Ndërlidhjet

"Koshtunica – nacionalist i përbetuar"


EPOKA E RE
Ndarja e përgjegjësive ndërmjet niveleve të qeverisjes është efikase për funksionimin e qeverisjes në Kosovë. Kështu ka vlerësuar në një raport të publikuar të enjten misioni i OSBE-së, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale në Kosovë.
Në këtë raport, përfshihen aspekte ligjore dhe administrative, si dhe aspekte fiskale të qeverisjes. Raporti tregon nje mungesë të qartësisë së disa dispozitave të caktuara, që rregullojnë kontrollin dhe mbikëqyrjen nga niveli qendror. Në raport paraqitet nevoja për reformë të financave lokale, të bazuara në efikasitet dhe stabilitet ekonomik...

INFOPRESS
Shkuarja e banorëve të Debëlldesë te pronat e tyre është e pamundur, ngase kalimi i vijës së imagjinuar nga ana e shtetit maqedonas konsiderohet ilegale, madje edhe rrezikohet ndonjë incident i armatosur. Bëhet fjalë për 2500 hektarë të Kosovës, të cilat nëvitin 2001 iu 'falën' Maqedonisë nga ana e Serbisë, përmes një marrëveshjeje zyrtare mes Beogradit e Shkupit. Ndërkohë që pala e Kosovës nuk e njeh një marrëveshje të tillë, madje edhe Parlamenti i Kosovës ka nxjerrë një rezolutë që hedh poshtë marrëveshjen për kalimin e këtyre tokave nën administrimin e shtetit maqedonas...

LAJM
Anëtarët e Komisionit kushtetues, Arsim Bajrami e Nekibe Kelmendi, janë "bombarduar" me komente, sugjerime e pyetje të shumta nga studentë dhe qytetarë, në një debat për Kushtetutën, i mbajtur të enjten në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Qytetarët i kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me sovranitetin, i cili paraqitet në Kushtetutë, mospërmendja e luftës së UÇK-së në preambulë, mospërmendja e së kaluarës së popullit të Kosovës, si dhe të drejtat e shumta të dhëna për serbët. Debatuesit kanë reaguar shumë, pasi në asnjë vend në projektin kushtetues nuk përmendet emri shqiptar. Por, edhe pse mundoheshin të merrnin vërejtje dhe pyetje konkrete nga debatuesit, anëtarët e Komisionit kushtetues as vetë nuk u janë përgjigjur disa pyetjeve që i kanë berë debatuesit...

NACIONAL
"E vetmja rrugë, absolutisht e sigurt, për ta çuar këtë komb në rrënim, për të parandaluar që ai të vazhdojë të jetë një komb, do të ishte që të lejohej që ai të bëhej një lëmsh kombësish që grinden", ka thënë Teodor Ruzvelt. Mos po i ngjan kjo Kosovës? Me Kushtetutën e re duket se rrezikojmë të shkojmë drejt këtij shtegu, që duke barazuar shumicën me pakicën apo duke mos përcaktuar se kush jemi dhe ku duam të arrijmë, rrezikojmë që nesër apo pasnesër të përballemi pikërisht me një lëmsh kombësish që do të grinden për Kosovën. Kjo në fakt po ngjan sot, shikoni serbët se çfarë janë duke bërë...

KOSOVA SOT
Bllokimi eventual rus në OKB do ta sjellë Kosovën në gjendjen që tani është Tajvani, pasi ai vend njihet si shtet nga më se 80 vende të ndryshme të botës, mirëpo qëndrimi i Kinës në këtë rast e ka pamundësuar që Tajvani të ketë ulëse në OKB. Republika e Kosovës duhet të jetë e përgatitur që edhe për një kohë të pajtohet me fatin e të mos qenit anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ngase qëndrimi dhe pozicionimi i Rusisë karshi Kosovës mund të bllokojë dhe të pamundësojë hyrjen në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar. Së fundi, kjo është paralajmëruar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, kushtuar Kosovës, ku përfaqësuesi rus në kuadër të këtij organi, Vitali Churkin, ka paralajmëruar shtetet e tjera se Rusia do të bllokojë çfarëdo nisme që Kosova të bëhet anëtare e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare...

BOTA SOT
Gjatë takimit që pati kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker, me ministrin gjerman të Mbrojtjes është vlerësuar situata e përgjithshme në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, me theks të veçantë në fushën e sigurisë. Gjermania ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë edhe në të ardhmen në ngritjen e një ambienti të sigurt në Kosovë. Duke marrë për bazë ngjarjet e fundit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Jozef Jung, theksoi se Gjermania është e angazhuar të jetë edhe më tej e përqendruar me forcat e veta ushtarake dhe policore në Kosovë...

EXPRESS
Me këtë Serbi që po e shohim në CNN, nuk ka vend për të dialoguar për Kosovën. Kjo është Serbia e Vukovarit, Sarajevës, Srebrenicës, Reçakut e Suha Rekës. Kjo është Serbia, e cila e kërkon Kosovën, por nuk i sheh kosovarët për njerëz; që pretendon të jetë e brengosur, për kisha, por as era nuk i vjen në vlera krishtere... Mitingu në Beograd është ngjarje që demonstron më së miri arsyet se pse Kosova ka kërkuar pavarësinë. Kënd po e shohim në ekrane televizive duke propaganduar që "Kosova është Serbi"? Është Vojisllav Kostunica, politikan minor që u bë figurë në Serbi, vetëm pasi që ekspertët e sondazheve vërejtën që është politikani që mund të rrëzojë Millosheviqin, pasi që eshtë nacionalist i përbetuar dhe mund t'i tërheqë votat e djathtistëve...

KOHA DITORE
Kryetari i Komisionit Kushtetues të Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka lënë të nënkuptohet të enjten se Kushtetuta e vendit mund të miratohet edhe pa pëlqimin e deputetëve serbë. Ai i ka hequr dilemat e pjesëmarrësve në debatin për kushtetutën, se miratimi i saj mund të bllokohet në rast se deputetët serbë nuk marrin pjesë në Kuvend. Sipas sqarimit të Kuçit, për miratimin e Kushtetutës mjaftojnë dy të tretat e deputetëve shqiptarë dhe shumica e deputetëve të komuniteteve pakicë që janë prezente dhe votojnë në Kuvend...

ZËRI
Të shpresojmë që e kemi gabim, por, sipas të gjitha gjasave, në ditët e ardhshme do të duhet pritur provokime, incidente dhe sulme të reja të ekstremistëve serbë, çfarë i pamë dy ditë më parë në vendkalimet kufitare në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, si dhe këtë të enjte, më 21 shkurt, në Merdar, afër Podujevës. Ngjarja e kësaj të enjte në Merdar, konfirmon fare mirë që fjala është për një organizim të mirëfilltë politik, prapa të cilit qëndron Qeveria e kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Po kjo qeveri dhe po ky lider, i cili deri dje thoshte që Serbia do t'i.kundërvihet pavarësisë së Kosovës me mjete politike, diplomatike, ekonomike dhe tregtare, por jo edhe me ato të tjerat, siç po shihet, tashmë ka kaluar në stadin që tashmë mund të cilësohet si kundërshtim i pavarësisë me të gjitha mjetet e mundshme, të cilat ministri i tij për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, madje i kategorizon si legjitime...







XS
SM
MD
LG