Ndërlidhjet

Digjet Ambasada Amerikane në Beograd


Pamje nga protesta në Beograd
Pamje nga protesta në Beograd

Dhjetëra protestues i kanë vënë zjarrin Ambasadës së SHBA-ve në Beograd. Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë dënojnë ashpër sulmin dhe theksojnë përgjegjësinë e autoriteteve serbe.




Dhjetëra protestues i kanë vënë zjarrin Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd, gjatë protestës masovike kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndërtesa ishte e mbyllur para protestës, ndërsa dyert dhe dritaret ishin të mbuluara.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër djegien e Ambasadës amerikane në Beograd dhe i kanë bërë notë të ashpër proteste autoriteteve në Beograd.

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nicholas Burns, i ka telefonuar kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica dhe ministrit të jashtëm, Vuk Jeremiq, për të protestuar zyrtarisht ndaj djegies së Ambasadës amerikane.

"Mesazhi ishte i qartë, kjo situatë nuk mund të tolerohet. Autoritetet duhet të veprojnë menjëherë, të ofrojnë personelin e nevojshëm, në mënyrë që punonjësit dhe ambasada jonë të mos jenë në rrezik", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormak, pas bisedës së Burns-it me zyrtarët serbë.

Burns "ia bëri të qartë ministrit të Jashtëm se ne do ta mbajmë përgjegjëse drejpërsëdrejti Qeverinë serbe për sigurinë e punonjësve tanë të ambasadës", tha McCormak.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit ngriti shqetësimin për informacionet se Qeveria serbe ka ndihmuar sulmet.

"Kemi parë shumë informacione shqetësuese se zyrtarët e Qeverisë serbe, përfshirë një ministër, kanë nxitur dhunën. Kjo duhet të marrë fund", tha McCormak.

Edhe zëdhënësja e presidentit Bush, Dana Perrino, ka shprehur pakënaqësinë me punën e forcave serbe të sigurisë.

Protestuesit gjithashtu kanë djegur edhe flamujt e Ambasadës kroate dhe asaj kandeze.
Njoftohet se policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe është përleshur me protestuesit, por kjo ka ndodhur vetëm pasi demonstrata kishte marrë përmasa të mëdha.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të protestave në Beograd që të tërhiqen nga rrugët dhe të pushojnë së sulmuari ambasadat e huaja.

"Kjo vetëm e dëmton mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit tonë dhe mbrojtjen e Kosovës. Kjo vetëm e largon Kosovën nga Serbia", porositi Tadiq nga Bukureshti.

Raportohet se rreth 150 mijë njerëz morën pjesë në protestat e sotme.
Protestuesve më herët iu drejtua kryeministri Vojisllav Koshtunica.

"Vëllezërit tanë në Kosovë nuk janë të vetëm dhe nuk janë të harruar. Përderisa do t'i hedhim poshtë ultimatumet, ne do të jemi të lirë. Përkushtimet janë bërë, fjalët tona i ka dëgjuar e gjithë bota dhe dihet shumë mirë se sa e fortë është fjala serbe. Kosova është Serbi", tha Koshtunica.

Ndërkohë, nëpër kishat ortodokse të Beogradit u mbajtën shërbime fetare.

Po sot, në vendkalimin kufitar Merdare, mes Kosovës dhe Serbisë, disa qindra serbë depërtuan në zonën neutrale, duke protestuar dhe hedhur gurë ndaj policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it.

Njoftohet se disa qindra ushtarë të KFOR-it arritën në vendngjarje për t'i penguar sulmet ndaj pikës kufitare.

Në Bosnjë, protestuesit serbë gjithashtu kanë hedhur gurë ndaj policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

XS
SM
MD
LG