Ndërlidhjet

logo-print

AMERIKËS I NEVOITET STABILITETI NË BALLKAN


INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE

Derisa vëmendja është e përqëndruar në Irakun, sikur nuk po shihen disa interesa jo më pak të rëndësishme. Kjo është dobësi, sepse ekziston një lidhje e fortë midis Ballkanit nga njëra anë, dhe luftës kundër terrorizmit dhe marrëdhënieve midis Amerikës dhe aleatëve të saj evropianë nga ana tjetër.
Stabiliteti në Ballkan është imperativ për suksesin e luftës aktuale kundër terrorizmit. Pa ambient stabil politik, ekonomik dhe të sigurisë, rajoni do të bëhej një vakum, në të cilin krimi i organizuar do të dominojë, varfëria do ta nxitë migrimin ilegal dhe destabilizues në Evropë dhe Amerikë, kurse terroristët do të gjejnë strehim.
Rezultatet e këtilla do të ishin shkatërrimtare për Ballkanin, dhe dështim i pakëndshëm i politikës së Amerikës, me pasoja të dëmshme për myslimanët e Ballkanit dhe për marrëdhëniet amerikane me botën myslimane. Ballkani gjithashtu është vend ku testohet aftësia e Bashkimit Evropian për një bashkëpunim të ri midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, i cili do të ishte model për bashkëpunimin e ardhshëm trans-atlantik.
Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në rajon ishte e një rëndësie të veçantë në vitet e 90-ta, por kjo sot ka mbetur mbi shpatullat e Evropës. Bashkimi Evropian ndërkaq, kësaj sfide i përgjigjet me ndihma teknike dhe ekonomike, si dhe me inkurajimin e reformave politike, ligjore dhe sociale.
Është në interesin e Amerikës t’i inkurajojnë ndryshimet në vendet Ballkanike, sidomos duke përdorur ndikimin e NATO-s për një siguri stabile dhe reforma ushtarake.
Kjo nuk don të thotë se Amerika mund të tërhiqet dhe Ballkanian t’ia lërë evropianëve. As nuk don të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’u përmbahen interesave apo parimeve të veta, dhe të divergjojnë nga ato të aleatëve të tyre. Kjo më shumë flet se angazhimi amerikan është i domosdoshëm për shtetet e Ballkanit, që ta arrijnë stabilitetin dhe të bëhen partnere produktive. Sfidat tjera aktuale me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në vendet tjera, tregojnë se është në interesin e amerikanëve që të marrin rolin mbështetës, e jo dominant në rindërtimin e Ballkanit.
Edhe shumë punë duhet bërë. Prioritet mbetet arrestimi dhe ekstradimi në Hagë i kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq. Nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare duhet ndërmarrë aksion kundër grupeve politiko-kriminale, që i minojnë reformat. Përvoja e kaluar në Bosnje dhe Kosovë tregoi se aksionet e vendosura u dëshmuan të suksesshme.
Liderët ballkanikë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbështesin standardet dhe kërkesat, të përfshira në procesin e asocim-stabilizimit të Bashkimit Evropian dhe planin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, si parakusht për integrim në Evropë.
Ndihma e kushtëzuar ndërkombëtare është mënyra më e mirë për t’i siguruar ndryshimet, jo aq shumë popullore, por të domosdoshme.
Shtetet e Bashkuara kanë investuar resurse të konsiderueshme në Ballkan në tetë vitet e fundit, dhe ky investim ka filluar të shpagohet. Ky projekt është tepër i rëndësishëm, që të lihet i pa përfunduar.

XS
SM
MD
LG