Ndërlidhjet

Rice: Serbia përgjegjëse për ambasadat


Condoleezza Rice
Condoleezza Rice

Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, tha se Qeveria e Serbisë është fajtore për ngjarjet në Beograd, ku u sulmuan ambasada e SHBA-ve dhe e vendeve të tjera. Rice tha se SHBA-të presin që kjo të mos përsëritet.


Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Serbisë është përgjegjëse për sulmin në Ambasadën amerikane në Beograd nga protestuesit që demonstruan kundër pavarësisë së Kosovës.

Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, tha se Qeveria në Beograd dështoi në obligimet e saj për të mbrojtur Ambasadën amerikane dhe ambasadat tjera nga protestuesit.

"Ata kishin obligim t'i mbrojnë misionet diplomatike. Nga ajo që mund të themi, prania e policisë në atë çast ose nuk ishte e duhur, ose ishte e papërgjegjshme. Ne ia kemi bërë shumë të qartë Qeverisë së Serbisë se nuk presim që kjo të ndodhë përsëri", tha Rice.

Kryediplomatja amerikane tha se është koha që serbët të pranojnë se Kosova më nuk u përket atyre.

Rice po ashtu sugjeroi se është koha që të lihen pas shekujt e sentimentalizmit në Ballkan.

"Ne besojmë se zgjidhja e statusit të Kosovës, me të vërtetë, përfundimisht, do t'i mundësojë Ballkanit që ta lë pas vetes historinë e tmerrshme. Është koha të ecet përpara", tha Rice.

Ajo tha se SHBA-të dëshirojnë të jenë mik i Serbisë, e cila, sipas saj, duhet të shohë kah e ardhmja.

Rice tha se SHBA-të do të mbeten të pranishme me forcat e tyre në kuadër të 17 mijë trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

"Nuk mendoj se dikush do të ishte më i lumtur sesa presidenti i Amerikës në ditën kur Kosova do të jetë në gjendje të ketë forca të atilla të sigurisë, të cilat do të mund të kujdesen për njerëzit e saj dhe t'i kontribuojnë stabilitetit në rajon", tha Rice.

Më herët, Uashingtoni i urdhëroi personelit jo të domosdoshëm dhe familjeve të ambasadës që të largohen nga Serbia për shkaqe sigurie.

Një zyrtar i SHBA-ve tha se tash për tash 90 amerikanë, përfshirë zyrtarë dhe familjarë të tyre, do të largohen nga Beogradi, ndërsa 50 "zyrtarë amerikanë" do të vazhdojnë të punojnë në Beograd.

Ndërtesës së ambasadës iu vu zjarri gjatë protestës masovike kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjes së vendeve perëndimore për shtetin e sapo shpallur.

Në kohën e sulmit, në ndërtesën e ambasadës ndodheshin 14 amerikanë, por të gjithë kaluan pa pasoja.

Sekretarja Rice tha se "pjesë të rëndësishme të objektit" janë të sigurta.

Nga zjarri e humbi jetën një person, i cili besohet se ishte protestues, për të cilin mediat serbe njoftuan se ishte një student 20 vjeçar nga Novi Sadi.

Kryeprokurori i Serbisë, Sllobodan Radovanoviq, tha se autoritetet janë vënë në ndjekje intensive të pjesëmarrësve në trazira, të cilët sulmuan ambasadat dhe bizneset e Perëndimit.

Policia tha se ka arrestuar 200 protestues.

Protestat ishin ngjarja më e dhunshme në rrugët e Beogradit që nga përmbysja e ish-presidentit Sllobodan Millosheviq.
XS
SM
MD
LG