Ndërlidhjet

Dr. RUGOVA:"KËRKOJMË NJOHJEN E DREJTËPËRDREJT TË PAVARËSISË..."


Intervistë e Radios Evropa e Lirë me kryetarin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

RFE/RL: Zoti president, kohët e fundit është ngritur çështja e statusit përfundimtar të Kosovës dhe standardet që duhet të përmbushen për të mundësuar fillimin e diskutimeve mbi këtë status. Sa ka baza reale për përmbushjen e këtyre standardeve, duke pasur parasysh kompetencat që keni Ju, institucionet vendore?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Ju e dini se unë insistoj që pavarësia e Kosovës të njihet drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian dhe nga OKB-ja që do ta formalizonte. Ka mendime të ndryshme se duhet bërë sërish diskutim për statusin, do të thotë për pavarësinë e Kosovës. Ju e dini se ne i kemi kryer një palë diskutime në Paris dhe atëherë pala tjetër nuk ka pranuar dhe është ndëshkuar, pastaj intervenimi i NATO-s, situata e re e krijuar qe tri vjet e gjysmë në Kosovë, pra progresi, realiteti i ri, të gjitha, pra, janë parakushte që të njihet drejtpërdrejt Kosova. Sa u përket standardeve, ne qe tri vjet e gjysmë punojmë në këto standarde. Tash kohët e fundit, kryeadministratori Steiner i ka reduktuar në pesë-gjashtë pika, që, “de facto” janë të gjitha ato në të cilat kemi punuar qe tri vjet e gjysmë. Them se më përpara duhet të njihet pavarësia e Kosovës ose nëse shkojmë me këto terma që po thonë statusi para standardeve, ose pas standardeve, UNMIK-u do të vazhdonte atëherë me një formë më të reduktuar, ndërsa NATO-ja do të kishte baza këtu përgjithmonë, pasi do të jemi anëtar i NATO-s, anëtar i Bashkimit Evropian dhe do bënte sigurinë e Kosovës dhe ne sigurisht do të forcoheshim në planin e sigurisë.

RFE/RL: Zoti president, ndërkohë që Ju vazhdimisht keni kërkuar njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, siç thatë edhe tash, tani kanë filluar të përmenden edhe afate kohore për zgjidhjen përfundimtare të statusit. Kur mendoni Ju në fakt se do të përcaktohet statusi i Kosovës?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Unë mendoj sa më shpejt, sot ose nesër, me njohjen e drejtpërdrejtë. Ndërkohë, ka spekulime të ndryshme se mund të fillohet vitin e ardhshëm ose më vonë, ose më herët etj., por unë më shumë i marr këto si spekulime pozitive. Por, është me rëndësi që tash po flitet për këtë çështje, pra që duhet të njihet Kosova edhe në planin ndërkombëatr dhe kjo është pozitive, me të gjitha spekulimet dhe parashikimet e ndryshme.

RFE/RL: Kur flasim për kompetencat, zoti president, Ju keni emëruar ish-senatorin Bob Dol ambasador nderi të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emërim ky që është kontestuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Cila duket të jetë zgjidhja për këtë problem?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Ka pasur keqkuptime këtu. Natyrisht, po e them edhe për ju se, ne dy vite kemi punuar me UNMIK-un bashkë, nëse ju kujtohet KPA, qeveria e përbashkët dhe një këshill i vogël. Ndërsa, prej fillimit të këtij viti, me konstituimin e institucioneve të Kosovës, tash punojmë në dy vija, pra janë institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u. Në këtë plan duhet të krijojmë forma më produktive të bashkëpunimit edhe të komunikimit. Sa i përket emërimit të senatorit Dol, ky ishte një nder për mua dhe për popullin e Kosovës që ta emërojmë. E kam bërë në bazë të kompetencave të mia. Është një pikë atje ku flitet se presidenti i Kosovës ka të drejtë në mirënjohje, falënderime dhe emërtime të ndryshme, ndërsa pika tjetër, sa i përket anës zyrtare në planin ndërkombëtar, kam të drejtë të marr masa në planin ndërkombëtar dhe të hap zyra të reja të përfaqësimit të Kosovës, në bashkëpunim me administratorin Steiner. Gjithsesi, është i plotfuqishëm ai vendim dhe zoti Dol të vazhdojë të punojë. Këto, më shumë ishin keqkuptime, në përgjithësi. Sa u përket kompetencave që i përmendët, duhet që gradualisht të barten kompetencat tek institucionet e Kosovës. Përndryshe, nëse ngadalësohen, atëherë mund të shkojmë në dy binarë, ne edhe UNMIK-u. Ai konflikt i interesave duhet të zgjidhet, prandaj të mos mbetemi pushtet moral, por gradualisht duhet të barten kompetencat, të mos e harrojmë këtë.

