Ndërlidhjet

DASH: Zyrtarët serbë kanë nxitur dhunën


Protestat e mbrëmshme në Beograd

Protestat e mbrëmshme në Beograd

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nicolas Burns, i ka telefonuar kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica dhe ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq, për të protestuar zyrtarisht ndaj djegies së Ambasadës amerikane.


Trazirat e mbrëmshme, djegia e Ambasadës amerikane dhe sulmi ndaj disa ambasadave të tjera në Beograd kanë hasur në reagime të ashpra të qendrave ndërkombëtare.

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nicolas Burns, i ka telefonuar kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica dhe ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq, për të protestuar zyrtarisht ndaj djegies së Ambasadës amerikane.

"Mesazhi ishte i qartë, kjo situatë nuk mund të tolerohet. Autoritetet duhet të veprojnë menjëherë, të ofrojnë personelin e nevojshëm, në mënyrë që punonjësit dhe ambasada jonë të mos jenë në rrezik", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormak, pas bisedës së Burns-it me zyrtarët serbë.

Burns ia bëri të qartë ministrit të Jashtëm se "ne do ta mbajmë përgjegjëse drejtpërsëdrejti Qeverinë serbe për sigurinë e punonjësve tanë të ambasadës", tha McCormak.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit ngriti shqetësimin për informacionet se Qeveria serbe ka ndihmuar sulmet.

"Kemi parë shumë informacione shqetësuese se zyrtarët e Qeverisë serbe, përfshirë një ministër, kanë nxitur dhunën. Kjo duhet të marrë fund", tha McCormak.

Edhe zëdhënësja e presidentit Bush, Dana Perrino, ka shprehur pakënaqësinë me punën e forcave serbe të sigurisë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Mihail Kaminin, ka hedhur poshtë pohimet e ish-ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrook, se pas trazirave në Berograd qëndron Rusia.

Agjencia e lajmeve Itar Tas ka transmetuar pohimet e Holbrook-ut se pas trazirave në Beograd "qëndrojnë rusët".

Zyrtari tjetër i lartë i Dumës ruse, Sergei Mironov, gjithashtu ka hedhur poshtë pohimet e Holbrook-ut, duke thënë se "Rusia kurrë nuk ka nxitur dhe kurrë nuk do të bëjë një gjë të tillë".

Kanë reaguar edhe zyrtarë të Kroacisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Turqisë, pas sulmeve vandale në ambasadat e tyre në Beograd.

Herët në mëngjes ka reaguar edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Kumtesa e Këshillit të Sigurimit është bërë publike nga ambasadori i Panamasë në Kombet e Bashkuara, Ricardo Alberto Arias, i cili ka thënë së vendet anëtare të KS-së dënojnë fuqishëm sulmet e turmave kundër ambasadave në Beograd, që kanë rezultuar me dëme dhe rrezikimin e personelit diplomatik.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad, para takimit, ka thënë se Qeveria e Serbisë në harmoni me ligjin ndërkombëtar është përgjegjëse për mbrojtjen e përfaqësive diplomatike dhe veçanërisht ambasadave.

Ndërkohë, ish-kryekomandanti i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, ka deklaruar se përgjgjëse për sulmet e mbrëmshme në përfaqësitë diplomatike i konsideron autoritetet serbe dhe organizatorët e mitingut të mbrëmshëm.

Clark ka thënë për rrjetin televiziv MSNBC, se zhvillimet e fundit në Beograd duhet të alarmojnë forcat e NATO-s në Kosovë dhe se Aleanca veriatlantike do të bëjë krejt çka është e mundutr për të mos lejuar bartjen e dhunës në Kosovë.

Sot, Uashingtoni ka bërë të ditur se trupi i djegur në brendi të Ambasadës amerikane nuk është diplomat amerikan dhe me gjasë është një nga protestuesit.

Nga Serbia, deri më tash, ka arritur reagimi i ministrit të Jashtëm, Vuk Jermeiq, i cili ka thënë se këto akte janë absolutisht të papranueshme, për keqardhje dhe dëmtojnë imazhin e Serbisë para botës.
XS
SM
MD
LG