Ndërlidhjet

LUFTA E (PA)SHMANGSHME


"NYT", "TIMES", "DW"




Kolumnisti Tomas Fridman në "Nju Jork Tajms" shkruan se presidenti i Irakut Sadam Hysein me gjasë do të ketë edhe një mundësi për të shmangur luftën me Shtetet e Bashkuara.
Para se lufta e dytë e Gjirit të ketë filluar, delegacioni ruso – francez ose arab do të shkoj në Bagdad, në përpjekjet për të bindur Sadamin që të kursej familjen e tij dhe të gjithë nga lufta, duke asgjësuar armët e tija ose duke shkuar në ekzil nën protektoratin arab ose evropian, pohon "Nju Jork Tajms".
Autori i shkrimit Tomas Fridman në vazhdim vë në pah se shumë vende nuk dëshirojnë të shohin një luftë tjetër në Gjirin Persik. Egjipti frikësohet nga rebelimi i popullatës, Siria për faktin që mund të jetë caku i ardhshëm, ndërsa Turqia i druan konfliktit për shkak të çështjes kurde dhe për faktin që humb shumë në tregëtinë me Irakun.
Për këto dhe shkaqe tjera "Nju Jork Tajms" konstaton se Shtetet e Bashkuara duhet t'u lejojnë inspektorëve të Kombeve të Bashkuara që të vazhdojnë me punën e tyre. Autori i këtij shkrimi pohon se Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë dëshmi kredibile për të justifikuar luftën, nëse dëshirojnë mbëshetje të aleatëve.
"Tajmsi" britanik në një shkrim të autorit Uiliam Mog pohon se zhvillimet rreth luftës me Irakun kanë shkuar aq larg sa më nuk mund të ndalen as me ndonjë mrekulli. Nëse presidenti Bush tash do të tërhiqej, gjë të cilën ai nuk do ta bëjë, pasojat do të ishin katastrofale, jo vetëm për administratën e tij dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe për paqjen në Lindjen e Mesme dhe botë.
"Nëse në këtë çast George W. Bush do të tërhiqej, atij si mbetet tjetër pos të japë dorëheqje", pohon "Tajms"- i londinez, për të shtuar se kjo para botës arabe Sadam Hyseinin do ta nxerrte si mbijetues nga dy konfrontime me Shtetet e Bashkuara.
Porosia në botën arabe do të ishte kjo: metodat e Sadam Hyseinit janë të sukseshme, konkludon "Tajms".
Lufta dhe paqja janë subjekt i editorialit edhe në të përditshmen gjermane "Di Velt". Autori i shkrimit Torsten Krauel vë në pah se konflikti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Irakut ende mund të shmanget. "Di Velt" në vazhdim pohon se për faktin që caqet ushtarake irakiene janë të shpërndara në mesin e popullatës, bombardimet mund të shkaktojnë numër të madh viktimash në mesin e civilëve. Autori i shkrimit në "Di Velt" thotë se lufta e vitit 1991 ka dëshmuar se Sadam Hyseini është i gatshëm për të vënë dhe sakrifikuar popullin e vet si pengje para bombardimeve.

XS
SM
MD
LG