RFE/RL: Në funksion të përcaktimit të këtij statusi, Ju keni propozuar që Kosova të ketë simbolet e veta. A mendoni se simbolet që Ju keni propozuar do të jenë të pranueshme për të gjitha palët?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Ekzistojnë procedura, si në çdo shtet, se si aprovohen këto. Unë si kryetar i Kosovës kam marrë këtë iniciativë, për flamurin për himnin. Himni, siç e dini, ka qenë një këngë e 1912, që e kanë kënduar luftëtarët e atëhershëm, populli, të gjithë. Më duket edhe në Shqipëri dhe në vise të tjera shqiptare është kënduar, prandaj do të regullohet në pikëpamje profesionale, artistike dhe me standarde shtetërore. Po ashtu, edhe flamuri i ruan elementet themelore të përgjithshme kombëtare dhe specifikat e Kosovës, pra të Dardanisë antike dhe të Dardanisë së mëvonshme. Kjo do të bëhet në konsultim me të gjitha institucionet e Kosovës, me parlamentin, me qeverinë,me presidentin dhe të ketë edhe diskutim publik, pse jo, dhe të bëhet me votim, me miratim të përgjithshëm. Besoj se janë të mirëpritura për të gjitha palët dhe ne duhet t’i kemi simbolet tona shtetërore, nuk ka gjë të keqe. Shqipëria aktualisht i përdor simbolet që kanë qenë gjithëkombëtare, si shtet aktual - ne do t’i kemi simbolet tona, që të jemi anëtar i OKB-së.

RFE/RL: Në anën tjetër zoti president, një prej prioriteteve që komuniteti ndërkombëtar ka përcaktuar për vitin e ardhshëm është kthimi i serbëve të zhvendosur. Sa në fakt ka ndikim Prishtina dhe sa Beogradi, jo vetëm rreth këtij procesi, por edhe në zhvillimet e tjera lidhur me Kosovën?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Shikoni, sa i përket çështjes së grupeve etnike, minoriteteve, ne kemi pasur një progres, edhe sa u përket serbëve. Pra, serbët që janë në Kosovë, janë të integruar në institucione, në parlament, në qeveri, pastaj në ministritë e ndryshme, ku minoritetet i kanë dy ministri, gjuhët e tyre janë edhe gjuhë zyrtare. Pra kemi avancuar shumë më shumë edhe se vendet fqinje, edhe pse nuk dua të bëj kritika apo konkurrencë ndërmjet vendeve fqinje dhe Kosovës. Ndërsa, siç e dini, ne parimisht jemi për kthime individuale të të gjithëve. Është kthyer një numër i madh, rreth tetë mijë vetëm gjatë dy vjetësh, që do të thotë se ka një kthim pozitiv, por nuk jemi për atë dhe është e pamundur të bëhet siç propagandon Beogradi kthime masive etj., sepse do të krijonim çrregullime dhe besoj edhe vetë qytetarët serbë të Kosovës nuk dëshirojnë të ketë gjëra të tillë. Në plan të parë ne jemi të ineteresuar për serbët që janë tash në Kosovë, që t’u krijojmë më shumë kushte, pra një liri më të madhe të qarkullimit që tashmë ka filluar, pastaj integrimi i qytetit të Mitrovicës, që ka filluar zoti Steiner me një program të tij. Pra, kështu është kjo pikëpamje. Ne si Prishtinë kemi ndikim në Kosovë. Ndikimi i Beogradit, ndërkaq, mund të jetë pozitiv - ata kanë të drejtë të interesohen për serbët, por jo të përzihen në punët e Kosovës, ashtu siç kemi ne të drejtë të interesohemi për shqiptarët në Maqedoni, në Luginë të Preshevës apo në Mal të Zi, por kurrsesi të mos krijojmë çrregullime brenda shteteve të caktuara. Prandaj, mund të ndihmojnë në këtë plan, por edhe të jenë në rol negativ, nëse i përkrahin ekstremistët e ndryshëm brenda Kosovës. Pra, politika dhe objektivi ynë është për serbët që tash janë në Kosovë të krijojmë sa më shumë kushte dhe integrim ekonomik e social dhe ata që dëshirojnë të vijnë, të kthehen nëse dëshirojnë.
RFE/RL: Në ftesën që i keni drejtuar Papës Gjon Pali II për të vizituar Kosovën, si shkas për këtë keni përmendur ndërtimin e një katedraleje në qendër të Prishtinës. A mund të flisni më gjerësisht rreth këtij projekti?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Shikoni, kjo është kërkesë dhe projekt i Ipeshkvisë së Kosovës. Natyrisht se e kemi përkrahur, të gjitha institucionet e Kosovës dhe unë si president që më shumë hyn në resorin tim. Pra, do të ishte një ngjarje me rëndësi të kemi një katedrale të mirë në Prishtinë, dhe, natyrisht, në urimin për Kërshëndella e kam njoftuar Atin e Shenjtë. Tash është procedura që të gjendet lokacioni dhe të bëhen projekte. Ju e dini, në qendër të Prishtinës ka qenë një Kishë e vjetër Katolike, ku është “Gërmia e vjetër”, siç i themi, mes “Grand”-it dhe sheshit që është aty. Në vitet ’60 është larguar prej aty. Aty ka qenë fushë atëherë. Pra,duhet të kemi edhe një katedrale dhe monumente të tjera fetare, që janë legale, por duhet të kemi një katedrale dhe ajo do të jetë me objekte përcjellëse – qendra kulturore, amfiteatro etj, pra një qendër kulturore dhe universitare afër Universitetit të Prishtinës. Dhe, nga ana jonë do të kenë përkrahjen.

