Ndërlidhjet

EURO SOLLI SHTRENJËTIMET NË KOSOVË


Ibrahim REXHEPI


“Euro në Kosovë - një hap i madh drejt europianizimit të Kosovës". Kështu mund të përshkruhet entuziazmi i vitit të kaluar kur Kosova vuri në qarkullim euron. Kosova në Europë me euron, por edhe me një jetë më të shtrenjtë- mund të përshkruhet disponimi i kosovarëve 12 muaj më vonë. Ata kanë të drejtë meqënëse inflacioni sot do të jetë 11 %, ose gati 2 herë më i lartë se vjet. Mirëpo Endi Birpark, përgjegjës për zhvillim dhe rindërtim ekonomik, nuk mendon se euro ka nxitur inflacionin. Sipas tij, pjesëmarrja e euros në këtë lëvizje është më e vogël sesa fajësohet. Është karakteristike se valuta evropiane është përvetësuar shumë shpejt nga kosovarët. Ndërrimi i markës në euro u bë pa probleme, tregu ishte pajisur mirë, dhe ishin të rralla rastet e paraqitjes së eurove të falsifikuara. Mirëpo qytetarët nuk i kanë harruar pritjet e gjata para sporteleve të bankava kur donin të dorëzonin markat dhe të merrnin euro. Madje institucionet financiare për këtë transaksion merrnin provizion të lartë, ndonëse nuk ishin paralajmëruar për këtë dhe nuk duhet harruar dhe fakti se nevoja për t’u furnizuar me valutë të re shumë para i nxorri nga arka familjare dhe i futi në qarkullim bankar. Që nga qershori i vitit të kaluar dhe deri në fund të janarit të sivjetëm, depozitat bankare u rritën, përkatësisht u dyfishuan. Ndonëse që atëherë ato kanë tendencë të kenë një rënie të lehtë, megjithatë bankerët janë të kënaqur me sasitë e parave që biznesi ua ka besuar. Nuk ka më probleme as për pagesat e transfereve të ndryshme nga Evropa. Të gjitha punët bëhen me euro dhe njerëzit gati sa nuk e kanë harruar fjalën konvertim, veçanërisht tani kur valuta europiane është forcuar dhe qëndron në një nivel me dollarin. Megjithatë qytetarët kanë më shumë nostalgji për markën. Kjo nuk përbën një nostalgji për përdorimin e gjatë të saj, as për faktin se marka dëboi dinarin si valutë zyrtare nga kjo hapësirë. Por, qytetarët kanë një bindje se kostoja e jetës ishte shumë më e lirë me valutën e dikurshme gjermane. Ndonëse statistika tregon inflacion prej 11 %, ankesat janë shumë më të mëdha dhe për këtë fajësohen dy kategori njerëzish: bankerët dhe tregtarët. Të parët që kundrejt këmbimit të valutës aplikuan një shkallë të lartë të provizionit, në kohën kur në Evropë ky transaksion bëhet pa kompensim. Arsyetimi bankar mbështetej në shpenzimet e larta të transportit dhe në sigurinë që duhej paguar. Në të njëjtën kohë tregtarët nuk bënë rrumbullakësimin e çmimeve, por kishin një rritje çmimesh të cilën as ata nuk mund ta arsyetojnë. Zakonisht gjatë rrumbullakimit të çmimeve synohet niveli më i lartë, por jo dhe ai minimal ku ishte i mundshëm. Por së fundi egziston bindja në Kosovë se inflacioni është i importuar. Kjo për faktin se banka qëndrore kosovare nuk mund të bëjë emetimin e parasë, pasi valuta është e importuar, njësoj si pjesa më e madhe e mallrave për konsum apo për investime. Por, në fakt tregtarët këtu e kanë fitimin mjaft të madh. Nga ana tjetër me euron, tregu kosovar ishte mjeft tërheqës për shumë tregtarë të cilët nuk ishin konkurentë për tregun evropian. Këtu ata gjetën hapësirë që të realizohet një valutë e fortë, - euro. Tani 12 muaj pas futjes së euros në qarkullim, kosovarët thua se u mësuan me këtë ambient. Ata kanë pranuar si realitet inflacionin më të madh në krahasim me të gjitha vendet që kanë në përdorim euron dhe e tëra kalon me një ngushëllim se Kosova nuk ka mekanizma për të mbrojtur konsumatorin, por në të njëjtën kohë edhe me bindjen se që të gjitha problemet që sjell operacioni i ndërrimit të valutës janë të kaluara. Të paktën tregtarët nuk do të kenë më nevojë të rrumbullakojnë çmimet. Ndërkaq ky rrumbullakim është bërë simbol i shtrenjtimit. Megjithatë problemet e mëdha ekonomike dhe buxheti mjaft i kufizuar janë paralajmërimet për gjendjen e rëndë sociale që do të dominoj edhe gjatë vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG