqen. Kritikët mëtojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të përfundojnë rindërtimin jo vetëm të Ballkanit por edhe të Afganistanit, përpara se të hartojnë programet për pushtimin dhe rindërtimin e Irakut. Raporti është shkruar nga një ekip 21 anëtarësh, i kryesuar nga Eduart Majer – ish shefi i Shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara dhe gjenerali në pension, William Nash, i cili pati komanduar trupat amerikane në Bosnje.
Ndër rekomandimet e raportit të Këshillit, përmendet nevoja që rolin kryesor në rindërtimin e Ballkanit ta marrë Evropa; që NATO të riafirmoj angazhimin e vet afatgjatë për ruajtjen e forcës paqeruajtëse në rajon; që Shtetet e Bashkuara të luajnë rol vital përmes ndihmës ekonomike dhe pranisë ushtarake. Këshilli vlerëson se Shtetet e Bashkuara do të shpenzojnë 8 miliardë e deri në 12 miliard dollarë në operacione ushtarake dhe 3.5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për Ballkanin deri në vitin 2010, përfundon Nju Jork Tajms.

Ndërsa një artikull i Boston Globe krahason politikat e mundshme ndaj Irakut në një situatë pas lufte, me modelin e administrimit të Kosovës. Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se administrata Bush po zhvillon bisedime me aleatët për qeverisjen e pas luftës në Irak nën një mandat të Kombeve të Bashkuara ose nën një koalicion civil ndërkombëtar, duke hequr dorë nga propozimet e mëparshme për qeverisje ushtarake amerikane gjatë 2 viteve të pritura të tranzicionit. Si model për procesin, pohon kjo gazetë, Shtetet e Bashkuara po vlerësojnë gjithnjë e më tepër administrimin civil ndërkombëtar të Kosovës, i cili mendohet të ketë përparësi në krahasim me instalimin e regjimeve ushtarake të tipit të pas luftës së dytë botërore, siç ndodhi në Japoni apo në Gjermani.
Uashingtoni po përpiqet të mos marrë gjithë përgjegjësinë për Irakun por të ftojë dhe burime të tjera apo institucione ndërkombëtare për të ndarë sa peshën aq edhe përfitimet potenciale gjatë tranzicionit në vendin e pasur me naftë, përfundon Boston Globe.
XS
SM
MD
LG