RFE/RL: Gjithnjë e më shpesh jeni duke përmendur integrimin e Kosovës në strukturat veriatlantike, ndërsa autoritetet ndërkombëtare kanë thënë se ky integrim është i pashmangshëm, por aktualisht është herët të flitet për këtë. Cilat janë rrugët që Kosova do të ndjekë për t’u pranuar në këto struktura?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Po, rrugët do të ishin po të njihej sa më shpejt pavarësia. Do të kishim legjitimitetin e drejtpërdrejtë që të komunikojmë dhe të ecim. Natyrisht, edhe atje janë disa standarde që duhen përmbushur, pra jo vetëm këto standarde të brendshme, pra standardet për të hyrë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ndërsa tash, edhe UNMIK-u, edhe ne, po mendojmë në këtë ndërkohë të gjejmë disa rrugë dhe lidhje që të fillojnë bisedimet për atë statusin e anëtarit shok të lidhjes dhe stabilizimit, dhe do të shikojmë t’i gjejmë disa lidhje, disa penj, që të kemi një lidhje me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, por përsëri po e them: rruga më e mirë dhe më e shkurtër do të ishte ajo që përmes njohjes së Kosovës do të kishim ecur në këtë plan.

RFE/RL: Dhe Zoti president, meqë jemi në fund të vitit dhe fillojmë një vit tjetër, cilat janë prioritetet tuaja, të presidentit të Kosovës për vitin 2003?

Dr. Ibrahim RUGOVA
Prioritet kryesor është se do të punoj për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. E dyta - prioritet imi është si i të gjitha institucioneve, zhvillimi ekonomik, privatizimi që do të fillojë, pastaj krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, natyrisht duhet ta fillojmë dhe e kemi filluar këtë proces. Dhe, e treta të shikojmë mundësinë e hapjes së zyrave të përfaqësimit në botën e jashtme, sidomos në vendet e mëdha evropiane, pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash kemi senatorin Dol ambasador nderi dhe forma të tjera, pasi është shumë shumë e domosdoshme që të kemi zyra të përfaqësimit për të paraqitur realitetin në Kosovvë, progresin në Kosovë, në mënyrë që qeveritë e ndryshme evropiane dhe amerikane të kenë informata zyrtare nga Kosova. Ne kemi këtu UNMIK-un dhe mjaft asociacione ndërkombëtare si OSBE-ja, por ata shpesh edhe nuk kanë kohë të raportojnë, pasi merren me ekzekutivin e përditshëm në Kosovë. Pra, duhet të kemi informata zyrtare, në mnëyrë që Kosova të mos mbetet në mëshirën e thashethemeve dhe të fjalëve që shkojnë e vijnë. Kjo është e domosdoshme. Një objektiv tjetër është që të punojmë për ngritjen dhe integrimin e shoqërisë kosovare, një proces të pajtimit dhe parandalimit të ngatërresave të ndryshme, sepse po e vëreni se kemi disa akte të ngatërresave që mund të parandalohen, qoftë me shoqërinë civile, qoftë më institucionet tona, me partitë politike dhe gjykatat. Gjithsesi, do të punoj edhe për një harmoni të shoqërisë së Kosovës që është edhe kusht i domosdoshëm për investime në Kosovë, një stabilitet politik që është i domosdoshëm për një perspektivë ekonomike.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG